Biden: SHBA qëndron përkrah aleatëve evropianë në ballafaqimin me Rusinë

Uashington, 6 qershor 2021 – Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah aleatëve evropianë në përballjen me Rusinë, zotohet Presidenti Biden në prag të takimit të parë që do të zhvillojë zoti Biden me udhëheqësin rus Vladimir Putin që kur filloi mandatin.

Presidenti Biden niset të mërkurën për në Evropë për takimin e G-7 dhe për mbledhjen e nivelit të lartë të NATO-s, si edhe për takimin me Presidentin rus, Vladimir Putin, i cili do të mbahet më 16 qershor, në Gjenevë.

Ky takim zhvillohet në një periudhë tensionesh të thelluara mes dy vendeve, lidhur me një numër temash që nga ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe akuzat e Uashingtonit se Rusia strehon hakerë të rrezikshëm në tokë të saj.

Në një artikull opinion të publikuar të shtunën në gazetën Washington Post, Presidenti Biden zotohet të mbështesë “aleancat demokratike” në ballafaqimin me një numër krizash dhe me kërcënimet në rritje nga Moska dhe nga Pekini.

“Ne qëndrojmë të bashkuar për të adresuar sfidat ruse ndaj sigurisë evropiane, duke filluar me agresionin rus në Ukrainë. Nuk do të lëmë vend për aspak dyshim se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të mbrojtur vlerat tona demokratike, që nuk mund të shkëputen nga interesat tona,” shkruan presidenti Biden.

“Presidenti Putin e di se nuk do të nguroj t’u përgjigjem akteve keqbërëse në të ardhmen,” vazhdon presidenti.

“Kur të takohemi, do të theksoj përsëri angazhimin e Amerikës, Evropës dhe demokracive të tjera që mendojnë si ne për të drejtat dhe dinjitetin njerëzor,” thuhet në shkrim.

Që kur e mori mandatin, Presidenti Biden e ka shtuar presionin ndaj Kremlinit. Në një rast ai e ka cilësuar presidentin rus edhe “vrasës”, gjë që hasi në reagime të forta në Moskë.

Por, të dy udhëheqësit kanë shprehur shpresën se marrëdhëniet do të përmirësohen. Të premten,  Presidenti Putin tha se pret rezultate pozitive nga bisedimet me homologun e tij amerikan, Biden.

(Zëri i Amerikës)