Biden publikon planin e dhurimit të vaksinave, përfituese edhe Kosova

Uashington, 3 qershor 2021 – Shtete e Bashkuara do të dhurojnë 75 për qind të dozave të vaksinave kundër koronavirusit.

Sipas njoftimit të Shtëpisë e Bardhë, këto vaksina do të dhurohen nëpërmjet programit COVAX, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.

Fillimisht SHBA do të dhurojë 25 milionë doza vaksinash, ndërsa planifikohet që deri në fund të muajit qershor të shpërndahen 80 milionë doza në mbarë botën. Vetëm 25 për qind e dozave të vaksinave do të mbahen reserve, për raste emergjente në SHBA.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të vepruar me të njëjtën urgjencë, siç kemi demostruar në shtëpinë tonë, në përpjekjet ndërkombëtare për vaksinim”, tha presidenti Biden, në një deklartë për publikun.

Shtëpia e Bardhë bëri tëditur se nga 25 milionë dozat e para të vaksinave që do të dhurohen, 19 milionë do të shkojnë për programin COVAX. 6 milionë dozat e mbetura do të shpërndahen direkt nga Shtëpia e Bardhë për aleatët dhe partnerët e SHBA. Në këtë listë përfshihet dhe Kosova.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se rreth 6 milionë vaksina do t’u dhurohen: Meksikës, Kanadasë, Republikës së Koresë, Bregut Perëndimor dhe Gazas, Ukrainës, Kosovës, Haitit, Gjeorgjisë, Egjiptit, Jordanisë, Irakut dhe Jemenit si edhe punonjësve të Kombeve të Bashkuara.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka publikuar njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, duke e cilësuar këtë si lajm të mirëpritur për Kosovën.

“Lajm i mirëpritur: Kosova do të marrë vaksina direkt nga SH.B.A., përveç dhurimeve përmes COVAX. # Fuqishëm së bashku”, shkruan ambasada amerikane në Twitter.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në Twitter, ka shprehur mirënjohje të thellë për këtë akt bujar të Presidentit Biden. Ajo ka thënë se ky është një shembull tjetër i mbështetjes së SHBA-së për Kosovën.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin e Shteteve të Bashkuara për dhurimin bujar të vaksinave kundër COVID-19 për Kosovën. Njoftimi i sotëm është edhe një shembull tjetër i mbështetjes së palëkundur që vendi ynë ka gëzuar historikisht nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti Biden ka qenë gjithmonë një mik i Kosovës dhe ky dhurim ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon t’i tregojë popullit tonë. Në emër të qytetarëve të Kosovës, faleminderit! Ne vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur në orientimin Euro-Atlantik”, ka shkruar Presidentja Osmani.

(r.m.)