Bizneset në Maqedoninë e Veriut janë kundër rritjes së pagës minimale

Shkup, 26 tetor 2021 – Punëdhënësit në Maqedoninë e Veriut thonë se është e pamundur të ketë rritje të pagave në këtë kohë kur pjesa më e madhe e bizneseve luftojnë për të mbijetuar, duke nënvizuar se është e pakuptimtë që në fushatën e zgjedhjeve lokale të jepen premtime që i takojnë pushtetit qendror.

Këto reagime vijnë pas premtimit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, se nga 1 janari i vitit 2022 paga minimale do të rritet nga 15 mijë denar (250 euro) në 18 mijë denar (300 euro). Ai këto deklarata i bëri gjatë një takimi me qytetarët në kuadër të fushatës zgjedhore.

Ai e ka arsyetuar rritjen e pagës minimale me rimëkëmbjen e ekonomisë, përkatësisht, siç ka theksuar, “lëvizjen e ekonomisë në binarë të duhur”.

Punëdhënësit: E pamundur rritja e pagës

Afaristi, Angel Dimitrov, pjesë e Organizatës së Punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se paga minimale duhet të rritet në bazë të ligjit dhe parametrave ekonomikë dhe jo përmes vendimeve politike.

“Rritja eventuale e pagës minimale në 18 mijë denarë, jo vetëm për shkak të rritjes së kostos do të çoj në uljen e numrit të vendeve të punës, por gjithashtu do të demotivoj punëtorët më të mirë të cilët do të marrin pagë të njëjtë me ata që kontribuojnë më pak në kompanitë e caktuara”, tha ai, duke shtuar se rritja e pagës minimale në këto rrethana në të cilat ndodhet ekonomia e vendit do të ketë më shumë pasoja negative sesa pozitive.

“Megjithëse duhet pranuar se paga minimale mund të rritet nëse kështu vendos Qeveria dhe Parlamenti, por në këtë rast, e përsëris, kjo rritje do të ishte politike”, thotë Dimevski.

Rritja e pagës minimale bazohet në produktivitet

Ndërkaq, Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë për REL-in se nuk është reale të pritet rritje e pagës minimale në momentin kur kemi rritje të shkallës së inflacionit dhe veçanërisht në kushte kur kompanitë janë të detyruara të kërkojnë kredi shtesë për të shlyer borxhet.

“Ne jemi Oda Ekonomike e vetme që kemi kërkuar rritjen e pagës minimale, mirëpo gjithmonë kemi theksuar se ajo duhet të jetë në përputhje me produktivitetin e punonjësve”, thotë ai.

Sipas tij, nuk mund të intervenohet në mënyrë të vazhdueshme te punëdhënësit që të rrisin pagat dhe nga ana tjetër askush të mos kërkojë përgjegjësi sa i takon produktivitetit të punëtorëve.

“Çka mund të bëjë Qeveria në këtë drejtim?. Ajo duhet të përkrahë programe të ndryshme për ngritjen profesionale të punëtorëve. Të njoh harxhimet e kompanive për ngritjen e kapaciteteve. Kjo mund të rrit produktivitin dhe me këtë paralelisht edhe rritjen e pagave”, thotë Iseni.

Por, nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut thonë se më shumë se 10 muaj kanë kërkuar që paga minimale të jetë të paktën 60 për qind nga paga mesatare në vend.

Aktualisht paga minimale në Maqedoninë e Veriut është 15 mijë e denarë, që përbën 53 për qind të pagës mesatare e cila në bazë të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave gjatë muajit shtator ka arritur vlerën prej 28 mijë e 642 denarë.

Në Maqedoninë e Veriut mbi 70 mijë qytetarë marrin pagë minimale përkatësisht mbi 10 për qind e të punësuarve në Maqedoninë e Veriut.

Nga Lidhja e Sindikatave kanë bërë të ditur se paga minimale duhet të harmonizohet në bazë të tri parametrave dhe atë: një të tretës së rritjes së pagës mesatare të paguar, një të tretës së rritjes së indeksit së harxhimeve të jetesës dhe një të tretës së rritjes reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin paraprak, sipas të dhënave të Entit të Statistikës.

Darko Dimovski, kryetar i Lidhjes së Sindikatave thotë se pagat minimale që marrin punonjësit në shumë kompani duhet të pësojë rritje për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

“Paga minimale duhet të rritet pasi siç e shihni janë rritur çmimet e shumë produkteve në dyqanet me pakicë, është rritur dhe kostoja e shërbimeve”, thotë ai.

Banka Botërore së fundmi ka dalë me parashikim të zhvillimit ekonomik në vlerë prej 4.6 për qind kundrejt parashikimeve në pranverë për një zhvillim prej 3.6 për qind në atë kohë.

Megjithatë nga Banka Botërore thonë se realizimi i parashikimeve do të varet nga dinamika e vaksinimit nga e cila kryekëput varet dhe edhe hapja e ekonomisë nga ngërçet që i ka shkaktuar pandemia e koronovirusit të ri.

Më herët, ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi, në një konferencë për media në kuadër të prezantimit të panit për rritje të përshpejtuar ekonomike ka theksuar se gjatë pesë vjetëve të ardhshme synim i Qeverisë mbetet rritja ekonomike deri në 5 për qind e Bruto Prodhimit Vendor.

(Zërijeta Hajro Jajaga, REL)

Comment

*