Berisha dhe PD festojnë 22 vjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës

Njësoj si 22 vjet më parë, demokratët janë mbledhur sërish në sheshin kryesor të Qytetit Studenti për të festuar rrëzimin e monumentit të diktatorit Hoxha.
Në mënyrë simbolike të rinjtë demokratë rrëzuan “murin e bllokimit”, i cili e lidhi më pak skenën në mënyrë simbolike me Europën. Për rreth dy orë banorët e Qytetit Studenti, por edhe qindra qytetarë të tjerë, festuan në një koncert me këngëtarët më në zë të muzikës shqiptare, Big Basta, Redon Makashi, Xhensila Myrtezaj etj. Gjatë mitingut kreu i qeverisë kërkoi të mbahej edhe një minutë heshtje në nderim të të rënëve në fillim të viteve ‘90.
Nën ritmet e këngës “Thunderstruck” të grupit të njohur të rrokut “AC/DC”, Kryeministri Berisha kujtoi edhe një herë përpjekjet e studentëve për të rrëzuar bustin e diktatorit komunist.
“Si sot 22 vjet më parë ne bëmë që liritë dhe dinjiteti ynë njerëzor, besimi dhe shpresa për të ardhmen që meritonim të ngadhënjenin mbi shtypjen e egër, mbi frikën, poshtërimin, pesimizmin dhe dëshpërimin në të cilin na kishte zhytur një regjim barbar. 22 vjet më parë, në këtë shesh studentët liberatorë morën vendimin për sakrificë sublime”, u shpreh Berisha.
Në prag të nisjes edhe zyrtarisht të fushatës elektorale, kreu i qeverisë u shpreh i sigurt në një fitore të koalicionit të djathtë, fitore që sipas tij, do të rrëzojë murin e bllokimit të ngritur nga opozita. Berisha tha se bllokimi që opozita i bëri marrjes së statusit të vendit kandidat, është i fundit i këtij lloji. “Sot, pas 22 vitesh, ata në një verbëri të plotë politike përdorin pushtetin që u kanë besuar zgjedhësit shqiptarë për t’u ngritur atyre në rrugën e integrimit murin e turpit, murin e bllokimit. Por, përsëri ata gabojnë. Kësaj radhe gabojnë për të mos gabuar kurrë më. Kësaj radhe me votën tonë do të firmosim fundin e tyre, fundin e merituar. Shqiptarët më 23 qershor do të votojnë për integrimin e tyre në Europë, për liritë dhe të drejtat e tyre, për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë europiane. Ne jemi ndryshimi, ne do të fitojmë”, tha lideri i maxhorancës.
Pak ditë pas dyvjetorit të ngjarjeve të 21 janarit, Kryeministri iu kthye edhe një herë para mijëra të pranishmëve në Qytetin Studenti, duke e cilësuar atë ai një tentativë për të përmbysur me dhunë institucionet. “Sot, pas 22 vitesh të përmbysjes së diktaturës hoxhiste, si në asnjë vend tjetër bijtë e etërve hoxhistë, pasi pushtuan kreun e PS-së, guxuan të ndërmarrin përmbysjen me dhunë të pushtetit tuaj të dalë nga vota e lirë. Ata gabuan. Ne u themi edhe një herë: pushtet me dhunë në këtë tokë nuk do të merrni kurrë. Liria dhe mbrojtja e vlerave të saj janë pasioni ynë, janë forca e pathyeshme e Kushtetutës, e ligjeve, e votës, e institucioneve të Shqipërisë”, tha më tej Berisha. Në përfundim të fjalës së tij, kreu i qeverisë u përshëndet edhe një herë me drejtuesit e PD-së përpara se të largohej nga Qyteti Studenti.