Beteja për kapjen e terroristëve mbaroi, lufta për të drejtat e njeriut vazhdon

Pas aktit terrorist në Boston çfarë mund të mësojmë për Amerikën dhe për veten tonë

 

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Një kritikë disi bajate pas aktit terrorist të Bostonit është se pse kaq shumë vëmendje e medias, kur në disa vende të botës, tragjedi të tilla janë diçka e zakonshme. Përgjigjia është në vetë pyetjen, media tërhiqet nga gjërat e pazakonta dhe nga të papriturat.
Ndoshta vërtet atë që ngjarjet e rënda të Bostonit janë pamje që mund t’i shohësh edhe në vende të tjera të botës, sidomos në apo afër Lindjes së Mesme. Po zhvillimet që pasuan kapjen e njërit prej autorëve janë të tilla që ndodhin vetëm në SHBA.
Në fakt, asgjë nuk dëshmon më shumë se çfarë vendi janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës se sa beteja që u zhvillua pranë shtratit ku shtrihet i plagosur Dzhokhar Tsarnaev.
Ndërsa beteja rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi, që paralizoi një qytet derisa përfundoi me vrasjen e njërit prej ikanakëve dhe kapjen e tjetrit, u ndoq me pasion nga miliona vetë, kjo betejë e dytë argumentash tërhoqi më pak vëmendje. Po ishte kjo e dyta që tregon më shumë se çfarë është Amerika.
Dzhokhar Tsarnaev është tani një emër i urryer nga shumë vetë në SHBA dhe më tej në botë. Veprimet e tij dhe të vëllait sollën vdekjen e një fëmijë dhe tre njerëzve të tjerë të pafajshëm. FBI dhe policia mzi presin ta marrin në pyetje ndërsa shumë të tjerë thonë se ai meriton vetëm plumbin.
Po nuk është aq e lehtë. Pranë shtratit të tij, në këto orë të pasigurta mes jetës dhe vdekjes nga plagët, kanë qendruar duke pritur që të jenë aty kur të hapë sytë, disa të tjerë “roje”. Avokatët dhe aktivistët e ACLU-së (Bashkimi për Liritë Civile të Amerikës).
Kur të përmendej 19-vjeçari i akteve terroriste, policia dhe FBI do ta marrin në pyetje. Sipas ligjit amerikan ata duhet t’i thonë atij pata se të flasë se ka drejtë të heshtë, se çdo gjë që do të thotë mund të përdoret kundër tij në gjyq dhe se ka të drejtë për një avokat. Ligji amerikan nuk të detyron të shpallësh veten fajtor. Këtu nuk është Shqipëria komuniste.
Përfaqësues të UCLA-s përballë zemërimit në publik i kanë mbetur besnik parimeve të tyre. Sado i rëndë krimi apo akti terrorist, thesari ynë më i vyer është drejtësia dhe ligjet. Nuk duhet të lejojmë që terroristët të na bëjnë të shkelim mbi parimet tona, sepse kjo i hap rrugën shkeljeve të tjera. i hap rrugën abuzimit me pushtetin.
Në çfarë vendi tjetër të botës, avokatët e të drejtave të njeriut ngrihen në këmbë për të drejtat e një krimineli e terroristi? Sigurisht jo në Rusia dhe Kirgistani nga kanë ardhur dy terroristët bukëshkalë që sigurisht nuk u shkoi mendja që bombat t’i hedhin aty ku janë terrorizuar dhe persekutuar çeçenët.
Po në SHBA çdo qendrim ligjor dhe moral ka edhe kundërqendrimin. Demokracia dhe liria janë rezultate të debatesh të pandalshme.
Në krahun tjetër të ACLU-s, një numër kongresistësh dhe opinionistësh amerikanë kanë argumentuar se ky kujdes për të drejtat e Dzhokhar Tsarnaev-it është problem me liberalët në SHBA. Sipas tyre ky kujdes për njerëz që nuk e meritojnë ua ka hapur terroristëve dyert e Amerikës dhe u ka dhënë mundësi të organizojnë të papenguar atentatet e tyre kundër njerëzve në SHBA.
Më i njohuri nga këta kongresistë ishte Senatori Republikan Lindsey Graham. Ata këmbëngulën gjatë këtyre orëve të kllapisë së Dzhokhar-it se 19-vjeçari duhej trajtuar si “luftëtar armik” i kapur në betejë e sipër, i cili gëzon të drejtën që u takojnë robërve të luftës por jo të drejtat civile të qytetarëve amerikanë që jetojnë në demokraci.
Sipas atyre, Dzhokar Tsarnaev do ta përdorte mundësinë për të fshehur informacionin që kërkonte FBI, do të hidhte pluhur mbi të vërtetën, duke dëmtuar shanset e autoriteteve amerikane për të parandaluar sulme të ngjashme. Po sikur të ketë të tjerë në SHBA që po përgatiten të bëjnë të njëjtën gjë? Po sikur ai te këte një informacion shpëtimtar të domosdoshëm dhe të ndryshojë mendje për ta thënë pasi t’i kumtojnë se nuk është i detyruar të flasë, apo të pranojë fajin apo që mund të presë ardhjen e një avokati?
Po nëse trajtohet si “luftëtar armik” ai do të duhej të gjykohej përpara një gjykate ushtarake. Këtu përfaqësuesit e linjës së fortë ndahen. Vetë Senatori Graham thotë se i plagosuri mund të gjykohet edhe në një gjykatë të zakonshme. Për të trajtimi si “luftëtar armik” kishte rëndësi vetëm në kuadrin e mbledhjes së informacioneve për terroristë të tjerë.
Një elitë hetuesish kanë qeë gati që nga fillimi për të biseduar me 19-vjeçarin, por ai është plagosur në grykë dhe mund t’i jenë dëmtuar kordat zanore. Ka shumë mundësi që komunikimi të bëhet me shkrim.
Vetë hetuesit do të kishin preferuar të flisnin pa i komunikuar të drejtat që gëzojnë njerëzit përpara ligjit. Edhe vetë ligji ka një përjashtim, thonë ata, kur publiku është në rrezik të menjëherëshëm. Si për shembull që diku është vënë një bombë e cila mund të shpërthejë në çdo moment.
Mirëpo, drejtori ekzekutiv i ACLU-së, Anthony Romero ka kundërshtuar këtë llogjikë duke thënë se me vrasjen e vëllait të madh dhe kapjen e të voglit, ky rrezik konkret ka përfunduar. Nuk ka asnjë shenjë se bomba të pashpërthyera apo sulme të tjerë që janë përgatitur.
Kundërpërgjigjia e Senatorit Graham është se në fakt, kjo nuk mund të dihet me siguri pa u pyetur i plagosuri.
Këtij qerthulli debatesh i dha fund, dje Shtëpia e Bardhë, e cila vendosi që Dzhokhar Tsarnaev të gjykohet si çdo qytetar tjetër amerikan i akuzuar për krime. Ai do të përballej me një gjykatë civile dhe jo ushtarake.
Pas kësaj një gjykatës federal shkoi në spitalin ku është shtruar ai, në momentin që e njoftuan se 19-vjeçari ishte në gjendje të kuptonte dhe komunikonte.
Gjykatësi e njoftoi se ishte i akuzuar për përdorimin e një arme të vrasjes në masë, përshkak të eksplozivëve në Maratonën e Bostonit, ku mbetën të vrarë tre vetë dhe plagosur gati 200. Kjo akuzë ka si dënim maksimal dënimin me vdekje.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu bëri të ditur se Dzhokhar Tsarnaev nuk do të trajtohej si “luftëtar armik”.
Jay Carney (Xhej Karni) theksoi se sistemi civil juridik amerikan ka gjykuar qindra vetë të akuzuar për terroristë, duke dëshmuar se nuk ka nevojë të ndryshojmë rregullat e drejtësisë amerikane.
Mbi të gjitha sipas ligjit nënshtetasit amerikanë, nuk mund të gjykohen nga gjyqe ushtarake.
Ligjvënësit republikanë që donin një tjetër përgjigje kanë shprehur menjëherë pakënaqësinë e tyre.
Sipas Senatorit Graham, Shtëpia e Bardhë duhej të paktën të priste disa ditë. Të mblidheshin më shumë të dhëna e pastaj “të vendoste nëse ky individ duhej të pyetej apo jo sipas ligjit të luftës”.
Senatori Graham madje kishte një kompromis. Sipas tij, Dzhokhar duhej të merrej në pyetje sikur të ishte “luftëtar armik”, pa gëzuar të drejtat e një qytetari amerikan. Në fund, pas mbarimit të hetimit, ai do të paraqitej para gjyqit civil dhe do t’i jepej garancia se informacioni që do të ishte marrë prej tij gjatë pyetjeve nuk do të përdorej kundër tij në gjyq, sepse do të ishte i paligjshëm. Po nga ana tjetër do të mund t’i shërbente FBI-së për të parandaluar krime të ngjashme.
Ky debat dhe zgjatime të tjera të tij, është një nga arsyet se pse kjo që po ndodh në SHBA ia vlen të ndiqet me interes.
Ka shumë mësime aty sidomos për vendet që përpiqen të ngrenë fuqinë e ligjit më lart se fuqia e politikanëve. Për vendet që përpiqen të ndërtojnë demokraci liberale dhe të drejta të patjetërsueshme të njeriut.
Leksioni kryesor është padyshim ai që demokracia nuk është kurrë e mbaruar. Ajo nuk arrihet duke rrëzuar diktaturën. Nuk arrihet duke ngritur një parti apo një tjetër në pushtet. Nuk mbaron kur hyn në Bashkimin Europian apo në NATO.
Demokraci dhe liria mbrohen çdo ditë. Koncepti i tyre zhvillohet dhe riinterpretohet. Kërcënimet dhe shtrembërimet janë shpesh të nisura nga qëllime të mira dhe të arsyeshme. Lufta për demokraci është e suksesshme vetëm nëse nuk ndalet kurrë.
Debate të tilla na bëjnë gjithashtu të ndërgjegjshëm për kufijtë e lirisë. Për konfliktin e natyrshëm të lirisë me nevojën e sigurisë. Ato na ofrojnë gjithashtu shembuj njerëzish që ruajnë qetësinë dhe kthjelltësinë duke u udhëhequr nga parimet dhe jo nga ndjenjat. Në dëshirën masive publike për hakmarrje dhe dënim ata marrin përsipër të mbrojnë drejtësinë dhe parimet pavarësisht se kjo do të thotë shpesh mbrojtjen e një krimineli e terroristi.
Në fund të fundit, pa rënë për herë të fundit çekani i gjykatësit, të gjithë jemi të pafajshëm.
Po kështu janë shembujt e atyre që për sigurinë e publikut nxisin harkimin e ligjit, ripozicionimin e tij, duke besuar se ligjet u shërbejnë njerëzve dhe jo e kundërta. Ata shohin përtej ligjeve rrezikun e një grupi njerëzish që kanë avantzhin të luftojnë pa rregulla e kompromise. A duhet që edhe këta njerëz të gëzojnë të drejtat të cilat ua mohojnë njerëzve të tyre?
Cilado që të jetë pikëpamja juaj, një gjë është e sigurtë se një shoqëri që u vë këtyre debateve më shumë rëndësi se shkëmbimeve të fyerjeve e talljeve mes politikanëve, që nuk i ndan njerëzit në heronj e maskarenj po në njerëz të ngjashëm me pikëpamje të ndryshme, është edhe shoqëria që ka më shumë shanse të përparojë. Është shoqëria ku kemi dëshirë të jetojmë.

 

Comment

*