Berisha: Rama nuk reagon për letrën fyese e kërcënuese nga ambasada ruse

Në seancën plenare të Kuvendit deputeti demokrat Sali Berisha tha se qeveria nuk reagon pasi kryeminstri Edi Rama është vasal i Beogradit

 

Knid Ndrenika

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se ambasada e Rusisë në Tiranë i ka dërguar Shqipërisë një letër që e quajti “fyese” dhe “kërcënuese”.

Në seancën plenare të Kuvendit deputeti Berisha tha se qeveria nuk reagon pasi kryeminstri Edi Rama është vasal i Beogradit.

Për ish-presidentin Berisha, zoti Rama ka kapitulluar përballë shantazheve primitive të Rusisë ndaj Europës dhe NATO-s.

Deputeti i zgjedhur nga Partia Demokratike opozitare Sali i bëri thirrje qeverisë të reagojë kundër kërcënimeve të Rusisë ndaj Shqipërisë.

Berisha, ish-kryeministër e quajti “ofenduese” dhe “kërcënuese” një letër që tha se ambasada e Federatës Ruse në Tiranë i ka drejtuar Shqipërisë.

Zoti Berisha vërejti se Tirana nuk po reagon përkundër qenies së vendit antar i NATO-s pasi qeveriset nga “argati i Beogradit”, siç e cilëson kryeministrin Edi Rama.

Zoti Berisha foli në seancën plenare të Kuvendit paraditen e kësaj të enjteje:

“Dënoj letrën kërcënuese të ambasadës ruse në Tiranë drejtuar Shqipërisë. Një fyerje dhe kërcënim për çdo shqiptar, rrjedhojë fund e krye të kapitullimit të argatit të Beogradit, vasal i Aleksandër Vuçiçit, Edvin Kristaq Rama”.

Sipas zotit Berisha, kjo duhet të ishte çështje debati kryesor kuvendar sot, por siç shtoi “kur ke kreun e meduzës në Shqipëri, njeri që nuk ka interesa të tjera, përveçse kriminale, antishqiptare sigurisht që ndodh kjo”.

“Çfarë të drejte ka ambasada ruse të dërgojë një letër kërcënuese. E keqja më e madhe e kohërave është sot kërcënimi i Rusisë së Putinit”, -theksoi deputeti Berisha.

Ai theksoi se Rusia përbën kërcënim dhe shqetësim serioz botëror dhe se Kuvendi duhet të miratojë rezolutë kundër pushtimit të mundshëm të Ukrainës.

“Rusia tejkalon si forcë e së keqes, kërcënon të pushtojë një vend fqinj. Vendi i vetëm që ka heshtur si fije bari, është një vend anëtar i NATO-s. parlamenti duhet me urgjencë të votojë një rezolutë ku të shprehë solidaritetin e plotë me Ukrainën. Të shprehim solidaritetin tonë të plotë me Ukrainën, NATO-n, SHBA-të, BE-në. Nuk ka ndodhur kurrë dhe ju bëni sikur nuk ka ndodhur gjë. Çfarë po presim ne”-tha ai.

Ish-kryeministri Berisha kujtoi se Traktati i Budapestit firmosur nga Moska, Uashingtoni dhe Londra garantonte mosprekjen e kufijve të Ukrainës që ishte fuqi e tretë bërthamore, por që i dorëzoi 1700 armët e atilla në mirëbesim.

Comment

*