Biden: SHBA mbështet fuqishëm anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Uashington, 19 maj 2022 – Presidenti amerikan Joe Biden takoi në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto dhe Kryeministren suedeze Magdalena Andersson, për bisedime rreth kërkesës së vendeve të tyre për anëtarësim në NATO, mbështetjen për Ukrainën dhe sigurinë evropiane. Në një konferencë pas takimit, zoti Biden tha se ShBA mbështesin fuqishëm anëtarësimin e vendeve nordike në aleancën ushtarake.

“Sot nuk ka dilema. Aleanca e NATO-s është e rëndësishme, është e efektshme dhe është më e nevojshme se kurrë. Aleanca është sot më e domosdoshme se më parë dhe do të thoja edhe për të ardhmen. Vendimi i Finlandës dhe Suedisë është dëshmi e këtij përkushtimi. Kjo është për të ardhmen. Është për një NATO të ringjallur që ka mjetet dhe burimet, qartësinë dhe bindjen për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta dhe për të udhëhequr botën”, tha Presidenti Biden.

Kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, erdhën pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti amerikan shtoi se si Finlanda ashtu edhe Suedia plotësojnë të gjitha kushtet e duhura për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake. Presidenti tha se do të dorëzojë sot në Kongres kërkesën e dy vendeve për ratifikim.

Suedia dhe Finlanda janë anëtarë të Bashkimit Evropian. Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se Moska do të përgjigjet nëse NATO shton praninë e saj ushtarake në Finlandë dhe Suedi, menjëherë pasi dy vendet nordike deklaruan të dielën se duan t’i bashkohen aleancës së dominuar nga ShBA.

Dy vendet do të përfitonin nga Neni 5 i aleancës, që parashikon që një sulm ndaj një vendi konsiderohet si sulm ndaj të gjitha vendeve, pasi të jerë anëtarësuar plotësisht.

Disa aleatë të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, kanë dhënë shenja se janë gati të ofrojnë mbështetje sigurie për Finlandën dhe Suedinë nëse Kremlini përpiqet të provokojë ose destabilizojë vendet nordike gjatë kohës së shqyrtimit të anëtarësimit të tyre.

Anëtarësimi në NATO kërkon miratimin konsensual të të gjithë anëtarëve.

(Zëri i Amerikës)