Besim te demokracia amerikane

Nga Ruben Avxhiu

Si sot, katër vjet më parë, në 10 nëntor 2016, Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë Michele Obama pritën në Shtëpinë e Bardhë, Presidentin-e-Zgjedhur Donald Trump dhe bashkëshorten e tij Melania Trump.
Në fund të vizitës, Trump shkroi në Tuitër: “Një ditë fantastike në DC. Takova për herë të parë Presidentin Obama. Vërtet takim i mirë, na eci shumë muhabeti. Melanisë i pëlqeu shumë Zonja O!”.
Kjo po ndodhte vetëm 4 ditë pas zgjedhjeve presidenciale.
Numërimi dhe tabulimi i rezultateve nuk kishte mbaruar.
Fituesi ishte shpallur vetëm nga media. Ashtu si ka ndodhur për më shumë se një shekull. Ne mbështetemi te media për të marrë vesh rezultatin. Arsyeja pse burime si Associated Press nuk gënjejnë kur e gjejnë fituesin është se për agjensinë ky është biznes jetik. Ndryshe nga shumë komentues që sillen sikur këto janë zgjedhjet e para presidenciale amerikane që ndjekin, Associated Press ka plane që ta vazhdojë këtë punë edhe për një shekull tjetër të paktën dhe nuk do ta rrezikojë besimin te fjala e saj as për Joe Biden e as për Donald Trump.
Kjo ngjarje kur Obama u takua me Trump në Shtëpinë e Bardhë, kurse Biden priti zv-Presidentin e ardhshëm Mike Pence ndryshon shumë me klimën e sotme, kur Presidenti Trump refuzon t’i telefonojë fituesit të shpallur. Por, ky ndryshim nuk duhet të na bëjë të humbasim shpresën në demokracinë amerikane.
Të gjitha veprimet e mëposhtme janë në përputhje me normat dhe ligjet amerikane.
Media amerikane, sidomos, Associated Press, kanë shpallur rezultatet bazuar në projeksionet e dala nga intervistat me votuesit dhe informacionin që kanë marrë nga qendrat e votimit.
Është puna dhe detyra e tyre të shpallin rezultatet. E bëjnë sa herë që ka zgjedhje. Të gjithë ulemi përpara televizioneve, kompjuterave, celularëve, radiove etj dhe presim prej tyre lajmin më të parë.
Është e drejta e Presidentit Trump ashtu si edhe e çdo kandidati në zgjedhje që nëse ka dyshime të mbledhë dhe paraqesë provat në gjyq. Kjo e drejtë nuk mund t’i mohohet dhe është absurde të neglizhosh ndjenjat e mbi 70 milionë vetëve që kanë nevojë të shohin se ankesat e kandidatit të tyre të merren seriozisht.
Në SHBA zgjedhjet organizohen nga secili shtet në bazë të ligjeve përkatëse. Tjetër gjë kërkon ligji në Kentucky dhe tjetër gje në Maine. Ajo që e mbron më së shumti integritetin e zgjedhjeve amerikane është se ato janë shumë të decentralizuara. Për këtë arsye është shumë e vështirë që një forcë e brendshme apo e jashtme t’i manipulojë. E gjithë struktura është gjithashtu kaq shumë e larmishme saqë nuk mund të korruptosh dy-tre vetë dhe ta zgjidhësh punën. Janë kaq shumë njerëz e entitete që gëzojnë autonomi e autoritet, saqë është e pamundur të korruptosh sepse është praktikisht e pamundur t’i korruptosh të gjithë ose të mbash sekretin. I gjithe procesi përbëhet nga hapa transparente, që mund të rishikohen me kujdes.
Çdokush që ka qenë pjesë e niveleve të ndryshme të strukturës së zgjedhjeve e di se sa e pamundur është manipulimi masiv. Është më shumë një imagjinatë që vjen nga mos njohja e realitetit.
Kjo nuk do të thotë që nuk ka njerëz që nuk shkelin ligjin, që nuk përpiqen vazhdimisht të anashkalojnë rregullat, të shtojnë artificialisht votat etj. Mirëpo, kur i vendos në peshore, sa mund të ndikosh duke shkelur ligjin me çfarë mund të pësosh nëse kapesh, nuk ia vlen barra qiranë. Rrezikon shumë për të arritur pak.
Ky vit nga ana tjetër, ka një situatë të pazakontë me milionë vota shtesë të dërguara me postë. Kjo pritej që do të krijonte konfuzion. Qysh në shtator e kam dëgjuar se shqetësim duke qenë se demokratët do të votojnë më shumë me postë, Trump mund të duket si fitues në mbrëmjen e zgjedhjeve dhe do të thotë se ia vodhën kur të përmbyset rezultati nga votat me postë.
Mbase nuk kam qenë i vetmi në atë kohë që më dukej absurde që nuk vendosej afati i fundit dy-tre ditë përpara ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që votat të ishin numëruar më parë, kështu që kur të vinte data e zgjedhjeve të mos kishte surpriza. Trump, më duket mua, akuzon se po ia punojnë edhe kur prishet moti, e jo më t’i përmbysej rezultati i mbrëmjes.
Nga ana tjetër, edhe nëse shtetet do të kishin vendosur afate që dërgimi i votave me postë të bëhej përpara 3 nëntorit, Trump do të akuzonte manipulimi me numërimi ishte bërë përpara ditës së zgjedhjeve.
Nuk kam dyshim se shtetet duhej të kishin bërë përgatitje për më shumë transparencë. Nga ana tjetër çfarëdo që të bësh është e pamundur të bindësh atë që e ka ndarë mendjen të ankohet për vjedhje nëse nuk ka fituar.
Trump nuk e ka ndihmuar veten me deklaratat e tij gjatë fushatës lidhur me këtë temë. “E vetmja mënyrë që mund të mundin është duke vjedhur votën”, ka thënë qysh dy muaj më parë. Kjo nuk kishte si të lexohej ndryshe se që “nëse humbas nuk do ta pranoj humbjen”.
Disa herë është pyetur dhe ka refuzuar të pohojë se nëse humbet do ta pranojë humbjen. “Do ta shohim”, është përgjigjur.
Tani është e vërtetë se gazetarët e medias kryesore përpiqen vazhdimisht që ta vënë në gojë që të thotë ndonjë gjë që provon se ka tendenca diktatoriale, etj. Mirëpo, ky nuk është justifikim që Presidenti i Amerikës të tregojë kaq pak respekt dhe besim te demokracia amerikane.
Në dritën e incidenteve të tilla, paditë e Presidentit Trump sigurisht do të shihen me dyshimin e padive të një njeriu që nuk kishte ndërmend ta pranonte humbjen gjithësesi.
Në këto ditë, janë paraqitur një numër rastesh parregullsie në votime. Emra të vdekurish që figurojnë se kanë marrë votë me postë dhe kanë votuar. Ka një filmim ku duket një punonjës komisioni zgjedhje duke mbushur disa fletëvotimi. Nuk kuptohet nëse po voton për presidentin, apo po mbush votat për kandidatë të niveleve më të ulëta të cilat shpesh njerëzit i lënë bosh. Rrallë kush e di se kush janë përfaqësuesit në bordet e lagjeve apo legjislaturat locale.
Asnjë nga këto raste parregullsish nuk duhet lënë pa u shqyrtuar nga ligji dhe jam i sigurtë se fushata e Presidentit Trump po i mbledhe paraqet si prova për padinë.
Mirëpo, këto nuk janë garanci fitoreje. Biden ka fituar me një diferencë shumë të madhe votash. Dhe tre vetë në Michigan dhe dy në Pennsylvania, që kanë vdekur e që dikush ka votuar në emër të tyre nuk mjaftojnë për të përmbysur rezultatin. Do të mjaftojnë për të hequr disa vota, madje edhe për të dërguar njerëz në burg, nëse provohet fajtori. Por, jo për të përmbysur vullnetin e gati 75 milionë votave për Joe Biden.
Një plan tjetër në disa shtete do të jetë kërkesa për rinumërim. Nëse diferenca është më e vogël se 1% rinumërimi mund të bëhet automatikisht. Për diferenca më të mëdha, do të varet nga rrethanat dhe mund të kërkojnë mirëkuptim mes fushatave, zyrtarëve të zgjedhjeve, ose vendimet gjykate.
Mirëpo, rinumërimet rrallë ndryshojnë më shumë se disa qindra vota dhe vështirë të imagjinoj se do të ketë ndonjë ndryshim cilësor.
Të gjitha këto përplasje ligjore do të ndodhin në shtete të ndryshme me argumente dhe prova të ndryshme.
Nuk mund të përjashtoj që Trump të arrijë të përmbysë ndonjë rezultat në ndonjë shtet. Dhe sa kohë që ka hapësirë ligjore për padi ka edhe hapësirë ligjore për t’i kthyer të gjitha shtetet. Thjesht nuk besoj se kjo do të ndodhë më. Shoh më të mundshme që Trump ta përdorë betejën ligjore më shumë për të nënvizuar se ia vodhën vjedhjet sesa mund të fitojë vërtet. Me narrativën e heroit të vjedhur, ai do të mund të ruajë një mbështetje të madhe fanatike në mbarë vendin. Edhe udhëheqësit republikanë që lavdërojnë në publik, por do të preferonin ta shihnin jashtë Shtëpisë së Bardhë mund t’u pëlqejë ideja e një humbjeje të errësuar nga dyshimi i vjedhjes së votave. Kjo do ta mbante elektoratin republikan të ndezur dhe dy vjet më vonë do të ndihmonte në marrjen e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mbajtjes së saj në Senat. Në 2024, mund të marrin mbrapsht Shtëpinë e Bardhë, duke pasur më në fund të gjitha pushtetet në duar por pa kaosin, dramat pa fund në Tuitër, dhe figurën polarizuese të Donald Trump-it.
Nëse Trump arrin të fitojë në gjykatë (beteja finale mund të jetë në Gjykatën Supreme ku konservatorët tani kanë shumicën) do të ishte një nga përmbysjet më të mëdha në historinë politike amerikane. Nëse ndodh kjo, demokratët dhe Joe Biden duhet të pranojnë humbjen dhe verdiktin e Gjykatës.
Në mënyrë të ngjashme, në momentin që gjykata hedh poshtë pretendimet e fushatës Trump, Presidenti dhe krerët republikanë duhet të pranojnë menjëherë kandidatin Joe Biden si President-të-Zgjedhur dhe të lejojnë pa vonesë kalimin e pushtetit.
Ndërkohë, është gjithashtu legjitime që ndonëse vijon beteja ligjore, Joe Biden të punojë për ekipin e tranzicionit. Kjo është një punë madhore, e cila nuk ka pse pret mesin e dhjetorit. Ai ka të drejtë që me njerëzit e tij të përcaktojë kabinetin me të cilin preferon të punojë si president dhe të fillojë vetimin e figurës për kandidatët kryesorë në cabinet. Këto veprime nuk janë publike, një pjesë nganjëherë fillojnë që para zgjedhjeve, si dhe mund të bëhen paralelisht me betejat ligjore sepse nuk përfshijnë të njëjtit njerëz. Në fund, nëse fiton Trump, këto mbeten thjesht emra dhe plane në letër. Nëse fiton Biden, Amerika nuk ka humbur kohë në përgatitjen e administratës së re.
Në fund, do të doja të shtoja se e gjithë rrëmuja e këtyre ditëve ma ka shtuar respektin për Hillary Clinton. Kandidatja demokrate është kritikuar dhe tallur shumë se pse u vonua gjysëm dite në pranimin e humbjes.
Imagjinoj çfarë do të kishte ndodhur po të kishte qenë Donald Trump në vend të saj. Po të kishte fituar si ajo tre milionë vota më shumë në gjithë Amerikën dhe përsëri të kishte humbur zgjedhjet. A do ta pranonte Trump që të kishte marrë tre miliona vota më shumë në SHBA, por vetëm 10 mijë më pak në Michigan, e 23 mijë më pak në Wisconsin, e 77 mijë më pak në Pennsylvania, mjaftueshëm sa për të përmbysur rezultatin e kolegjeve elektorale?!! Këto rrotullime të vogla rezultatesh në tre-katër lagje e qyteza kyçe neutralizuan 3 milionë vota në mbarë Amerikën. Duket si një tallje me demokracinë. Nëse kujtoni se Trump do ta kishte pranuar pa një betejë ligjore, rinumërime etj jeni duke gënjyer veten ose thjesht nuk pranoni për inat të preferencave personale politike.
Kur Jill Stein, kandidatja e Partisë së Gjelbër, që hoqi votat kyçe nga Hillary Clinton, ashtu si kandidati libertarian hoqi vota kyçe këtë vit nga Donald Trump, kërkoi një rinumërim, media vazhdoi ta quante kandidatin Trump si President-të-Zgjedhur. Hillary Clinton nuk doli të thoshte se pse po vendos media se kush është zgjedhur.
Në fjalimin e saj të nesërmen e zgjedhjeve, ajo i ftoi amerikanët dhe mbështetësit e saj që t’i japin një shans Presidentit Donald Trump. Shpresoj që si Biden ashtu edhe Trump pavarësisht se çfarë po bëjnë dhe thonë tani, t’u bëjnë një thirrje të ngjashme amerikanëve në momentin që gjykatat japin verdiktin e fundit për parregullsitë në zgjedhje. Ndryshe nga shumica e Presidentëve përpara tij që kanë qenë kaq shumë mirënjohës që Amerika u dha aq shumë, Donald Trump nuk më duket si dikush që mendon se i ka ndonjë borxh Amerikës. Përkundrazi, problemi kryesor që kam pasur gjithmonë me të është se ndonëse është një milioner që fati i ka buzëqeshur gjithë jetën është gjithmonë duke u ankuar për padrejtësitë që i bëhen. Jeta në fakt është e padrejtë siç e dimë të gjithë. Siç e dinë sidomos ata që mezi paguajnë qiranë dhe ushqejnë fëmijët e tyre. Është ironike që edhe nga Shtëpia e Bardhë Trump vijoi të ankohet kundër sistemit që e bëri të pasur dhe e bëri president të vendit. Po, media ka një rol të tepruar në këtë vend, po prandaj kemi president një personazh nga “reality TV” dhe jo një profesor, një nobelist, një doktor apo një inxhinier. Prandaj, politikanë më me përvojë e më me dijeni, humbasin se nuk dinë si të rrotullojnë median dhe si të kontrollojnë skenën mes kamerave. Pavarësisht prej natyrës së tij, unë gjithësesi besoj se kur të ketë rënë edhe çekani i fundit i vogël i gjykatësit më të fundit, dhe kur të jetë thënë edhe fjala më e fundit e opinionit të gjykatësit më të fundit edhe Donald Trump do të pranojë ta vijojë jetën dikur tjetër. Shpresoj ta mbyllë duke ftuar rivalin Biden në Shtëpinë e Bardhë, ashtu si bëri Barack Obama me të.
Demokracia amerikane është më e madhe se Obama, Biden, Clinton dhe Trump dhe unë nuk e kam humbur ende besimin se në fund do të dëshmojë se i ka të gjitha mekanizmat dhe hapësirën ligjore për të administruar edhe konfliktet më të vështira.