Berisha kërkon Komision Hetimor për Ramën e Bashën, por s’ka vota në Kuvend

Tiranë, 27 janar 2022 – Ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi sot në sallën e Parlamentit ngritjen e një Komisioni Hetimor për përfshirjen e Kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në procesin e pastrimit të parave.

Berisha, gjatë fjalë së tij, u shpreh kundër ligjit mbi rivlerësimin e pasurive të paluajtshme që po diskutohet në parlament dhe u shpreh se është  e nevojshme që lufta për pastrimin e parave ta nisë punën me hetimin e kreut të qeverisë dhe shefit të opozitës.

Por, çfarë thotë Kushtetuta e Republikës dhe Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me ngritjen e Komisioneve hetimore?

Në Nenin 77 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet qartazi se: Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. 

Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë.

Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.”, thuhet në Nenin 77 të Kushtetutës.

Ndërkohë, në kreun II, të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore, përsa i përket procedurave të krijimit të këtyre komisioneve thuhet se: Komisioni krijohet me kërkesë të 35 deputetëve. Grupi nismëtar paraqet qëllimin e krijimit të komisionit, çështjen që do të hetohet, propozimin për përbërjen e komisionit dhe afatin e përafërt të përfundimit të hetimeve. Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e komisionit.

“PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONEVE HETIMORE / KREU II – PROCEDURAT E KRIJIMIT TË KOMISIONEVE HETIMORE TË KUVENDIT – NENI 5 – Nisma për krijimin e komisionit:

  1. Komisioni krijohet me kërkesë të 35 deputetëve. Grupi nismëtar paraqet qëllimin e krijimit të komisionit, çështjen që do të hetohet, propozimin për përbërjen e komisionit dhe afatin e përafërt të përfundimit të hetimeve. Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e komisionit.
  2. Kuvendi ka të drejtë të krijojë komision hetimi, sipas rregullave të këtij ligji, kur kërkohet nga jo më pak se 5 deputetë, ose nga një komision i përhershëm, për hetimin e një çështjeje të veçantë, ose kur fillon procedura e shkarkimit të zyrtarëve me imunitet”, thuhet në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.

Por, pyetja që lind në këtë rast është: A i ka ish-Kryeministri Sali Berisha votat e mjaftueshme për ngritjen e një Komisioni Hetimor ndaj Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, apo është kjo një ‘shashkë’ e radhës e ish-Kryeministrit për të treguar se është ende aktiv në skenën politike shqiptare?

Berisha aktualisht nuk ka pas vetes as 1/3-n e numrit minimal që e kërkon rregullorja për ngritjen e një Komisioni Hetimor. Në krah të Berishës aktualisht janë të pozicionuar deputetët demokratë: Belind Këlliçi, Agron Shehaj, Luçiano Boçi, Edmond Spaho, Flamur Noka, Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, Luan Baçi, Sorina Koti dhe Albana Vokshi.

Me këtë numër, si një ujk i vjetër në skenën politike shqiptare, Berisha duhet ta dijë shumë mirë rregulloren në fjalë. Një veprim i tij si ky i sotmi, shihet më shumë si një manovër e tij politike për të thirrur pranë vetes deputetë të tjerë demokrate dhe jo vetëm, pasi që të arrijë të ngrejë këtë komision, i bie që duhet të ‘blejë’ edhe disa deputetë të tjera pro-Basha ose pro-Rama.

Gjë që praktikisht është totalisht e pamundur, çka tregon edhe njëherë se kjo mund të jetë thjesht një ‘shashkë’ nën hijen e tymnajës së krijuar në arenën politike shqiptare në muajt e fundit.

(Gazeta Shqiptare)

Comment

*