Biznesi amerikan me vëmendjen për treg të gjerë shqiptar dhe ballkanik

Intervistë dhënë gazetës “Illyria” – Floreta Luli-Faber, Drejtoreshë Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregëtisë në Shqipëri (“AmCham”-American Chamber of Commerce)

 

Bisedoi Denion Ndrenika

 

-Zonja Luli-Faber, çfarë synonte takimi i Dhomave Amerikane të Tregëtisë të Shqipërisë dhe të Kosovës?

“Takimi i Dhomës Amerikane të Tregëtisë së Shqipërisë dhe i Dhomës Amerikane të Tregëtisë të Kosovës, ishte një takim jo i pari do të thoja mes të dy dhomave, por ishte shumë interesant për nivelin e takimit dhe çështjeve që u diskutuan. Ky ishte një takim në nivelin e bordeve dhe u bë me iniciativën e Dhomës Amerikane të Tregëtisë të Kosovës. Takimi u zhvillua në Shqipëri, duke patur pikësynimin për të parë se çfarë në fakt, mund të bashkëpunojmë më konkretisht midis të dy vendeve.

U ra dakort në disa pika, që nga ato më formale do të thoja, që të kemi të paktën një herë në vit takime të këtij niveli dhe të kësaj natyre, të flasim për atë çfarë bëjnë Dhomat Amerikane të Tregëtisë në secilin vend, por edhe më gjerë. Janë dy dhoma që flasin dhe që përgatisin dokumentacione në shqip dhe në anglisht dhe çfarë mund të shkëmbejnë gjithnjë e më shumë këto dy Dhoma Amerikane të Tregëtisë”.

 

-Besojmë se çështjet ekonomike janë të prekshme në të gjitha vendet, qoftë në Shtetet e Bashkuara, qoftë edhe në vendet më të vogla.

“Ideja ishte që ne mund të flasim për shumë iniciativa të përbashkëta për shërbime që ne i ofrojmë anëtarëve tanë dhe komuniteteve të biznesit në vendet përkatëse; për nisma gjithashtu të përbashkëta që mund t’i shërbejnë njëkohësisht të dy vendeve.

Së pari, është menduar që ne të kemi mundësi të bëjmë ndoshta një formë studimi, i cili nga të dy anët e kufirit të mund të na thotë se kush janë ato pika që e ndihmojnë më shumë bërjen biznes në të dy vendet, apo e zbehin, apo ka problematika në bërjen biznes ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe, pastaj gjithnjë e më shumë të flasim për mundësinë e investimeve të huaja, patjetër me fokus kryesor investimet amerikane, që do të vijnë mundësisht në rajon. Më tej, ne duke filluar ndërmjet këtyre dy vendeve, por edhe goxha më gjerë se kaq (tashmë është folur), pasi kemi filluar të flasim gjithnjë e më shumë për një takim ndërmjet

“AmCham”-eve (Dhomave Amerikane të Tregëtisë), të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, në mënyrë se si mund të facilitojmë (lehtësojmë) ne ardhjen e investitorëve amerikanë apo investitorëve të tjerë të fuqishëm, të cilët këtë rajon e shohin gjithnjë e më shumë si një treg të madh dhe të tërin, duke mos u nisur nga vende që kanë 2 milionë, 3 milionë, 4 milionë banorë, por ta shohin të gjithin si një treg të madh. Flasim për kompani që janë mësuar të punojnë me tregje të mëdhenj, janë mësuar që të punojnë me të tillë mënyrë. Kështu që, përse të mos i sjellim edhe ata në rajon!?

E kemi të qartë që nuk është një investim, pavarësisht se nga cili vend vjen apo se në cilin vend do të bëhet. Problematika nuk është se ku do të vendosen ata. Problematika është që ato të punojnë mundësisht në mënyrë rajonale.

Pra, çfarë mund të facilitojmë (lehtësojmë) ne në këtë proces”.

 

-Në të gjithë bisedimet që zhvilluat me palën nga Kosova dhe në tërësi me çfarë vëreni në tregun e Shqipërisë, a keni përcaktuar pika të veçanta, detaje, të fushës ku do ta shtrini këtë bashkëpunim, aq më shumë që e kërkuat këtë takim bashkarisht?

“Për momentin, folëm vetëm për ato gjëra që përmenda, duke u nisur nga studimi që mendojmë të bëhet së shpejti, të cilat mund “të na japin një dorë” se ku është më mirë që të fokusohemi.

Ka pika të ndryshme, për të cilat mund të flasim. Për shembull; sistemet tatimore, sistemet doganore, çështjet e të drejtave të autorit, çfarë mund të ketë iniciativa të përbashkëta për të anashkaluar sa më shumë problematikat që ndeshim apo çfarë mund të ketë iniciativa të përbashkëta në mënyrë që problematikat të fillojmë t’i luftojmë ndoshta në të njejtën mënyrë apo të përfitojmë nga eksperienca e njeri-tjetrit. Dhe, kjo është një eksperiencë, pra eksperienca e bashkëpunimeve rajonale dhe në mënyrë të veçantë patjetër Shqipëria me Kosovën. Këto janë eksperienca që vijnë shumë Dhoma Amerikane të Tregëtisë. Për shembull, ndërsa ka grupe të dhomave që tashmë ekzistojnë në të gjithë botën, që funksionojnë mbi bazë kontinenti do të thoja (siç kemi ne grupin e Dhomave Amerikane të Tregëtisë në Europë), të gjitha këto dhoma pra, kanë ndryshimet e tyre. Ka dhoma që janë 10-vjeçare, por ka edhe dhoma që janë 110-vjeçare në Europë. Por, bashkëpunimi vjen nëpërmjet grupeve sidomos që janë në kufi me njeri-tjetrin, siç janë grupet e vendeve të Beneluksit (Belgjikë, Holandë, Luksemburg-Belgium-Netherlands-Luxembourg) apo siç janë grupet e Europës së Veriut si për shembull Danimarka, Norvegjia, Suedia dhe ato gjithmonë flasin për problematika që vijnë nga ndërbashkëpunimi nga njeri vend te tjetri, nga njeri kufi te tjetri, sepse janë probleme që edhe për investitorëve të huaj që vijnë në këto vende, në një farë mënyre e kanë atë… Pra, që vijnë në një vend, por shërbejnë edhe në tregun e vendit ngjitur (pranë, kufitar). Prandaj, janë eksperienca që ne duam t’i shfrytëzojmë maksimalisht në mënyrë që edhe t’i përdorim në mënyrën më të mirë të mundshme në këto vende”.

 

-Ju folët për sistem doganor apo për sistemin tatimor në tërësi, mirëpo mos është e nevojshme që gjithçka t’i paraqitet qeverive respektive? Mos ndoshta kuadri ligjor është i mangët apo mos aty-këtu për shkak të rrethanave që janë krijuar në Ballkan për vite me radhë, do të jetë vështirësisht e arritshme?

“Jo, nuk janë. Ne në fakt po diskutojmë se çfarë mund të përfitojmë sa më shumë nga njeri-tjetri. Por, kur ka momente të caktuara, kur shihet e domosdoshme, pra pas studimeve të bëra, pas diskutimeve të bëra me grupet e interesit, kur shihet e domosdoshme që të kërkohen ndryshime ligjore, ne patjetër që për çdo çështje tjetër i drejtohemi qeverive të vendeve. Kështu që, këto janë faza të mëvonshme, për të parë se se cilat në mënyrë të përbashkët do të vendosim si prioritet apo cilën nga këto çështje do të ndjekim.

Por, duket sikur po fokusohemi gjithnjë e më shumë që ndoshta diku nga prilli të kemi mundësi, apo nga muaji maj, që të zhvillojmë një takim rajonal ndërmjet katër vendeve. Ky takim do të bëhet në nivelin e bordeve dhe të stafeve të Dhomave Amerikane, në mënyrë që të diskutojmë të gjithë bashkë në mënyrë më të strukturuar se ku kemi ndër mend të shkojmë dhe çfarë duam të bëjmë. Shpresojmë që ky takim të bëhet me një format që me rotacion do të kalojë nga njeri vend te tjetri dhe secili vend mund të mbajë drejtimin për një vit të caktuar e bashkë me aktivitetin vjetor apo me aktivitete të tjera të ndërmjetme që do të vendosim të bëjmë”.

 

-Në privatizimet strategjike a ka pasur interes biznesi amerikan, përfshi Kosovën?

“Jo nuk kemi biseduar. Mund të jetë potencialisht si pjesë e asaj që mund të bëjmë, por për momentin jo”.

 

 

 

Comment

*