Berisha i tregon kufirin Ambasadorit Amerikan: “Nuk ka mandat të interpretojë ligjet tona”

TIRANË  Për kryeministrin Sali Berisha, marrëdhëniet e kësaj qeverie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “shkëlqyera”.

Në një bashkëbisedim të zhvilluar dje me gazetarë të qarkut të Elbasanit, Berisha solli një panoramim të marrëdhënieve disavjeçare me SHBA-në, dhe jo pa qëllim.

I pyetur konkretisht mbi një deklaratë të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, se bashkë me tri ligjet do të ishte mirë që të miratohej edhe konstituimi i KQZ-së, Berisha u përgjigj: “Mënyra më e shkëlqyer për të ndërtuar marrëdhëniet e mira me SHBA-në dhe vendet e lira, është të zbatosh ligjet e vendit tënd. Ato janë të qarta të kristalta. Ligjet e Shqipërisë janë shumë të mira. Janë ligje demokratike. Kështu që unë dëgjoj me shumë respekt mendimet e miqve, por detyra ime është të zbatoj ligjet e vendit tim. Shqipëria ka institucione demokratike, të cilat janë larg të qenit të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to”.

Berisha theksoi më tej në përgjigjen e tij se askush nuk mund të luajë rolin e gjykatësit. “…Kur fillojmë të bëjmë gjykatësin kushtetues, apo kur bëjnë gjykatësin e lartë apo atë të Faktit, unë them se nuk respektojnë veten e tyre. Cilido qoftë. Ky është një shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër. Askush nuk ka mandat të marrë atribute, sepse mënyra sesi funksionojnë qeveritë e vendeve të lira është një mënyrë e mrekullueshme, është një mënyrë transparente. Ndaj dhe nuk mund të bëhet fjalë për asnjë variant tjetër, përveçse atë që përcakton ligji i vendit, atë që thonë institucionet e vendit”, – tha ai duke shtuar se respekti që ai ka për vendet mike është real.

Më pas Berisha komentoi edhe vizitën e sotme në Tiranë të Drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore.

“Z.Moore, më vjen mirë që vjen. Pse vjen? Vjen si dëshmi e vlerësimit dhe interesit për një Shqipëri, që ecën drejt zhvillimit, drejt afrimit me integrimin europian. Qeveria amerikane ka bërë gjithçka për statusin dhe integrimin tonë. Ka bërë thirrje për votimin e tri ligjeve disa herë…”, – tha ai.

Pak ditë më parë, ambasadori amerikan Arvizu në një komunikim me gazetarët u ka përcjellë një mesazh të qartë dy partive kryesore në vend, që të shfrytëzojnë ditët e mbetura deri më 23 qershor për të gjetur një zgjidhje që do t’i jepte fund situatës së krijuar në KQZ pas largimit të përfaqësuesve të opozitës. Në anën tjetër edhe PS-ja dhe LSI kanë kërkuar konstituim të saj, ndërsa mazhoranca ka përcjellë një qëndrim se në Kuvend do të votohen vetëm tri propozimet që do të sjellë opozita dhe jo rikompozimi i plotë i saj. Edhe në bashkëbisedimin e djeshëm Berisha përjashtoi çdo mundësi kompromisi sipas variantit të kërkuar nga opozita, me argumentin se ligji nuk e parashikon ndryshe.