Berisha: Ish-Presidenti Bush u befasua kur i tregova planin e shfarosjes së 1 milion shqiptarëve

Kryeministri Sali Berisha tregon bisedën me ish-presidentin amerikan George H Bush – Kryeministri theksoi se shqiptarët as kanë pasur dhe as kanë pretendime territoriale ndaj fqinjëve dhe as kanë ndërmarrë fushata kundër popujve fqinjë

 

Denion Ndrenika

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se presidenti amerikan George Bush Sr u habit jo pak kur në 1992 i tha në Shtëpinë e Bardhë se projekti i Serbisë ishte shfarosja e 1 milionë shqiptarëve nga Kosova si dhe ndarja e Kosovës.
Këtë deklaratë zoti Berisha e bëri mbrëmjen e së mërkurës në bashkëbisedim me studentët në Tiranë.
“Në pranverën e vitit 1992, në vizitën time të parë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, biseda me Presidentin George Bush filloi me Kosovën. I them se projektet janë shumë ogurzeza, sepse në atë periudhë bëheshin përpjekjet më të fuqishme për copëtimin e Kosovës. Synimi i tyre, them, është të copëtojnë Kosovën. Pjesa e rrafshit të Dukagjinit të mbetet ç’të dojë dhe ata të marrin pjesën më të madhe të saj, por të shfarosin së paku një milionë shqiptarë. Më pa. Problemi ishte nëse po më besonte apo s’më besonte në këto që po i thosha. Që të thoshe se kanë synim të spastrojnë një milionë, duhet të kishe fakte dhe argumente. Më tutje, kjo bëri që shqiptarët të reagojnë si komb i vetëm dhe nuk mund të ketë rrugë tjetër”. Duke u nisur nga fushata kundrashqiptare dhe rezultati i ndërhyrjes së botës perëndimore me në krye SHBA-të në Kosovë, zoti Berisha tha se kishte dalë pikërisht çfarë bisedoi atëkohë me presidentin Bush Sr: “Në vitin 1999, kur ndodhi ekzakt spastrimi i një milionë shqiptarëve nga trojet e tyre, bota pa se cilat ishin projektet e këtyre qarqeve ndaj shqiptarëve.
Gjenerali Wesli Clark në kujtimet e tij shkruan se Millosheviçi i tha: “E zgjidhnim ne me shqiptarët, po s’na latë ju”! Si e zgjidhnit?! “I vrisnim”! Sipas kryeministrit, kjo dëshmon saktësisht se “ndaj shqiptarëve ka ekzistuar një urrejtje dhe një vendosmëri për shfarosjen e tyre masive”: “Mund ta kenë pasur edhe ndaj njëri-tjetrit, por për mua e dhimbshme është pjesa ndaj shqiptarëve”.
Sipas zotit Berisha, Ballkani, që më parë është vlerësuar si fuçi baruti, nuk është më. Ai theksoi se ishte Ballkani i urrejtjeve, racizmave, por shtoi se “duhet të jemi fare të hapur, me përqendrimin më të lartë kundër shqiptarëve” dhe se “ky është fakti”, duke u nisur nga “doktrina të elaboruara nga qarqe akademike që kanë projektuar eksterminimin e shqiptarëve”.
Pavarësia e Kosovës, sipas kryeministrit ishte arritja më e paimagjinueshme që nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndërsa kujtoi luftërat shekullore për liri dhe përparim të shqiptarëve kudo që jetojnë: “Kosova e pavarur është kryevepra më e madhe shqiptare nga luftërat e Skënderbeut deri më sot, sepse ishte gjëja më e vështirë dhe më e paimagjinueshme! Ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë vendi dhe nuk do të pranohet që meqënëse në fillim të shekullit të kaluar u copëtuan shqiptarët në pesë shtete, të përpiqen dhe të transformohen në pesë varitete! Jo! Një komb”! Mirëpo, po me kaq garanci zoti Berisha kujtoi se asnjëherë në histori, shqiptarët as kanë pasur dhe as kanë pretendime ndaj fqinjëve dhe as kanë ndërmarrë dhe as është dokumentuar se kanë ndërmarrë ndonjë fushatë kundër popujve fqinjë.
Përveçse çdo synimi, sipas zotit Berisha, shqiptarët kanë moton e projektit të familjes europiane “të bashkohemi njeri me tjetrin, të bashkohemi me Europën”!
“Ka një projekt europian. Projekt, në të cilin kombet e Europës kanë ndërtuar një të ardhme që kurrë nuk e kanë pasur kaq të mirë. Ne duhet ta ndjekim atë, por ne duhet të bëjmë gjithçka të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Europën. Ne nuk kemi pretendime territoriale ndaj asnjë vendi. Jo. Vendimet tona janë se nuk mund të pranohet dhe nuk do të pranohet që, meqenëse në fillim të shekullit të kaluar shqiptarët u copëtuan në pesë shtete, tani të transformohen në pesë varietete”-tha ai.
Kryeministri theksoi se çdo formë ekstreminimi është e papranueshme. Në veçanti zoti Berisha theksoi se ka marrë fund koha e Ballkanit të urrejtjeve dhe i thënies “fuçi baruti”. Duke ripërmendur pavarësimin e Kosovës, zoti Berisha pohoi se dalëngadalë, kjo do të sjellë një qëndrim të ri ndaj shqiptarëve në rajon, por theksoi gjithashtu se “përsëri albanofobia ekziston”: “Vetëm dy muaj më parë në një stadium prej 40 mijë vetësh do të brohoritej “Vdekje shqiptarëve”! Dhe, nuk po luante një skuadër e jona, që edhe po të luante një skuadër e jona, kjo nuk duhet të ndodhte. Qëndrimi ynë është një qëndrim që synon paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin. Nuk mund të pranohet që shqiptarët të konsiderohen apo të trajtohen si “under dog” në Ballkan. Jo! Kudo që janë duhet të trajtohen si qytetarë të barabartë para ligjit”!
Kritika zoti Berisha, ndonëse nuk e përmendi emrin, lëshoi për studiuesin zviceran Jens Oliver Shmid mbi dyshime të ngritura prej tij, për origjinën ilire të shqiptarëve dhe kombësinë e Skënderbeut: “Po të lexoni një studiues, i cili për dy “uikiliksa” (WikiLeaks) mesjetare i ndërron origjinën Skënderbeut… “I tha konsulli, konsullit që “Skëndërbeu ka këtë origjinë”!!! Në Ballkan ka patur një nacionalizëm kryekëput qytetar dhe ky ka qenë nacionalizmi i shqiptarëve! Nuk ka të regjistruara masakra ndaj asnjë kombi! Përmendin serbët që janë vrarë kur zhvendoseshin në Shqipërinë e Veriut! Janë vrarë, sepse duke ikur digjnin çdo gjë”!
Mes temave të ndryshme, kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që të përmbushë interesat e të gjitha shtresave të shoqërisë.

Comment

*