Biden në Tokyo: Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë Tajvanin, nëse sulmohet nga Kina

Tokyo, 23 maj 2022 – Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme të ndërhynin për të mbrojtur Tajvanin, nëse Kina do ta sulmonte atë.

Në një konferencë me gazetarë në Tokio, presidenti Biden u pyet nëse Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të “përfshiheshin ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin”, duke pasur parasysh se Uashingtoni nuk qe i gatshëm ta bëjë këtë pas agresionit rus në Ukrainë.

“Po. Ky është zotimi që kemi bërë”, tha presidenti Biden, pa shpjeguar se çfarë do të përfshinte një mbrojtje hipotetike e SHBA-së për Tajvanin.

Kjo është ‘lëvizja e fundit’ e dukshme e presidentit Biden nga qasja e “paqartësisë strategjike” që presidentët amerikanë kanë përqafuar prej kohësh kur flitej për një pushtim të mundshëm kinez të Tajvanit.

Ministria e jashtme e Kinës u kundërpërgjigj shpejt, duke thënë se Pekini nuk ka vend për kompromis apo lëshime për çështjet që lidhen me sovranitetin e tij.

Presidenti Biden bëri komente të ngjashme në muajin tetor. Në të dyja rastet, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u përpoqën shpejt të sqaronin komentet e tij.

“Siç tha presidenti, politika jonë nuk ka ndryshuar. Ai përsëriti politikën tonë ‘një Kinë e vetme’ dhe përkushtimin tonë për paqen dhe qëndrueshmërinë përgjatë ngushticës së Tajvanit”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë më vonë të hënën.

Sidoqoftë, zyrtari amerikan nuk u tërhoq nga komentet e presidentit Biden për të mbrojtur Tajvanin.

Kina, një shtet autoritar njëpartiak, e sheh Tajvanin demokratik si një provincë të shkëputur dhe është zotuar prej kohësh ta rimarrë atë, me forcë nëse është e nevojshme. Vitet e fundit, Pekini ka zhvilluar një numër fluturimesh në rritje të avionëve ushtarakë pranë ishullit.

Në Tokio, presidenti Biden tha se Kina “po flirton me rrezikun”, por nuk pret ajo të përdorë forcën për të tentuar të marrë Tajvanin, veçanërisht nëse bota i kundërvihet pushtimit rus të Ukrainës.

“Shumë varet nga ajo se sa fort bota e bën të qartë që ky lloj veprimi do të çojë në mosmiratim afatgjatë”, tha presidenti Biden.

Kryeministri japonez Fumio Kishida, i cili foli së bashku me presidentin Biden, dha një përgjigje më pak të drejtpërdrejtë në pyetjen nëse Japonia do të ndërhynte ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin.

Megjithatë, kryeministri Kishida tha, se “përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në me forcë, si në Ukrainë, nuk duhet të tolerohen kurrë në Indo-Paqësor”.

Kryeministri Kishida tha se ai dhe presidenti Biden, nënvizuan rëndësinë e paqes dhe qëndrueshmërisë në ngushticën e Tajvanit.

Japonia ka qenë një nga kritikët më të hapur në botë të agresionit rus në Ukrainë. Presidenti Biden dhe kryeministri Kishida e dënuan atë agresion në komentet e tyre publike të hënën.

“Kjo nuk është një çështje evropiane. Kjo ka ndikime globale, përfshirë edhe çështjet e sigurisë së Azisë Lindore dhe Indo-Paqësorit”, tha për Zërin e Amerikës Noriyuki Shikata, Sekretari Çështjet Publike të Japonisë në kabinetin qeveritar.

Gjatë takimit, kryeministri Kishida tha gjithashtu se presidenti Biden mbështeti përpjekjet e fundit të Japonisë për të “përforcuar në mënyrë thelbësore aftësinë mbrojtëse të saj”.

Presidenti Biden është në mes të një vizite treditëshe në Japoni, pas një ndalese në Korenë e Jugut.

Në një ngjarje në Tokio të hënën, presidenti Biden shpalosi nismën e “Kornizës Ekonomike Indo-Paqësore”, ose IPEF, që synon të dëshmojë angazhimin ekonomik të Shteteve të Bashkuara në Azi.

(Zëri i Amerikës)