BESOJ DHE SHKOJ NË KISHË T’ I FALEM ZOTIT MË SHUMË SE DIKUR

(Dëshmi besimi)

Thanas L. Gjika

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

Në fëmijëri, nëna ime më mësoi t’i drejtoja Zotit lutjen “Ati Ynë” dhe lutje më të thjeshta për ta falenderuar për të mirat që gëzoja dhe t’i kërkoja ndihmë për të realizuar dëshira e synime të tjerë. Kur mësova të lexoj ajo më nxiti të lexoja pjesët e Biblës që ishin përkthyer shqip prej Shoqërisë Biblike të Londrës. Babai, nga ana e tij më merrte herë pas here për ta ndihmuar në punët e tij private për të fituar ca lekë më shumë se rroga. Këto mësime më ndihmuan të behesha djalë punëtor dhe i ndershëm.

Me të tilla vetira, plus zgjuarësisë personale, arrita të kryeja studimet e larta në Universitetin e Tiranës me rezultate të larta dhe si pasojë të më emëroin redaktor në “Radio Tirana”. Pastaj kalova me punë në Institutin e “Historisë dhe të Gjuhësisë”, i cili më 1972 u përfshi në Akademinë e Shkencave. Puna në atë institut dhe jeta e përditshme e asaj kohe, kur luftohej besimi fetar, më bënë të largohesha nga besimi te Zoti dhe të mendoja si shokët se njerëzit ateistë ishin superiorë në krahasim me prindërit që vijonin të besonin te Zoti. Ashtu si kolegët e mij edhe unë e ndjeja veten për intelektual. Kështu që leximin e “Biblës” e lashë mënjanë. Shumë rrallë, kur ndodhesha ngushtë, i drejtoja Zotit ndonjë lutje si gjysmë i penduar për të më ndihmuar pët të dalë nga situata e vështirë…

Erdhën vitet e përmbysjes së madhe, 1990-1992, kur regjimi komunist pranoi kapitullimin dhe ndërroi regjimi. Rezervat e mia ndaj atij regjimi filluan të kthehen në bindje. Sa më shumë njihja krimet e sistemit, aq më shumë e urreja diktaturën dhe diktatorin. U hapën kishat e xhamitë. Njerëzit filluan të shkonin në to për të kryer rritet fetare. Fillova të shkoja dhe unë në kishë, jo si besimtar i devotshëm, por më shumë për të shprehur protestën time ndaj dhunimit që më kishte bërë regjimi komunist në mentalitetin tim dhe sidomos për të shprehur dënimin e masakrimeve që u kishte bërë ai regjim të përndjekurve të ndërgjegjes.

Në këtë kohë të re mjaftohesha me faktin se isha bashkëshort, baba dhe koleg i ndershëm që nuk i bija askujt më qafë, që nuk më pëlqente të merresha me thashetheme, me gënjeshtra e lakmira të ndryshme.

Kaluan vite, erdha në Amerikë me lotarinë Green Card. Gjatë takimeve e bisedave me një shokun tim të shkollës, i cili kishte ardhur pas meje po në qytetin ku jetoja unë, mësova disa gjëra që më bënë t’i thërres ndërgjegjes dhe të bëhem fetar më i ndërgjeshëm se në fëmijërinë time. Një herë ky shok klase më kishte ardhur në shtëpi për të këmbyer detyrat e shkollës dhe kur pa nënën time që lexonte “Biblën greqisht, tha: “Sa libër i trashë qenka! Po ti nënë Meropi je shqiptare, ku e paske mësuar greqishten?”

Nëna ime e sqaroi se kishte mbaruar shkollën fillore greke me pesë klasë, ku të gjitha mësimet zhvilloheshin në greqisht. Kur u ndamë jashtë, shoku im më tha si me të qeshur:

– “Ne kemi më shumë se shtatë vjet që bëjmë rusisht dy herë në javë, po nuk po e mësojmë dot këtë gjuhë.”

Gjatë viteve të para të tranzicionit djali i këtij mikut tim të vjetër kishte kryer një gabim të rëndë korruptiv. Miku im me bashkëshorten, të tronditur, të shtyrë nga frika se djali i tyre do të dënohej shumë vjet burg, dhe se familja e tyre do të humbiste opinionin e mirë, vendosën ta ndihmonin djalin duke e fshehur e dërguar jashtë shtetit. Prindërit më vonë erdhën dhe ata me lotari në Amerikë. Rastisi që u vendosën në qytetin ku jetoja unë. Ai nuk më tregoi gjë për fatkeqësinë e djalit dhe zgjidhjen që i kishte dhënë asaj ngjarjeje. Mirëpo një shok tjetër ma tregoi dhe miqësia jonë sikur u ftoh. Miku im kur e vuri re këtë, më kërkoi takim dhe gjatë bisedës më tha:

– “E kuptova që e paske mësuar krimin tim. Tani, unë dhe ime shoqe, e kemi kuptuar se djalin do ta kishim ndihmuar më shumë po ta kishim detyruar të dorëzohej në polici e të kishte kryer dëmimin. U nxituam dhe e nxitëm të fshihej e të largohej nga Shqipëria për t’i shpëtuar dënimit. Mirëpo me këtë zgjidhje e humbën djalin për jetë, nuk e dijmë ku ka shkuar, rron apo jo. As nderin e famijes nuk e shpëtuam, as tranzicionit nuk i dhamë një mësim të vlefshëm si kërkonte koha. Erdhëm në Amerikë, por asgjë nuk na hyn në sy. Rrojmë si të përhumbur e po plakemi para kohe.”

– “Më vjen shumë keq që të paska ndodhur kjo tragjedi, i thashë dhe vijova: Nuk e kuptoj si e bëre ti këtë. Ti shquheshe për zgjuarësi e ndershmëri më shumë se unë”.

– “Kjo ngjarje dhe pasojat e saj, vijoi ai, më dhanë të kuptoj se nuk mjaftoka që njeriu të jetë i ndershëm e i zgjuar. Ndershmëria dhe zgjuarësia nuk mjaftokan për të qenë njeri plotësisht human, njeri i vërtetë. Po të kishim qenë të krishterë të devotshëm unë me gruan do ta kishim edukuar djalin ndryshe dhe ndoshta ai nuk do të ishte dhënë pas fitimeve. Kur gaboi, do ta kishim nxitur e ai besoj do të kishte pranuar të dorëzohej në polici, për të kryer dënimin që do t’i jepte gjykata. Tani do ta kishim djalin mes nesh. Unë me time shoqe po presim vdekjen si gjynahqarë. Në kishë nuk shkojmë dot, sepse vijojmë të jemi më tepër ateistë. Ndoshta do të jetë më mirë të kthehemi në atdhe.

Këto fjalë të mikut tim, që u nda nga jeta disa vjet më parë, më lanë një mbresë të madhe. Më përforcuan mësimin e Jezusit: “Mbretëria e Perëndisë është brenda jush”, pra mbi të gjitha u dashka siguruar qetësia e shpirtit. Propaganda komuniste me idenë e sakrifikimit të së sotmes për hir të së ardhmes komuniste, parajsës mbi tokë, që do të vinte përmes ndëshikeve të pafund të atyre që i dukeshin udhëheqjes së partisë si armiq, na e paskej shpëlarë trurin. Pra nuk ishte feja që na kishte shpëlarë trutë me idenë për ta jetuar të sotmen duke u lutur për shlyerjen e fajeve për të siguruar paqen shpirtërore. Ndaj kam filluar të shkoj më regullisht në kishë. Zoti i dëgjon lutjet tona kudo, por atje te salla e shenjtë më duket se më dëgjon më mirë.

M’u kujtua kjo ngjarje në këto ditë pashke. E shkrojta duke shpresuar se mund të ndihmoj dikë t’i afrohet besimit fetar si unë, jo për t’u bërë besimtar fanatik, por fetar i ndërgjegjshëm e i logjikshëm, për t’u bërë më human, njeri më i vërtetë.

Comment

*