Biden rendit arritjet në SHBA gjatë 100 ditëve të presidencës së tij

Uashington, 30 prill 2021 – Në ditën e 100 të administratës së tij, Presidenti Biden tha se nuk kishte qenë kurrë më optimist për të ardhmen e Amerikës’

“Shteti është përsëri në veprim. Ne e kemi zgjedhur shpresën mbi frikën, të vërtetën mbi gënjeshtrat, dritën mbi errësirën”,tha ai.

Presidenti Biden foli në një tubim pranë Atlantës, në shtetin Xhorxhia, ku pjesëmarrësit qëndronin në makina. Aktiviteti u organizua nga Komiteti Kombëtar Demokrat.

“Ju po dëshmoni se demokracia ofron zgjidhje për njerëzit”, tha presidenti.

Fjalët e tij u përcollën me entuziazëm të pjesëmarrësve, të shprehur përmes borive të makinave.

Biden iu përgjigj pjesëmarrësve që kërkuan veprim në ndihmë për familjet e imigrantëve pa dokumente, të bllokuara në qendra federale në kufi.

“Po punoj në atë drejtim. Më jepni pak kohë”, tha ai.

Më pas Presidenti tha se ai e kishte mbajtur premtimin për të shpejtuar vaksinimet dhe për t’u dërguar ndihma amerikanëve në nevojë gjatë pandemisë.

Turneu i fitores nga Presidenti Biden u zhvillua më pak se 24 orë pasi ai mbajti fjalimin e tij të parë në një seancë të përbashkët të Kongresit, ku promovoi propozimet e tij për shtimin e vendeve të punës, modernizimin e infrastrukturës, ndihmën për familjet, kujdesin për fëmijët si dhe mbështetje për arsimin që do të kushtonin triliona dollarë.

100 ditët e para të një presidenti amerikan janë bërë një moment i rëndësishëm historik që kur Franklin D. Roosevelt mori detyrën në vitin 1933 gjatë Depresionit të Madh.

(r.m.)