Berisha e fton Metën në frontin opozitar kundër Ramës

Tiranë, 15 janar 2022 – Ish-kryeministri Sali Berisha nuk e përjashton mundësinë për një bashkëpunim me Ilir Metën për të forcuar opozitën. Në një intervistë për Nova Media, Berisha fton të gjithë forcat politike apo edhe faktorë të rëndësishëm shqiptarë që t’i bashkohen gjirit të opozitës, për të luftuar narko shtetin e Edi Ramës.

Shqiptarët – theksoi Berisha – duhet të çlirohen nga ky regjim armiqësor, ndaj duhet të bashkohen të gjithë.

Ndërkohë i pyetur se përse braktisi frontin në Tiranë për tu zhvendosur në Shkodër, Berisha tregoi hapat e tjerë që do të ndiqen pas protestës së 8 janarit. Sipas tij, tashmë nuk do të ketë mbledhje partiake, por takime me qytetarët dhe më pas tryeza me grupet e interesit.

Pyetje: A mendoni një bashkëpunim me Ilir Metën për të forcuar opozitën, sepse ju keni edhe Ramën edhe Bashën për të luftuar. Pra a do të fotoni në gjirin e opozitës Ilir Metën?

Berisha: Ftoj në gjirin e opozitës të gjitha forcat politike dhe faktorët e rëndësishëm të shoqërisë shqiptare që besojnë se narko shteti përbën dramën më të madhe kombëtare pas diktaturës komuniste.  Jo që nuk e përjashtoj, por mirëpres  bashkëpunimin për të çliruar shqiptarët nga ky regjim armiqësor ndaj interesit kombëtar, nga ky regjim që vetëm 5 vitet e fundit ka përzene 530 mijë shqiptarë nga Shqipëria,

Pyetje: Pse e latë Tiranën si front lufte dhe u zhvendosët në veri të Shqipërisë?

Berisha: Nëse me Kuvendin, Foltoren dhe referendumin u mbyll kapitulli i ringritjes së PD dhe hapet një kapitull i dytë, riorganizimi i saj me të gjithë strukturat e bazës tani kalohet takim me shoqërinë shqiptarë. Pra nga takimet partiake, në takime të fuqishme me qytetarët shqiptarë. Unë shkoj të takohem me qytetarë shqiptarë. Në Shkodër nesër janë të mirëpritur qytetarët e Shkodrës, takimet kësaj natyre do të vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë, në Tiranë dhe kudo. Takimet do të jenë të ndara dhe më pas do të ketë tryeza me grupet e interesit. Ky narko shtet nuk përballohet vetëm me nisma partiake, por nismat më të gjëra janë të domosdoshme për të.

Ndërsa i pyetur a ka presion nga Ambasada Amerikane pas protestës së 8 janarit, Berisha u përgjigj: Siç e keni konstatuar ju deklaratat kundra meje janë bërë periodike. Unë edhe dje, ju përgjigja një interviste të gjatë të Escobar, duke i thënë se nuk goditet Berisha duke mbrojtur Bashën. Shqiptarët janë një komb i vjetër, nuk i pëlqejnë kukullat shqiptarët. Kukullat nuk kanë sukses as në treg, e jo më në jetë. Basha është një kukull e për mua SHBA janë vend i lirisë. A besoj unë që do të rishqyrtohet vendimi? Nuk di të them, po një gjë kam të qartë se ai vend ka një vlerë të madhe për gabimet që bëhen e përpjekjet për t’i korrigjuar ato. A do të ndodhë kjo me Berishën? Nuk e di këtë. Në vitin 1998 pas një debati të brendshëm me veten time unë arrita të marr vendimin më të rëndësishëm të jetës. Arrita të vendos që t’i kundërvihem diktaturës. Unë atë se bëra kurrë për t’u marrë me politikë, por e bëra për dinjitetin tim. Doja të dilja në atë gjendje që ne jetonim. Nuk ka pasur moment më të lumtur se atë mëngjes ku unë mora atë vendim. Unë betejën e kam për dinjitetin. Askush të mos mendojë që jam i lënduar në këtë betejë. Jo. Jam krenar se po bëj një betejë për të vendosur në vend dinjitetin tim”

(Panorama.al)