Biberaj – FRD: “PS dhe PD, dy gjysmat e kalbura të PPSH-së”

Intervistë e nënkryetarit të partisë Fryma e Re Demokratike, Aleksandër Biberaj dhënë gazetës “Illyria”

 

Bisedoi: Denion Ndrenika

 

-Po qëndroni në SHBA për përurimin e presidentit Barak Obama. Sipas burimeve, nuk do të kishte të ftuar përveç Trupit Diplomatik. Komenti juaj?

-Aleksandër Biberaj: “Është nder, kënaqësi, krenari dhe privilegj që jam i ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të marrjes së detyrës së Presidentit të SHBA-së Barack Obama, dhe kjo ndodh për herë të dytë, pasi kam qenë i ftuar edhe katër vite më parë. Këtë e shoh si nder dhe respekt për çdo shqiptar”.

 

-Fryma e Re Demokratike (FRD) u përball, sipas këndvështrimit të saj, me shkelje ligjore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për çështjet financiare në prag të fushatës zgjedhore të 23 qershorit. Ju keni një deputet, zotin Gazmend Oketa, por i zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike. Ky mandat mjafton për Ju që të përfitoni fonde, ndërsa për KQZ-në, jo. Atëherë?

-Aleksandër Biberaj: “Historia nuk filloi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), por nga Presidenti i punësuar i kryeministrit, i cili sipas urdhërave të eprorit nuk ftoi Frymën e Re Demokratike si parti parlamentare, në konsultimet për përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Të njëjtin urdhër mori edhe Kuvendi dhe tani KQZ, për të mos e konsideruar FRD-në parti parlamentare, veprime këto në kundërshtim me kushtetutën, ligjin dhe me praktikën parlamentare të 20 viteve të fundit. Gjatë këtyre 20 viteve, çdo parti që ka pasur deputetë, pavarësisht se kur është krijuar si subjekt politik, është konsideruar parti parlamentare. Rasti i fundit identik me FRD-në, është rasti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, subjekt politik i krijuar në vitin 2011, ndërkohë që dy deputetët aktualë të saj, kanë garuar në zgjedhjet e vitit 2009 me subjekte të tjera politike.

Natyrisht të vjen keq për një gjë, që kryeministri i sotshëm në vitin 2013 sillet me ne si parti e re opozitare shumë më keq se sa është sjellë Ramiz Alia në vitet 1990-1991 me opozitën e parë të asaj kohe që ishtë Partia Demokratike, qe ne themeluam në Dhjetorin ‘90. Jo vetëm kaq, por kryeministri dhe klika e tij po na survejojnë, na përgjojnë, shantazhojnë dhe u bëjnë presion qytetarëve që të mos afrohen me FRD-në duke i kërcënuar me vendet e punës nëse janë në punë ata apo familjarët e tyre, apo me bizneset nëse ata merren me biznes. Në shumë raste anëtarë, simpatizantë apo vullnetarë të FRD-së janë hequr nga puna, vetëm për arsyen politike të angazhimit në FRD. Por, kjo jo vetëm që s’na pengon dhe dekurajon aspak, përkundrazi na motivon edhe me fuqishëm për t’i dhënë fund këtij regjimi jodemokratik dhe për të siguruar rotacionin politik në Shqipëri aq të nevojshëm dhe të domosdoshëm. Nuk ka forcë që ta ndalë FRD-në në misionin e saj për demokratizimin e Shqipërisë, orën e së vërtetës nuk e ndalon asgjë”.

 

-Ju dhe FRD, natyrisht edhe kryetari Bamir Topi, ish-president, po qëndroni larg mundësive për aleanca parazgjedhore dhe në fakt mirë bëni, përderisa gjithçka duhet provuar për forcën që keni dhe për të mos u parë si pjesë e partive që i quani “të vjetra”. Mirëpo, në çdo rast gjykimi i përgjithshëm vështirë se e nxjerr FRD-në forcë kryesore pas zgjedhjeve, rrjedhimisht që ta krijojë vetë qeverinë, ose sëpaku të jetë kushtëzuese për cilindo fitues të zgjedhjeve. Tani duhet të kemi një gjykim, se pavarësisht nëse është PD apo PS, më pranë cilës ndihen? Domosdo që përgjigja formulë “e vendosin forumet” është e njohur, por politikisht logjikë dhe arsyetim keni.

 -Aleksandër Biberaj: “Dihet qëndrimi ynë përjashtues për koalicion me PD-në dhe PS-në. Me PD-në nuk bëjmë koalicion pasi kemi diferenca të thella parimore dhe morale, ndërsa me PS-në nuk bëjmë pasi kemi diferenca ideologjike, filozofike dhe programore. Ne jemi parti e qendrës së djathtë, ndërkohë që PS është parti e majtë, dhe PD pas koalicioneve me Ilir Metën (Lëvizja Socialiste për Integrim), Lufter Xhuvelin (Partia Agrar-Ambientaliste) dhe Hysni Milloshin (ndëdrroi jetë në 2012, ish-kryetar i Partisë Komuniste), ka kaluar majtas. Sot PD dhe PS ngjajnë si dy gjysmat e kalbura të PPSH-së. Fatkeqësia qëndron tek lidershipi i PD-së që e coi PD-në majtas, se PS dihet që është e majtë, ndërkohë që misioni i PD-së ishte djathtas. Gjithsesi, ne nuk përjashtojmë koalicion me partitë e djathta dhe të qendrës, vendim që do të merret në kohën e duhur, natyrisht nga forumet siç thoni edhe ju.

Lidhur me rezultatin tonë në zgjedhje, le të presim pa asnjë lloj paragjykimi. Ne suksesin tonë e bazojmë tek puna jonë, dhe ju e dini që ne po punojmë shumë. Jemi shtrirë në gjithë Shqipëri dhe këtë vit kemi filluar takimet e hapura me qytetarët. Të shtunën FRD ishte në Gramsh, sot (pardje) FRD në Pukë. Na kanë mirëpritur mirë gjithandej, për ne interesat e qytetarëve janë mbi gjithçka. Jemi të sigurtë se do të jemi faktor i rëndësishëm politik pas zgjedhjeve të 23 qershorit”.

 

-Ndarja e mandateve për deputetë ka marrë veç notave shqetësuese të frikës për manipulim të zgjedhjeve, edhe nota sarkazmi me rritje të çuditshme të popullatës në zona të veçantë në Qarkun e Kukësit. Domosdo që duhet patjetër hetim për të vërtetuar nëse popullata është rritur vërtetësisht. Por, shqetësimi mbetet që nëse KQZ si autoriteti i ngakruar për të ndarë man datet nuk arrin ta bëjë, Kolegji Zgjedhor gjykohet si i pavend dhe Kuvendi vetë si organ që vetëm miraton e nuk voton ndarjen e mandateve, si do të mund të ketë pikëpajtim kur as PS e as PD nuk lëshojnë? Kjo është një gjendje e përsëritur për çështje të tjera, por dikush duhet t’i japë zgjidhje. Vlerësimi juaj?

-Aleksandër Biberaj: “Kjo situatë është krijuar për interest e tyre nga kryeministri i PD-së dhe kryetari i PS-së me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, vetë e kanë gatuar këtë çorbë dhe tani janë zhytur në të pa gjetur zgjidhje. Kuvendi shkel ligjin, KQZ shkel ligjin, Kolegji Zgjedhor shkel ligjin, imagjino se në çfare “republike” jemi! Shqipëria ka nevojë për të themeluar një republikë të re, pasi republika ka rënë që me ndryshimet kushtetuese. Ne do të punojmë pas 23 qershorit, për një republikë parlamentare dhe demokratike siç e parashikon Kushtetuta, pasi sot kemi një sundimtar që ka uzurpuar të gjithë pushtetet. Ky realitet duhet ndryshuar dhe do të ndryshojë me zgjedhjet e 23 qershorit”.

 

-Përse mendoni se FRD është më e zonja për të ndryshuar qeverisjen e vendit, kur edhe PS thotë kështu, edhe PD, edhe Aleanca Kuq e Zi apo LSI. Çfarë keni të ndryshme që duhet t’ua besojnë votën më 23 qershor? Një pjesë e Juaja vjen nga PD-ja e nëse ka pasur “gjynahe”, ato duhen ndarë, ndonëse shumëkush e di se si funksionon ajo parti apo PS-ja, pra me “diktat” të “1”-it.

-Aleksandër Biberaj: “Më keni bërë një pyetje si me qenë në kishë apo xhami, gjithsesi do të përgjigjem. Po ta nisim nga “gjynahet”, askush prej nesh që jemi sot në FRD nuk ka snjë lloj “gjynahu”, jemi larguar nga ajo parti për arsye parimore dhe morale. Thoni edhe vetë se aty ka vetëm diktat të “1”-it, ç’kërkon aty atëherë!? PD, PS dhe LSI janë provuar sesa keq qeverisin, dhe gjykoj se shqiptarët nuk mund të gënjehen nga ata që ka 22 vjet që i mashtrojnë dhe gënjejnë. Aleanca Kuq e Zi është parti e re dhe e paprovuar. Suksesin tonë ne e bazojmë në programin tonë realisht që do të jetë në interes të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve, në kandidatët tanë që do të jenë shumë cilësorë dhe përfaqësues dhe në lidershipin që është provuar pozitivisht në raport me pushtetin”.

 

-Pak për çështjen kombëtare. A e shihni me vend praktikën e nismave që ndoshta janë logjike, por me pak hapësirë ligjore për t’u arritur? Bëj fjalë për Ligën Mbarëkombëtare Futbollistike, hapësirën e përbashkët radiotelevizive dhe dhënien e shtetësisë së Shqipërisë shqiptarëve kudo që janë.

-Aleksandër Biberaj: “Çdo gjë që vjen nga ky kryeministër është demagogji dhe mashtrim. Po pse pak kishte kohë 8 vjet që të bënte edhe politika patriotike, përkundrazi e ka nxjerrë Shqipërinë në ankand, sa të grekëve aq edhe të serbëve. Të gjitha këto që ju përmendni mund të realizohen nga një qeverisje që punon për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo që janë. Të gjitha këto janë të negociueshme, pse jo edhe të realizueshme. Natyrisht, duke negociuar dhe qenë kompatibël me partnerët tanë strategjikë”.

 

-Çfarë problemi ka nëse shqiptarët bashkohen në një shtet, pavarësisht formës federatë, konfederataë apo tjetërçka?

-Aleksandër Biberaj: “Kjo është një ëndërr e të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë shqiptarët duhet të punojnë për bashkim kombëtar, por gjithçka kërkon përgatitjet e veta dhe kohën e vet në dispozicion. Gjithçka duhet të realizohet në konsultime me aleatët tanë strategjikë, sidomos me SHBA-në dhe partnerët kryesorë të BE-së”.

 

-Çfarë platforme ka FRD për Çamërinë, për shqiptarët nën shtetin maqedonas, nën Mal të Zi, nën Serbi dhe për Kosovën? Mosqenia shumë aktiv apo po themi “nacionalistë” si të tjerët nuk besojmë se “përjashton” ndjenjën dhe veprimin kombëtar. A duhet të jeni kaq “të heshtur” apo “të kujdesshëm” duke mos përmendur qartësisht se Çamëria është krahina jugore e Shqipërisë e spastruar etnikisht nga grekët? Një shembull ky.

-Aleksandër Biberaj: “Për hir të së vërtetës nuk jeni shumë i saktë ose i vëmëndshëm në këto që thoni. Si zoti Topi kur ishte President, ashtu edhe zoti Oketa (Gazmend, nënkryetar i FRD-së) në pozicionin e zëvendësryeministrit apo të Ministrit të Mbrojtjes dhe unë në pozicionin e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Europës, kemi pasur një linjë të qartë dhe të fortë patriotizmi, natyrisht duke bërë diferencën ndërmjet patriotizmit dhe nacionalizmit. Këtë linjë patriotizmi do ta kemi gjatë gjithë karrierës sonë politike, gjatë gjithë jetës sonë. Kemi mardhënie vëllazërore me të gjithë faktorët shqiptarë në hapësirat Ballkanike dhe po përgatisim një seri vizitash, përfshirë Preshevën. Lidhur me Çamërinë do të thoja se është një çështje që kërkon zgjidhje dhe duhet zgjidhur”.

 

-Ju në Këshillin e Europës si deputet, qëndruar fort kundër raportit të ish-prokurorit zviceran Dik Marti. Mirëpo, raporti i tij për kinse krime apo trafiqe të ndryshëm, përfshi të organeve të serbëve, nisi të hetohet. Përse duhet të jemi kaq të hapur për çështje të rënda akuzash, kur ndaj nesh që na kanë shfarosur grekët, serbët, malazezët, bullgarët dhe maqedonasit, askush nuk ka kërkuar hetime? Ndoshta servilizëm për të fituar pikë politike?

-Aleksandër Biberaj: “Siç dihet, isha zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të KE-së dhe kisha 4 mandate, por më shkarkuan në ajër si Stalini Zhukovin (Stalin, ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik të shpërbërë. Zhukov, marshalli që zmbrapsi Gjermaninë Naziste), pikërisht para katër vitesh kur isha në ceremoninë e inagurimit të presidentit Barack Obama me 20 janar 2009. Si gazetar, përse nuk e shtroni pyetjen se përse më shkarkuan, kush më shkarkoi dhe nga erdhi urdhëri, kur isha një shqiptar me katër mandate në Këshillin e Europës? Kujt i interesonte shkarkimi im dhe humbja e katër mandateve nga Shqipëria? Pas shkarkimit tim a ke dëgjuar ndonjë gjë për veprimtarinë e delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës, me përjashtim të rasteve kur ata bashkojnë votat me Rusinë dhe Azerbajxhanin? Përgjigja e pyetjeve të mia, jep edhe përgjigjen e pyetjes suaj”.

 

-Çfarë mendoni për integrimin? Mosvotimi i tri akteve ligjorë normalisht kritikat ia adresojnë opozitës. Por, qeveria nuk është “qelibar”. Derisa nuk ka zgjidhje, çfarë do të bëni ju për ta ndryshuar gjendjen?

-Aleksandër Biberaj: “Është padyshim përgjegjësi si e maxhorancë ashtu edhe e opozitës, por kuptohet që përgjegjësinë kryesore e ka maxhoranca, pasi ajo drejton vendin. Nuk varet statusi nga miratimi i tre ligjeve, se edhe po u miratuan ato ligje nuk zbatohen. Për sa kohë nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk respekton ndarjen e pushteteve, nuk respekton pavarësinë e institucioneve kushtetuese, je totalisht i zhytur në korrupsion, nuk të jep kush statusin e vendit “kandidat”. Në çdo vend kryeministri dhe qeveria do të jepnin dorëheqje për çdo refuzim që na bëhej, aq më keq që u bënë tre vjet rresht, pra tre refuzime rrjesht. Ndërkohë që, statusin e merr edhe Serbia”.

 

-Si e vlerësoni takimin e kryeministrit shqiptar Hashim Thaçi në Kosovë me homologun serb Ivica Daçiç dhe sidomos pikëpajtimet për doganat dhe kufirin e veçanërisht për çështjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës?

-Aleksandër Biberaj: “Nuk paragjykoj asnjë lloj takimi që zhvillohet me transparencë. Por, problem nuk qëndron te takimet, se politikanët duhet të takohen, se sa tek rezultatet e takimeve, të negociatave. Gjithsesi, jashtë pyetjes suaj, ajo që kam vënë re gjatë këtyre 22 viteve është sjellja nga njëra anë e politikanëve shqiptarë si vasalë dhe si inferiorë me të huajt, ndërkohë që nga ana tjetër sillen si sundimtarë, si despotë me qytetarët e vendit të vet. Kemi nevojë për një përfaqësim shumë më dinjitozë ne si shqiptarë, po nuk respektuam ne vehten tonë, përse do të na respektojnë të huajt”.