Biden e Putin do të zhvillojnë sot një bisedë telefonike për Ukrainën

Uashington, 30 dhjetor 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të zhvillojë një bisedë telefonike të enjten me homologun e tij rus, VladimirPutin, tha të mërkurën një zyrtar i lartë i administrates. Ai tha se presidenti  amerikan do të kërkojë një zgjidhje diplomatike për përshkallëzimin e tensioneve përgjatë kufirit të Rusisë me Ukrainën.

“Ne jemi të përgatitur për diplomaci dhe për një rrugë diplomatike përpara”, u tha zyrtari gazetarëve të mërkurën. “Por ne jemi gjithashtu të përgatitur të përgjigjemi nëse Rusia vendos të avancojë me një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës”, tha zyrtari.

Biseda telofonike, e kërkuar nga presidenti rus Vladimir Putin, vjen përpara bisedimeve të shumëpritura të nivelit të lartë në Gjenevë më 10 janar. Asnjëri nga presidentët nuk pritet të marrë pjesë në ato bisedime, tha zyrtari.

Kjo do të jetë biseda e dytë brenda këtij muaji mes dy udhëheqësve, të cilët gjithashtu biseduan në fillim të dhjetorit për grumbullimin e rreth 70,000 trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën, sipas vlerësimeve të shërbimeve të zbulimit të bazuara nga imazhet satelitore. Por analistët e inteligjencës amerikane parashikojnë se presidenti rus planifikon të grumbullojë deri në 175,000 trupa.

Shtetet e Bashkuara në mënyrë të përsëritur e kanë siguruar Ukrainën për mbështetjen e tyre dhe kanë ofruar dhjetëra miliona dollarë ndihmë për sigurinë. Të mërkurën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Në një deklaratë, zoti Blinken tha se ai “përsëriti mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë dislokimit ushtarak të Rusisë në kufijtë e Ukrainës”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë vazhdimisht se do të ketë “pasoja të mëdha” nëse Rusia e pushton Ukrainën, që do të përfshinin sanksione të ashpra ekonomike dhe rritje të mbështetjes për Ukrainën në fushën e sigurisë.

Të mërkurën, Presidenti Zelenskiy shkroi në Twitter: “Më siguruan për mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën në përballjen me agresionin rus”.

Sekretari Blinken foli gjithashtu me ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë për “koordinimin për të penguar çdo agresion të mëtejshëm rus kundër Ukrainës”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ministrat e jashtëm perëndimorë “pohuan konsensusin midis aleatëve dhe partnerëve për sanksione të ashpra që t’i shkaktojnë pasoja masive dhe kosto të rëndë Rusisë për veprime të tilla”, tha zëdhënësi Price përmes një deklarate.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov konfirmoi thirrjen telefonike të planifikuar për të enjten, duke shtuar se ajo do të bëhej në mbrëmje, sipas orës në Rusi. Të mërkurën, kryeministri rus Mikhail Mishustin bisedoi me udhëheqësit e shteteve fqinje të Armenisë, Azerbajxhanit dhe Bjellorusisë.

Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara po mbështeten tek aleancat në rajon për të arritur një zgjidhje diplomatike.

“Ne jemi të bashkuar si një aleancë për pasojat me të cilat do të përballet Rusia nëse sulmon Ukrainën”, tha zëdhënësi, i cili kërkoi të mos identifikohej për komentet në lidhje me politikën aktuale të Shteteve të Bashkuara.

“Por ne jemi gjithashtu të bashkuar në gatishmërinë tonë për t’u angazhuar në diplomaci parimore me Rusinë. Ne do t’i përmbahemi parimit për të mos negociuar asgjë për aleatët dhe partnerët tanë, pa qënë ata të pranishëm, dhe kjo përfshin Ukrainën”, tha ai.

Zyrtarët e administratës kanë refuzuar t’i përgjigjen publikisht kërkesave të Moskës, të cilat përfshijnë edhe kërkesën që NATO të mos lejojë anëtarësimin e Ukrainës dhe që aleanca e sigurisë të reduktojë praninë e saj në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Të mërkurën, zyrtari i lartë i administratës tha: “Pikëpamja jonë është se ne mund të bëjmë më shumë përparim në tryezën e negociatave, duke u ulur përballë njëri-tjetrit pas dyerve të mbyllura dhe në konsultim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë. Pra, ne nuk kemi ndonjë plan aktual për të publikuar një dokument apo një projekt-marrëveshje siç ka bërë pala ruse.”

Ndërkohë, disa analistë thonë se dyshojnë se lëvizjet e zotit Putin në fakt do të kulmojnë në një pushtim. Profesori i Universitetit Kombëtar të Kievit, Taras Kuzio, është një nga disa analistë që beson se një pushtim aktual do të ishte i kushtueshëm, i gjatë dhe i përgjakshëm, dhe për këtë arsye, nuk ka gjasa të ndodhë.

“Nëse Putini përpiqet të shtypë Ukrainën me forcë dërrmuese ushtarake, ai mund të humbasë mbështetjen në vendin e tij përgjithmonë, duke ndezur gjithashtu trazira antiqeveritare brenda Rusisë, që do të mund të kërcënonin mbijetesën e regjimit të tij”, thuhet në një shkrim të tij në faqen e internetit të Këshillit Atlantik.

“Për një njeri që tashmë ka jetuar në periudhën e rënies së një perandorie (rënien e Bashkimit Sovjetik), ky mund të jetë një rrezik që ai nuk është i përgatitur ta ndërmarrë”, shtoi ai.

(Zëri i Amerikës)