Biden e Xi biseduan për marrëdhëniet SHBA-Kinë, Tajvanin dhe Hong Kongun

Uashington, 16 nëntor 2021 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden i ka thënë homologut të tij kinez, Xi Jinping, se SHBA-ja është kundër “përpjekjeve të njëanshme” për të ndryshuar status quo-në ose për të dëmtuar paqen në gjithë Tajvanin.

Vërejtjet u bënë në samitin e parë virtual të dy liderëve.

Ata diskutuan gjithashtu edhe për çështje tjera siç janë veprimet e Kinës në Ksinjiang dhe Hong Kong. Samiti vlerësohet të jetë më i rëndësishmi që kur Biden mori detyrën, në janar të 2021.

Presidenti i Kinës ndërkaq i ka tërhequr vërejtjen presidentit Biden se mbështetja e SHBA-së për pavarësinë e Tajvanit është “si të luash me zjarrin”.

“Dhe ata që luajnë me zjarrin do të digjen”, citohet t’i ketë thënë presidenti kinez homologut të tij amerikan, raportojnë mediat kineze, sipas Reuters.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden “theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj politikës “Një Kinë”.

“Ai kundërshton fuqimisht përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit”, tha Shtëpia e Bardhë.

Politika “Një Kinë” është një bazë e marrëdhënieve të Kinës me SHBA-në.

Sipas kësaj, SHBA-ja e njeh dhe ka lidhje formale me Kinën dhe jo me ishullin e Tajvanit.

Në vitet e fundit Pekini ka intensifikuar përpjekjet për ta izoluar Tajvanin në skenën ndërkombëtare.

Aeroplanët ushtarakë kinezë disa herë gjatë muajve të fundit kanë hyrë në zonën mbrojtëse ajrore të ishullit.

Megjithatë, SHBA-ja është e detyruar të zbatojë një ligj të saj të quajtur Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin, sipas të cilit Uashingtoni duhet të ndihmojë Tajvanin të mbrohet në rast të një sulmi.

Biden ka thënë muajin e kaluar se SHBA-ja do të mbronte Tajvanin nëse Kina do të sulmonte ishullin.

Gjatë bisedës, të dy liderët kërkuan që të stabilizohen lidhjet e tensionuara dhe të gjejnë mënyra për të shmangur konfliktin.

Shtëpia e Bardhë tha pas takimit se ata “diskutuan fushat në të cilat përputhen interesat, vlerat dhe perspektivat tona ndryshojnë”.

Media shtetërore kineze tha se presidenti kinez i tha homologut të tij se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të respektojnë njëra-tjetrën, të rrisin komunikimin dhe bashkëpunimin në çështjet e tyre të brendshme duke marrë pjesën e tyre të drejtë të përgjegjësive ndërkombëtare.

Biden gjatë bisedës ka ngritur edhe çështjen e shkeljes së të drejtave të ujgurëve në Kinën veriperëndimore, cenimin e lirive demokratike në Hong Kong, Tibet dhe çështje të tjera të të drejtave të njeriut, tha Shtëpia e Bardhë.

Udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha të botës diskutuan gjithashtu për tregtinë dhe ekonominë, si dhe ndryshimet klimatike dhe çështjet e përballjes me pandeminë e COVID-19.

Në fillim të samitit, gazetarët u lejuan të regjistronin fjalët hyrëse para se krerët e shteteve të flisnin privatisht për gati 3 orë e gjysmë.

“Mezi pres një diskutim të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë”, i tha Biden presidentit kinez.

“Ne gjithmonë kemi komunikuar me njëri-tjetrin shumë sinqerisht dhe kurrë nuk largohemi duke pyetur veten se çfarë po mendon tjetri”, tha Biden.

“Duket se është përgjegjësia jonë si udhëheqës të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është të sigurojmë që konkurrenca midis vendeve tona të mos kalojë në konflikt, qoftë e qëllimshme apo e paqëllimshme”, shtoi presidenti Biden.

This image has an empty alt attribute; its file name is Joe-Biden_gjate-takimitvirtual-me-Xi-Jiping.jpg

Ndërsa Xi Jinping i tha Bidenit se të dyja palët duhet të përmirësojnë komunikimin dhe bashkëpunimin për të zgjidhur sfidat e shumta të përbashkëta me të cilat përballen.

“Jam gati të punoj me ju, zoti President, për të arritur dakordim, për të ndërmarrë hapa aktivë dhe për të lëvizur marrdhëniet Kinë-SHBA në drejtim pozitiv”, tha Xi, i cili e quajti Bidenin “mikun e tij të vjetër”.

(REL)

Comment

*