Biden e përshëndet arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit

Uashington, 21 maj 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përshëndeti arritjen e armëpushimit, duke thënë se masa u pasua nga diskutimet intenzive mes Shteteve të Bashkuara, Egjiptit, Autoritetit Palestinez dhe vendeve tjera të Lindjes së Mesme.

“Unë besoj se palestinezët dhe izraelitët meritojnë të jetojnë në mënyrë të sigurt dhe në siguri, të gëzojnë masë të barabartë të lirisë, begatisë dhe demokracisë”, tha Presidenti Biden, transmeton Zëri i Amerikës.

“Administrata ime do të vazhdojë diplomacinë tonë të qetë, të paepur drejt arritjes së këtij synimi”, shtoi ai.

Biden tha se ai e ka telefonuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin e ka përgëzuar për arritjen e armëpushimit.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër sulmeve me raketave nga Hamasi dhe grupe të tjera terroriste me bazë në Gaza që kanë marrë jetën e viktimave të pafajshme në Izrael”, tha ai.

Presidenti Biden tha se Qeveria e Egjiptit luajti një rol vendimtar në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe se diplomacia amerikane operoi “orë pas ore” për të ndalur luftimet. Ai tha se ka folur gjashtë herë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara mbesin të angazhuara për të punuar me Kombet e Bashkuara dhe me aktorët tjerë ndërkombëtarë që të dërgojnë ndihmë humanitare për njerëzit e Gazës, në partneritet me Autoritetin Palestinez, siç wshtw shprehur, “në atë mënyrë që nuk mundësohet armatosja e Hamasit”.

Ai tha gjithashtu se SHBA është e përkushtuar për të ndihmuar Izraelin të rimbushë sistemin e mbrojtjes raketore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri të ditur se gjatë ditëve në vijim ai do të udhëtojë në rajon për të takuar ministrin e Jashtëm izraelit, ministrin e jashtëm palestinez dhe udhëheqës të tjerë.

(r.m.)

Comment

*