Bërnabiq kërkon dënimin e autorëve të sulmit ndaj Vuçiqit në Srebrenicë

Beograd, 11 korrik 2021 – Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kathënë se autoritetet e Serbisë nuk do të marrin pjesënë manifestimet përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës, derisa të nxirren para drejtësisë autorët e sulmit fizik ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para 6 vjetësh.

“Derisa nuk dalin para drejtësisë të gjithë ata që e sulmuan presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atëherë kryeministër, i cili shkoi në Srebrenicë për të shprehur respekt për viktimat dhe për popullin boshnjak, ne, zyrtarët, nuk e kemi vendin atje”, ka thënë Bërnabiq për Televizionin “Prva” të Serbisë.

Ajo ka thënë se askush nuk ka dhënë përgjegjësi për sulmin ndaj Vuçiqit dhe shtuar se “diçka e tillë mund të ndodhë përsëri”.

Kryeministra e Serbisë e ka cilësuar masakrën e Srebrenicës “një krim i tmerrshëm”, por ka shmangur shrehjen “gjenocid”, sepse Serbia mohon se në Srebrenicë është kryer gjenocid, siç ka konstatuar Gjykata Ndërkongëtare e Drejtësisë.

“Shpreh keqardhje të madhe, sepse një krim i tmerrshëm ka ndodhur në Srebrenicë dhe nuk kam asnjë problem të shpreh respekt për të gjitha viktimat”, ka thënë Bërnabiq.

Në korrik të vitit 2015, Aleksandar Vuçiq, atëherë kryeministër i Serbisë kishte marrë pjesë në përkujtimin e viktimave të gjenocidit në qendrën përkujtimore Potoçari. Disa pjesëmarrës të manifestimit përkujtimor, të revoltuar nga prania e tij në ceremoni, e kishin gjuajtur me mjete të forta.

Gjatë luftës në Bosnjë, në vitet 1990, Vuçiq ishte zyrtar i Partisë Radikale Serbe, e cila kishte formacionet e saj paraushtarake në zonat e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.

Vuçiq ishte pjesë e kësaj partie deri në vitin 2008, kur e formoi Partinë Përparimtare Serbe, e cila sot e mban pushtetin në Serbi.

(r.m.)