Biden uron shqiptarët në 100 vjetorin e marrëdhënieve SHBA – Shqipëri

Uashington, 28 korrik 2022 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, uroi sot popullin shqiptar me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Në mesazhin e përcjellë përmes një videoadresimi drejtuar qytetarëve shqiptarë, Presidenti Biden kujtoi se miqësia midis dy vendeve e dy popujve ka zënë fill pas Luftës së Parë Botërore, kur SHBA-të e mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë.

“Kur SHBA-të mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore u krijua një miqësi e përhershme e popujve tanë, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe vlerat e demokracisë të cilat nuk u thyen kurrë edhe kur populli i Shqipërisë i qëndroi dekadave në diktaturë”, tha Presidenti Biden.

Ai tha se SHBA dhe Shqipëria sot janë aleatë dhe partner që punojnë bashkërisht për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë kudo në botë dhe e vlerësoi kontributin e Shqipërisë për mbrojtjen e këtyre vlerave në vendet e përfshira në luftë e në kriza.

Presidenti Biden theksoi se SHBA do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Shqipërisë edhe në të ardhmen.

“SHBA do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Shqipërisë, ndërsa ju çoni përpara punën për të forcuar institucionet demokratike, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar sundimin e ligjit dhe përfunduar rrugëtimin tuaj për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha ai.

“Uroj që dy kombet tona të vazhdojnë të ndërtojnë mbi gjithçka që kemi arritur së bashku dhe të ofrojmë një të ardhme më të ndritshme dhe më shpresëdhënëse për fëmijët tanë”, tha Presidenti Biden në mesazhin e tij për shqiptarët.

Mesazhi i plotë i Presidentit Biden:

“Mbarë popullit shqiptari i dërgoj urimet më të përzemërta për miqësinë jetëgjatë të SHBA-ve, ndërsa festojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona.

Kur SHBA-të mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore u krijua një miqësi e përhershme e popujve tanë, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe vlerat e demokracisë të cilat nuk u thyen kurrë edhe kur populli i Shqipërisë i qëndroi dekadave në diktaturë.

Sot, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuarajanë aleate në NATO dhe partnere që punojnë së bashku për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Europë dhe në mbarë botën, duke përfshirë edhe punën tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shqipëria ka dhënë gjithashtu një kontribut kritik në mbështetjen e nevojave humanitare dhe të sigurisë për popullin ukrainas teksa mbrojnë vendin e tyre kundër luftës brutale të Rusisë.

Dua gjithashtu të falënderoj popullin e Shqipërisë për mikpritjen tuaj në strehimin e mijëra afganëve gjatë vitit të kaluar dhe ndërsa shohim drejt së ardhmes, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Shqipërisë ndërsa ju çoni përpara punën për të forcuar institucionet demokratike, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të përfunduar rrugëtimin tuaj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Uroj që dy kombet tona të vazhdojnë të ndërtojnë mbi gjithçka që kemi arritur së bashku dhe të ofrojmë një të ardhme më të ndritshme dhe më shpresëdhënëse për fëmijët tanë.

https://www.facebook.com/usembassytirana/videos/1206158426847729

(r.m.)