Biden i propozon Putinit takim të nivelit të lartë

Uashington, 14 prill 2021 – Presidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje të martën Presidentit rus Vladimir Putin për të ulur tensionet e shkaktuara nga një grumbullim trupash i Rusisë në kufirin me Ukrainën dhe propozoi një takim të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve.

Në shenjë shqetësimi rreth tensioneve të shtuara në krizën e Ukrainës, Presidenti Biden i telefonoi Presidentit Putin për të propozuar që ata të takohen në një vend të tretë, ndërsa nënvizoi angazhimin e SHBA ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Presidenti Biden gjithashtu e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë në përgjigje të veprimeve të Rusisë, të tilla si ndërhyrjet kibernetike dhe ato në zgjedhje,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Presidenti shprehu shqetësimet tona në lidhje me grumbullimin e papritur të forcave ruse në Krimenë e pushtuar dhe në kufijtë e Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet,” thuhet në deklaratë.

Zoti Biden riafirmoi gjithashtu synimin për të ndërtuar “një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Rusinë dhe tha se një takim në muajt e ardhshëm mund të trajtojë “gamën e plotë të çështjeve” me të cilat përballen dy fuqitë botërore, sipas deklaratës.

Kremlini tha nga ana e tij se zoti Biden i deklaroi zotit Putinit se ai donte të normalizonte marrëdhëniet dhe të bashkëpunonte për kontrollin e armëve, programin bërthamor të Iranit, Afganistanin dhe ndryshimin e klimës. Kremlini konfirmoi se Presidenti Biden kishte propozuar një takim të nivelit të lartë, por nuk tha se cila ishte përgjigja e udhëheqësit rus.

(Zëri i Amerikës)