Berisha kundër Berishës

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Një nga gjërat më interesante në vitet e fundit të politikës shqiptare ka qenë mënyra sesi socialistët duke pasur disa argumente të mira në duar kanë dëmtuar shumë më tepër veten sesa i ka dëmtuar Berisha.

Për shembull, ndonëse kanë pasur arsye për t’u ankuar për zgjedhjet e vitit 2009, duke lënë emocionet dhe veprimet pompoze të triumfojnë mbi arsyen dhe veprimet e matura kanë humbur një numër shansesh për të krijuar mbështetje të fortë në sytë e Perëndimit dhe akoma më me rëndësi, në sytë e vetë shqiptarëve.

Ndonëse pranuan të ndërpresin bojkotin ndaj parlamentit pas një marrëveshje me diplomatët e BE-së në Bruksel, socialistët habitën perëndimorët kur dolën përsëri nga Kuvendi dhe filluan një grevë urie për të kërkuar rinumërimin e votave, një temë për të cilën vetëm pak ditë më parë kishin rënë dakord që do të ndiqte rrugën ligjore institucionale.

Ndonëse grevistët socialistë të urisë (kryetari Edi Rama nuk iu bashkua grevës) rrezikuan jetën, ata nuk sensibilizuan dot opinionin publiç. Përveç, militantëve të zakonshëm partiakë, popullsia e kryeqytetit dhe e Shqipërisë mbeti indiferente, duke treguar edhe njëherë paaftësinë e socialistëve për përcjellje të mesazhit, hendekun mes pikëvështrimit të tyre dhe sentimentit masiv në vend si dhe duke hedhur dyshime mbi aftësitë strategjike të kreut të partisë.

Pas 21 janarit 2011, kur një demonstratë e opozitës degjenoi në dhunë dhe solli vrasjen e katër qytetarëve, ndoshta prej gardistëve që ruanin kryeministrinë. Media pranë opozitës sulmoi me fyerje ambasadorin amerikan Alexander Arvizu për qendrimet e tij kritike ndaj të dy krahëve të politikës.

Këto më lart e të tjera si për shembull apatia e socialistëve në procesin e zgjedhjes së presidentit etj janë tregues për t’u mbajtur mend si raste klasike të ndihmës ndaj kundërshtarit politik.

Po ndërsa beteja më e rëndësishme e radhës po afrohet: zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, stafetën e ndihmës ndaj kundërshtarit e ka marrë në duar Sali Berisha. Me deklarata që bien era 1997, kryeministri i vendit, duket se ka vendosur t’ua dhurojë me çdo kusht fitoren socialistëve, ose duke humbur zgjedhjet, ose duke i fituar zgjedhjet por duke humbur mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një goditje të tërthortë kundër Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Arvizut, Berisha tha dje se nuk ishte puna e një diplomati të huaj që të interpretonte ligjet e Shqipërisë.

Mollë sherri është bërë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pas largimit të LSI-së nga koalicioni, PD që ka 3 anëtarë në komisionin 7-vetësh votoi në Kuvend për përjashtimin e anëtarit të LSI-së dhe zëvendësimin e tij me një anëtar të Partisë Republikane. Kjo solli dorëheqjen e dy anëtarëve të PS-së dhe një anëtari të partisë greke nga KQZ-ja.

Ndonëse zgjedhjet janë më pak se një muaj larg, KQZ-ja që është një organ themelor dhe vë vulën e fundit në rezultatet e votimeve vijon të jetë me vetëm katër vetë.

Diplomatët e BE-së dhe SHBA-së po bëjnë çmos që të zgjidhin situatën. Duke ndjerë rëndësinë e këshillës së tyre, që niset nga e mira e Shqipërisë, Edi Rama dhe opozita po tregohen të gatshëm të kthehen në KQZ duke ia lënë shumicën Berishës, sa kohë që marrin garanci se vendimet e KQZ-së nuk do të jenë politike por në shërbim të vullnetit të popullit.

Rama duket se nuk ka asgjë për të humbur. Berisha ashtu si në vitet 1996-97 rrezikon të zhytet në spiralen e vetëshkatërrimit. Një nga gazetarët më të njohur të Shqipërisë, Blendi Fevziu këmbëngulte gjatë një intervistë të gjatë me Ambasadorin Amerikan nëse ishte e vërtetë që SHBA duan ndryshim (rotacion) të partive në fuqi.

Amerikanët që kanë diplomacinë me transparente në botë do ta kishin thënë preferencën e tyre nëse do ta kishin një të tillë. Po kjo ka pak rëndësi tashmë. Në kampin demokrat është krijuar bindja se amerikanët janë kundër. Ajo që po mundohen të gjejnë është nëse ky është qendrim i Arvizut apo i Washington-it.

Përpjekjet e Arvizut për të shpjeguar se ai shpreh vullnetin e qeverisë amerikane në Tiranë, po shpërfillen me vetësigurinë e provincialit që gjithnjë e di se ka një komplot të madh mbrapa çdo veprimi.

Në fakt, SHBA dhe Bashkimi Europian mund ta humbasin vërtet durimin me Berishën, jo sepse duan rotacion (në Washington e Bruksel, Berisha e Rama duken njësoj) por sepse po frustrohen nga vonesa e Berishës në zgjidhjen e krizës së KQZ-së.

Rama me kohë u ka thënë se Berisha do t’i manipulojë zgjedhjet. Perëndimorët e kanë shpërfillur këtë paralajmërim. Po tani mund ta marrin vërtet seriozisht.

Po, është e vërtetë se me katër anëtarë, KQZ mund të vijojë punën deri në zgjedhje teknikisht, sa kohë që nuk shfaqet një çështje që të kërkojë shumicë të kualifikuar 5 vota me 2 që të zgjidhet. Sipas diplomatëve perëndimorë kjo shumicë votash është e domosdoshme për vendimin final të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Pra vajtja në zgjedhje me vetëm katër anëtarë në KQZ është një katastrofë e garantuar.

Duke qenë se ekziston një shteg i ligjit, për të vajtur deri në zgjedhje, e pastaj për ta lënë zgjidhjen kur të vijë numërimi final i zgjedhjeve, Berisha dhe ndjekës të tij po thonë se zhurma rreth KQZ-së është e panevojshme dhe e qëllimshme. Sipas kryeministrit ambasadori amerikan nuk duhet të interpretojë ligjet e Shqipërisë as të nxisë injorimin e tyre në favor të zgjidhjeve politike. Sipas tij, as Shqipëria nuk ndërhyn në ligjet amerikane.

Është një qendrim që duhet të shqetësojë çdo shqiptar. Fakti që ligji lë një shteg për të shkuar deri në zgjedhje me një KQZ të njëanshme, nuk është justifikim për të refuzuar kompromisin, por një arsye për të ndryshuar ligjin.

Kompromisi mes partive kryesore për tema vendimtare nuk duhet bërë se kështu duan diplomatët e huaj, por sepse është jetike për demokracinë në Shqipëri. Siç e ka treguar historia e shkurtër por halleshumë e trazicionit shqiptar, një fitore me komisioni njëngjyrëshe si në vitin 1996 është shumë më e keqe sesa një humbje transparente e demokratike.

Vështirë të besosh se ka më shumë sinqeritet në krahun e Edi Ramës, por kryesocialisti të paktën ashtu si Berisha në procesin e zgjedhjes së presidentit Bujar Nishani, po shprehet i gatshëm për të bërë lëshime. Ai është i qetë pikërisht se e ndjen që Berisha ka hyrë në fazën e obsesionit intrasigjent që ia humbi miqtë e mbështetësit në vitin 1996.

Kryeministri ndoshta llogarit që opozita mund të vjedhë masivisht votat duke shfrytëzuar shumicat e reja nbga bashkimi me LSI-në në qindra komisione zgjedhore lokale e shpreson se do të mund t’i pengojë këto vjedhje duke i rishikuar dokumentacionet dhe ankesat rreptësisht në një KQZ që drejtohet prej tij.

Në sytë e Berishës ndoshta kanë socialistët dhe opozita ata që po përgatiten për vjedhje.

Po kjo ndryshon pak gjëra. Kryetari i partisë më të fuqishme të vendit duhet të dëshmojë besim te sistemi. Nëse nuk ka besim ai, çfarë mund të thonë partitë më të vogla, apo më keq qytetari i thjeshtë i këtij vendi.

Përpjekja e një pjese të elitës politike shqiptare për të gjetur një agjendë personale të diplomatëve në vend që të shikojnë problemin që kanë krijuar vetë është tregues i mungesës së seriozitetit të tyre. i vetmi interes që kanë diplomatët perëndimorë është ecja e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Aq më tepër vënia në dyshim e sinqeritetit të Ambasadorit Arvizu që është dëshmuar shumë herë një gjykues i sinqertë dhe dashamirës i situatave politike në vend, është shqetësuese.

Berisha ka shumë çfarë të tregojë në këtë fushatë për rrugën e Shqipërisë në këto tetë vite. Në vend të kësaj, ai vetë po këmbëngul që të gjykohet nga zgjedhësit për këto javë të fundit të tensionuara dhe kryeneçe. Me këtë mbresë të fundit rrezikon t’i lërë zgjedhësit në ditën e votimit duke e ndihmuar vetë rotacionin për të cilin druhet se e duan amerikanët.