BGF: Kriza energjetike në Kosovë pritet të thellohet me përkeqësimin e motit

Prishtinë, 30 shtator 2022 – Fondacioni për Ballkanin e Gjelbër shprehu shqetësimin se Kosova mund të përballet me krizë të thellë energjetike gjatë dimrit në pamundësi për të përmbuhsur nevojat e saj me prodhimin e brendshëm dhe mungesës së energjisë në treg.

Në një raport me titullin, “Kriza energjetike në Ballkanin Perëndimor: Masat e ndërmarra në kohën e rritjes së çmimeve të energjisë”, ky fondacion i vlerëson të vonuara veprimet e ndërmarra nga qeveria e Kosovës për zbutjen e situatës me krizën energjetike.

“Pra fatkeqësisht masat që janë ndërmarr janë shumë të ngathëta dhe janë jo në proporcion me kërkesën nga kjo krizë energjetike e cila është pak a shumë alarmante. Ne për momentin jemi në një fazë ku jemi relativisht stabil për shkak të motit por me përkeqësimin e situatës meteorologjike dhe me ftohjen e temperaturave do të na pret një krizë shumë e madhe për shkak se edhe mungesa e gjenerimit vendor është shumë e theksuar për shkak edhe të procedurave tenderuese në gjenerim por në anën tjetër edhe pamundësisë së importit të energjisë elektrike”, tha Besfort Kosova nga fondacioni për Ballkanin e gjelbër.

Besfort Kosova që është një nga hartuesit e këtij raporti tha se importet e shtrenjta mund të shkaktojnë zbrasti të thella financiare dhe situata mund të çojë në zbatimin e shkurtimeve të furnizimit me energji.

Në raport thuhet se kriza energjetike i ka gjetur vendet e Ballkanit Perëndimor të papërgatitura ndërsa vendet më të prekura nga kjo krizë janë Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Çmimet e larta të importeve sipas raportit do të rëndojnë ekonomitë e këtyre shteteve duke krijuar probleme me shpenzimet publike.

“Nëse kriza energjetike vazhdon me këtë rritëm do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut duke filluar nga muaji nëntor të vitit 2022, në Kosovë ndërprerjet dy orëshe të energjisë elektrike pati edhe në gusht”, tha Fjolla Qorri nga Fondacioni për Ballkanin e gjelbër.

Raporti u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të rrisin skemat sociale për të mbështetur konsumatorët e varfër, parandalimin e dëmtimit ekonomik për bizneset dhe industritë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal duke krijuar një sistem më të mirë të shkëmbimit të energjisë.

Qeveria e Kosovës tha se deri më tani ka ndarë 60 milionë nga gjithsej 90 milionë euro të zotuara për të zbutur problemet me energjinë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë duke përdorur alternativa tjera për ngrohje.

Qytetarët e intervistuar nga Zëri i Amerikës kanë qëndrime të ndryshme për krizën me energjinë elektrike.

“Ne kemi thëngjill dhe e dimë që një ndërmarrje amerikane ka pas dashur të investojë në Kosovën C e këta që janë në pushtet nuk e patën leju. Tash krizë energjetike ne nuk duhet me pas sepse ne flemë përmbi qymyr dhe nuk jemi të varur prej Rusisë”, tha Sejdi Halim inga Prishtina.

“Unë nxehem me rrymë, në të kaluarën nuk kam pasur nxemje me rrymë por e kam kaluar pa asnjë problem kështu që pa problem tejkalohen, mos t’i japim shumë publicitet këtyre gjërave që i shqetësojnë dhe frikësojnë qytetarët”, tha Riza Krasniqi nga Prishtina.

“Po flitet që një megavat do të shkoj deri 1 mijë e 200 apo 300 euro e kështu që ka me qenë krizë shumë e madhe dhe besoj që për t’u nxeh sigurisht se do të nxehemi me dru se është një alternativë në këtë dimër, e vitet e ardhshme të shohim si shkon situata”, tha Sejdi Halimi qytetarë nga Prishtina.

Qeveria e Kosovës tashmë po zbaton masat e emergjencës për energjinë elektrike të cilat i ka vendosur në muajin gusht të këtij viti. Me këto masa qeveria synon të mbështesë qytetarët për sigurimin e ngrohjes gjatë dimrit, ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave, ruajtjen e sigurisë së sistemit elektro-energjetik dhe masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Aktualisht Kosova është e varur nga termocentralet me qymyr të cilat prodhojnë rreth 95 për qind të energjisë së përgjithshme të vendit dhe sipas ekspertëve në stinën e dimrit kërkesat e shumta për energji nuk mund të përmbushen nga kapacitetet aktuale prodhuese të vendit.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)