Berisha: Javën e ardhshme do të shpallim datën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar

Data për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar do të njoftohet javën e ardhshme, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha nga ‘Foltorja’ me demokratët e Beratit. Berisha u shpreh se do të mblidhen sipas të drejtës statuore për t’i dhënë PD-së normat më të mira statutore që ajo meriton.

“Javën që vjen do të shpallim datën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Do të mblidhemi sipas të drejtës statutore për t’i dhënë PD-së normat më të mira statutore që ajo meriton. Për të përcaktuar ju me referendum jo vetëm kryetarin, por edhe kryeministrin. Do vijë njëherë tek ju, që të jetë apo jo kryeministër”, u shpreh Berisha.

Lideri historik i PD deklaroi gjithashtu se deri tani kanë firmosur mbi 50% e delegatëve për thirrjen e Kuvendit.

“Nuk lahesh dy herë në të njëjtin lum” Berisha: Unë u lava 2 herë e do të lahem edhe njëherë tjetër

Nga Berati, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se me besimin te Zoti dhe te demokratët, nisma e tij në PD do t’ia dalë.

Ai tregoi një moment nga viti 1997 gjatë një takimi të presidentit Rrugova, duke theksuar se është larë dy herë në të njëjtin lum dhe do ta bëjë edhe njëherë të tretë.

Berisha: Edhe unë kam besim te ju dhe te Zoti se do t’ia dalim. Në vitin 1997, presidenti Rrugova takoi një nga njerëzit më të rëndësishëm në botë dhe i thotë se “ne na ka ndihmuar shumë Berisha” ia i kthehen se në ujërat e një lumi nuk mund të lahesh dy herë. Në fakt, me ndihmën e zoti dhe tuajën, unë u lava dy herë dhe do të lahem edhe një herë tjetër. Kështu që do t’ia dalim!

Berisha: Vettingu i politikanëve jo me metoda policeske, merren peng deputetët nga SPAK-u i Ramës

Nga Berati, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se Vettingu i deputetëve dhe politikanëve  është i domosdoshëm, por nuk mund të bëhet më rregulla policeske.

Ai tha se Janë komisionet e etikës në kuvend ata që i thotë deputetëve që i thotë shko në prokurori ose dorëzo mandatin.

Berisha shtoi se si mundet që një forcë politike që të propozojë që të vendosë SPAK i Edi Ramës për mandatet e deputetëve, se ndryshe duhet të jesh skllav i tij.

Berisha: Vettingu i deputetëve dhe politikanëve  është i domosdoshëm, por nuk mund të bëhet më rregulla policeske, që mund të përdoret për të marrë peng deputetët, por mbi rregulla transparente. Ne bëmë një ligj dhe Venecia e përmbysi. Vettingu i politikanëve bëhet në mënyrë transparente.

Janë komisionet e etikës në kuvend ata që i thotë deputetëve që i thotë shko në prokurori ose dorëzo mandatin. Nuk dorëzohet legjislativi te prokuroria politike. Për prokurorinë kemi bërë një gjë të madhe në vitin 2021 duke hequr imunitetin. I kemi të gjitha mekanizmat. Si mundet që një forcë politike që të propozojë që të vendosë SPAK i Edi Ramës për mandatet e deputetëve, duhet të jesh skllav i tij.

Berisha: Përgatitemi për protestat që Shqipëria nuk i ka parë ndonjëherë, Basha peng i Ramës

Nga Berati, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se demokratët duhet të përgatitet për protesta që Shqipëria kurrë nuk i ka parë kurrë më parë.

Ai tha se Rama ka marrë peng Bashën, pasi ky i fundit ka braktisur demokratët dhe ka frikë që t’i takojë ata.

Berisha: Do të përgatitemi për protesta që Shqipëria kurrë nuk i ka parë kurrë më parë. Nuk rrimë në popull i dhunuar, nuk meritojmë të jemi votë-vjedhur. Ne jemi qytetarë të lirë. Tani për tani, Rama ka marrë peng Bashën. Ai pasi u zgjodh harroi çdo interes tuajin dhe e ka kapur një frikë nga të gjithë ju, prandaj nuk jua takon.

Paraqet takimet tona si anti-amerikane kur ato janë pro-amerikane dhe të tilla do të mbeten. Këto foltore kanë qëllim që të mbrojnë sovranitetin e forcës tonë politike, se përndryshe jemi fasadë dhe kurrë nuk vijmë në pushtet.

Berisha: Opozita ka dështuar në 8 vite, Basha në vend që të dilte në shesh, po merret me karrigen e tij

Nga Berati, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se të gjithë ato që ka bërë qeveria kanë ndodhur sepse vendi ka pasur një opozitë të paaftë dhe të dobët.

Ai tha se opozita në vend që të mbushte sheshet në mbrojtje të votës, Basha u kthye që të merrej me karrigen e tij.

Berisha: Të gjitha këto kanë ndodhur sepse vendi ka pasur një opozitë të paaftë dhe të dobët. Kjo opozitë dështoi në çdo nismë që ndërmori në 8 vite. Kjo opozitë nuk fitoi dot besimin e shqiptarëve, që u tha shqiptarëve që do të mbronte votën, por nuk e mbrojti dot. 25 prilli ishte një dramë e madhe për shqiptarët.

Rama përdori sistemin e patronazhistëve për të vjedhur votat, si skllavopronarët dhe diktatura. Ai përdori bandat dhe kartelet e drogës. Kreu i opozitës në vend që të mbushte sheshet në mbrojtje të votës, u kthye dhe po merret me karrigen e tij. Na bëri një dëm të jashtëzakonshëm. Ky e harroi masakrën dhe iu vërsul karriges së tij. Ky është një mashtrim i madh ndaj jush.

Unë kam përgjegjësitë e mia dhe kërkoj ndjesë para demokratëve të Shqipërisë, sepse unë e mbështeta Bashën publikisht me qëllimin e vetëm që t’ia dilnim që të fitonim zgjedhjet. Qysh kur i kërkova në vitin 2017 dorëheqjen dhe ai refuzoi, unë duhet të hiqja dorë nga vendimi për tu larguar pa kthim dhe duhet të kthehesha në betejë me të.OraNews