Berisha: Kjo qeveri nuk ka probleme me Beogradin, por me Prishtinën

Tiranë, 13 maj 2022 – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka çelur sot fushatën për kryetar të PD-së në Elbasan. Ai është pritur nga deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ish-deputeti Aurel Bylykbashi, ish kreu i Qarkut të Elbasanit, Blendi Himçi, ish-nënkryetari i kuvendit, Ardian Turku dhe nga mbështetës të shumtë.

Berisha ka thënë se gjatë turit të tij disamujor është njohur me të gjitha problemet me të cilat përballen shqiptarët dhe tashmë ka ide të qartë se çfarë duhet bërë që Shqipëria “të mos pakësohet kështu si po pakësohet dhe të mos poshtërohet kështu si po poshtërohet”.

“Shpreh kënaqësinë e madhe që jam sot këtu te ju në një grup të rinjsh të cilët më së shumti simbolizojnë atë që duhet të jemi ne nesër dhe në të ardhmen tone, atë që synon PD-ja, që Shqipërinë ta bëjmë siç i kanë ëndrrat këta të rinj të shkolluar që punojnë për vendin. Unë kam ardhur sot para jush pas një turi të gjatë disa mujor. Kemi diskutuar bashkë probleme të shumta. Ne së bashku e dimë diagnozën. I njohim problemet. Gjithnjë kam menduar dhe mendoj nga t’ia nisim për të ndryshuar këtë shoqëri dhe këtë vend. Çfarë duhet të bëjmë për të realizuar qëllime që vendi të mos pakësohet kështu si po pakësohet dhe të mos poshtërohet kështu si po poshtërohet. Vij tek ju me bindjen se ne duhet ta nisim nga dashuria për këtë vend dhe këta njerëz”, ka thënë Berisha, citon Balkanweb.

Ndër të tjera, Berisha e akuzoi Qeverinë e Shqipërisë për qëndrimet ndaj çështjes kombëtare dhe çështjes së Kosovës, duke i cilësuar ato si “qëndrime të papërgjegjshme”.

Ai ka theksuar se kjo qeveri nuk ka probleme me Beogradin, por me Prishtinën, prandaj duhet të bëhet gjithçka për kombin dhe për vendin.

“Kur Kosova ishte e pushtuar dhe ne të lirë, të ndjerit President Ibrahim Rugova i thosha: ‘Ibrahim, e di si ngjasim ne? Si ai njeriu që ka gjysmën e trupit të paralizuar. Dhe këtë ia përsërisja jo rrallë, sepse Kosova ishte e pushtuar. Liria kombëtare është e pandashme. Kosova e lirë, po shikoni si jemi sot. Sherrin kjo qeveri nuk e ka me Beogradin, sherrin e ka me Prishtinën. A ka shembull më ilustrues se çfarë ndodh kur albanofobia e të tjerëve bashkohet me qëndrimet e papërgjegjshme. Problemi është se bashkohet me njerëz që edhe mund të kenë marrëveshje të fshehtë dhe mund të mos kenë, por kanë interesa meskine, nuk kanë interesa kombëtare, nuk kanë dashuri për vendin dhe kombin e tyre. Çfarë na bëjnë? Na pjesëtojnë për dy, në vend se të shumëzohemi me dy. Se dy vende shqiptare të lira në tërësi përbënin një fuqi dy herë më të madhe. Sot sherri nuk është midis Beogradit dhe Tiranës, por midis Tiranës dhe Prishtinës. Shembulli më i papranueshëm se si shkelmohet interesi kombëtar dhe cilat janë pasojat. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të qartësuar shqiptarët që duhet ta duam më shumë kombin dhe vendin tonë”, ka theksuar Berisha.

foto galeri foto galeri foto galeri

(r.m.)

Comment

*