Berisha: Diaspora jonë në SHBA, jo më e madhja, por më zemërzjarrta

Kryeministri premton krijimin e Komitetit të Diasporës, transmetimet mediatike të ndërsjella të Kosovës e Shqipërisë si dhe themelimin e ligës së përbashkët futbollistike Shqipëri-Kosovë

Denion Ndrenika

Kryeministri Sali Berisha theksoi si përparësi të qeverisë krijimin e Komitetit të Diasporës, transmetimet mediatike të ndërsjella të Kosovës e Shqipërisë si dhe themelimin e ligës së përbashkët futbollistike Shqipëri-Kosovë. Sipas kryeministrit, Komiteti i Diasporës do të bëjë çdo gjë, do të përpunojë praktikat dhe skemat më të mira në mënyrë që të Shqipëria të gjendet më pranë tyre shqiptarëve jashtë atdheut.
“Vendosim për krijimin e Komitetit të Diasporës. Ky Komitet është një detyrim i madh, moral, që u kemi shqiptarëve në të katër anët e botës. Fati na bëri që të kemi më shumë diaspore se shqiptarë në trojet shqiptare. Në këtë aspekt, u duhet kërkuar ndjesë shqiptarëve kudo që janë se nuk ka qenë e mundur të kenë mbështetjen e merituar të Shqipërisë, por i garantoj se realizimi i saj është përparësi madhore”-tha ai.
Teksa çmoi rolin e shqiptaro-amerikanëve për kombin, kryeministri vërejti se, diasporës në tërësi i duhet kërkuar ndjesë për pamundësinë e Shqipërisë për t’i dhënë mbështetjen e merituar: “Të mos harrojmë se edhe Rilindja jonë, në tërësinë e saj, me ndonjë përjashtim, lindi jashtë trojeve shqiptare”.
Zoti Berisha foli në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2013: “Komiteti i Diasporës do të bëjë çdo gjë, për t’u gjendur afër shqiptarëve në të katër anët e planetit. nga Zelanda e Re, Alaska e Poli i Veriut. Dikush më bëri një mesazh, ku më thoshte: “Ju përshëndes nga Poli i Veriut në Finlandë”.
Diaspora ka një rol historik, të jashtëzakonshëm, në jetën dhe në betejat e shqiptarëve për liri e zhvillim. Për të mos numëruar të gjithë aktet e avokatisë së jashtëzakonshme që i ka bërë kombit, diaspora në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ndonëse nuk është më e madhja, nuk është më e pasura, por është absolutisht më zemërzjarrta për Shqipërinë e kombin shqiptar! Por kryeministri i dërgoi mesazh kujtdo që sipas tij, mendon se shqiptarët janë pesë kombe, meqë jetojnë në pesë shtete: “Të mos mendojë kush kurrë, se ekzistencën tonë në pesë shtete ta interpretojë si për pesë kombe shqiptare! Kjo nuk mund të ndodhë! Jemi një dhe vetëm një”!
Kryeministri veçoi transmetimet e lira mediatike pa pagesë të Shqipërisë dhe Kosovës: “Të krijohet hapësira unike shqiptare. Po ashtu Radio Televizioni Shqiptar, ashtu siç u krijon lehtësira mediave shqiptare në pika transmetimi – dhe duhet t’u krijojë – ai duhet t’u krijojë mundësi edhe të gjitha mediave të Kosovës që të vendosin repetitorët e tyre dhe ato të shihen nga Konispoli në Vermosh. Sikundër do të bisedohet me qeverinë e Kosovës që të gjitha mediat e Shqipërisë të mbulojnë hapësirën mediatike të Republikës së Kosovës. Nuk është se nuk ekziston nëpërmjet “Dixhitalbit”, por ajo është platformë me pagesë dhe ne duhet të punojmë që të ekzistojë forma pa pagesë. Normale! Të punojmë që të ekzistojë pa pagesë”.
Kjo nismë sipas zotit Berisha, do të thotë se të gjitha mediat e Kosovës që dëshirojnë të operojnë në Shqipëri duhet të kenë licencë për transmetim në Shqipëri: “Duhet që mediat të shtrihen e të homogjenizohet hapësira. Ta fillojmë me këto dy hapa. U ndërtuan autostradat dhe ky ishte zhvillim madhor. Tani problemi mbetet tek valët. Pasi ia presim njëri-tjetrit valët në Gjilan, që të kalojnë edhe valët kufirin, andej e këtej. Duhet të krijojmë hapësirë të plotë edhe për valët”.
Zoti Berisha kërkoi fillimin e punës për krijimin e ligës së përbashkët futbollistike Shqipëri-Kosovë: “Tani edhe infrastruktura e lejon këtë. Tifozi i skuadrës së Mitrovicës mund të vijë ta ndjekë ndeshjen në Vlorë, Flamurtari me Mitrovicën, apo Prishtina me Tiranën. Të përfshihen të gjitha skuadrat shqiptare. Kjo është rruga për të shpalosur të gjitha potencialet dhe talentet në futboll dhe në sporte të tjera, për të fuqizuar tregun, për të nxjerrë një numër sa më të madh yjesh”.
Zoti Berisha shtoi se bashkimi me njeri-tjetrin dhe në Europë është projekti më i mirë për kombin shqiptar në Ballkan. Kryeministri deklaroi 2013-a është një vit me rëndësi për ecjen përpara të projektit më të mirë të kombit shqiptar në rajon, bashkimin me njeri-tjetrin dhe bashkimin në Europë. Për kryeministrit, shqiptarët janë duke ecur në rrugën e mirëqenies më të madhe. Andaj, zoti Berisha uroi që Shqipëria dhe shqiptarët kudo që jetojnë ta kenë 2013-ën një vit të plotësimit të pritshmërive të tyre: “Si viti, në të cilin Shqipëria dhe shqiptarët do të ecin më tej në rritjen e mirëqenies së tyre, në projektin madhor: Të bashkohemi njeri me tjetrin, të bashkohemi me Europën, si projekti më i mirë për të ardhmen e shkëlqyer të shqiptarëve në rajon”.
Kryeministri tërhoqi vëmendje për të punuar shpejt me Kosovën dhe me shqiptarët në shtetin maqedonas, për transmetimet satelitore për mësimin e gjuhës shqipe dhe të historisë kombëtare, ndërsa kërkoi që “të bëhet teksti dhe të fillojë transmetimi”.
“Nëse ka një gjë ku jemi bashkuar, ky është shoë artistik, në këngë, muzikë, balet dhe për këtë, ata kanë meritë, pasi janë në krye të përpjekjeve të shqiptarëve, madje me rezultate ndër më të shkëlqyerat, për bashkim njëri me tjetrin. E dëgjuat çfarë rroku fantastik ishte kënga e fundit e dyshes Lulgjuraj-Sejko, apo edhe këngën e Ronës në Baku”-tha zoti Berisha duke pasur parasysh këngën fituese të Festivalit të 51-të të Këngës në Radio dhe Televizion të dyshes Bledar Sejko dhe Adrian si dhe të Rona Nishliut që doli e pesta në Eurovizion vitin e shkuar si fituese e festivalit parardhës në Shqipëri.