Bill dhe Melinda Gates paraqesin kërkesë për divorc

Uashington, 4 maj 2021 – Bamirësit miliarderë Bill dhe Melinda Gates, bashkëthemelues të një prej fondacioneve më të mëdha private në botë, paraqitën të hënën dokumentet për divorc, por u zotuan se do ta vazhdojnë punën filantropike së bashku.

Fondacioni Bill & Melinda Gates është bërë një nga forcat më të fuqishme dhe me ndikim në shëndetin publik global, me më shumë se 50 miliardë dollarë të shpenzuara gjatë dy dekadave të fundit për të luftuar varfërinë dhe sëmundjet.

Zoti Gates ka mbështetur programe të vlerësuara gjerësisht për malarjen dhe çrrënjosjen e poliomelitit, ushqimin e fëmijëve dhe vaksinat. Fondacioni vitin e kaluar angazhoi rreth 1.75 miliardë dollarë për të luftuar COVID-in.

Në kërkesën e përbashkët për zgjidhjen e martesës, çifti shkruante se bashkimi i tyre ligjor ishte “prishur në mënyrë të pakthyeshme”, por se ata kishin arritur një marrëveshje se si do ta ndanin pasurinë martesore. Asnjë hollësi e marrëveshjes nuk u bë e ditur gjatë paraqitjes së saj në Gjykatën e Shkallës së Lartë në King County të qytetit Siatëll.

Bill Gates, 65 vjeç, i cili bashkë-themeloi kompaninë Microsoft Corp dhe bashkëshortja, Melinda, 56-vjeçare, u njohën pasi ajo filloi të punonte në gjigantin programeve kompjuterike si menaxhere produktesh. Ata u martuan në janar 1994 në Hauai.

“Pasi e peshuam gjatë dhe punam shumë për ta ruajtur marrëdhënien tonë, kemi marrë vendimin për t’i dhënë fund martesës,” thanë të dy në një deklaratë të përbashkët të postuar në secilën prej llogarive të tyre në Twitter.

Bill dhe Melinda Gates kanë 3 fëmijë dhe më i vogli prej tyre është mbi 18 vjeç.

I themeluar në vitin 2000, Fondacioni jofitimprurës Bill & Melinda Gates renditet si fondacioni më i madh privat filantropik në Shtetet e Bashkuara dhe një nga më të mëdhenjtë në botë, me një pasuri neto prej 43.3 miliardë dollarësh në fund të vitit 2019, sipas të dhënave më të fundit financiare.

Nga viti 1994 deri në 2018, çifti i dhuroi më shumë se 36 miliardë dollarë fondacionit me bazë në Siatëll.

Vitin e kaluar, investitori Warren Buffett njoftoi se dhuroi më shumë se 2 miliardë dollarë aksione nga kompania Berkshire Hathaway Inc për Fondacionin Gates. Kjo ishte pjesë e planeve të njoftuara më parë nga zoti Buffet për ta dhuruar të gjithë pasurinë e tij para vdekjes.

Bill Gates renditet i katërti në listën Forbes të individëve më të pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar në 124 miliardë dollarë.

Në një deklaratë të veçantë, Fondacioni Gates tha se çifti do të mbetej si bashkëkryesues dhe administrues i kësaj organizate bamirëse.

(Zëri i Amerikës)