Biden njofton për krijimin e partneritetit global për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës

Berlin, 26 qershor 2022 – Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të dielën në Gjermani fillimin e një partneriteti global mbi infrastrukturën që synon t’i kundërvihet ndikimit të Kinës në vendet e botës në zhvillim.

Shtetet e Bashkuara synojnë të mobilizojnë rreth 200 miliardë dollarë, në fonde private dhe publike, gjatë pesë viteve të ardhshme, për të financuar infrastrukturën e nevojshme në vendet në zhvillim, nën një iniciativë të Grupit të Shtatëshes (G7) që synon të sfidojë projektin triliona dollarësh të Kinës “Një brez, një rrugë”.

Të gjitha vendet e G7-ës do të mbledhin së bashku 600 miliardë dollarë, në kuadër të atij që Presidenti Biden e quajti Partneriteti për Infrastrukturën dhe Investimet Globale, një partneritet i orientuar nga vlerat, me standarde të larta e transparente, me synimin për të përmbushur nevojat e mëdha të infrastrukturës të vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, pa i bllokuar ato në ciklet e borxheve. Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhej se ky është vetëm fillimi i angazhimit perëndimor në këtë drejtim.

Biden thirrje G7-ës: Duhet të qëndrojmë të bashkuar

Më herët Presidenti Joe Biden vlerësoi aleancën globale që po përballet me Rusinë lidhur me luftën e saj në Ukrainë.

Zoti Biden bëri thirrje që koalicioni “të qëndrojë i bashkuar”. Ai tha se Presidenti rus Vladimir Putin mendonte “se mund të na fuste në konflikt me njëri-tjetrin, duke dëmtuar vendosmërinë tonë”. Presidenti amerikan tha se koalicioni nuk është ndarë dhe nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Komentet zoti Biden i bëri gjatë një takimi me Kancelarin gjerman Olaf Scholz përpara se udhëheqësit e Grupit të Shtatëshes (G7), ekonomitë kryesore të botës, të nisnin takimin e tyre vjetor sot në Gjermani.

Presidenti Biden dhe homologët po takohen për të diskutuar mbi çështje të energjisë, përballjen me inflacionin, duke synuar të parandalojnë, që pasojat e luftës të dëmtojnë koalicionit global që punon për të ndëshkuar Moskën.

Presidenti Biden njoftoi gjithashtu se vendet e G-7-s do të ndalojnë importet e arit rus. Ari është një nga eksportet kryesore të Moskës. Me këtë masë udhëheqësit perëndimore shpresojnë ta izolojë më tej ekonomikisht Rusinë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

(Zëri i Amerikës)