Biznesi amerikan propon ndryshime ligjore në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë “AmCham” takohet me organet tatimore – Përfaqësuesit e Dhomës Amerikane kanë analizuar së bashku me ekpertët e tatimeve problematikën që sjell rimbursimi i vonuar i TVSH-së dhe format që mund t’i jepen për zgjidhje këtij problemi

 

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, David Anderson dhe një përfaqësi e “AmCham”-it përfundoi bisedimet me Drejtorin e Përgjthshëm të Tatimeve, Gazmend Spahija dhe ekspertë të kësaj drejtorie. Takimi, sipas njoftimit të “AmCham”-it që u zhvillua më 15 shkurt, kishte për qëllim t’i prezantonte kësaj strukture dhe vetë Drejtorit, problematika që kanë hasur në punën e tyre me tatimorët anëtarët e Dhomës Amerikane. Për të gjitha shqetësimet e përmendura, Dhoma Amerikane ka propozuar edhe zgjidhjet dhe i ka diskutuar ato me stafin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Takimi kishte gjithashtu si qëllim krijimin e një ure bashkëpunimi mes dy institucioneve, si një formë e ndërsjelltë e ndihmës jo vetëm për të krijuar një klimë të qëndrueshme të të bërit biznes, por dhe për të lehtësuar punën e administratës tatimore në mbledhjen e të ardhurave.
Përfaqësuesit e Dhomës Amerikane kanë analizuar së bashku me ekpertët e tatimeve problematikën që sjell rimbursimi i vonuar i TVSH-së dhe format që mund t’i jepen për zgjidhje këtij problemi. Drejtori i Tatimeve ka dhënë shpjegime për këtë çështje, duke deklaruar se koha e vënë në dispozion në ligj prej 30 ditësh për të bërë vlerësimin tatimor dhe për të filluar procedurën e rimbursimit nuk është e mjaftueshme dhe kërkon ndoshta një ndryshim ligjor për të qenë më efektiv.
Drejtori Spahija premtoi të shikonte mundësinë e zbatimit në praktikë të një prej ideve të prezantuara nga Dhoma Amerikane, për të patur të vendosur një grafik për të gjithë bizneset që do të rimbursohen nga TVSH-ja dhe ky informacion të jetë i disponuesëhm për tatimpaguesit respektiv. Kjo mënyrë tenton të eleminojë rimbursimin selektiv dhe për pasojë thyerjen e konkurrencës në treg.
Pika tjetër e rëndësishme e diskutimit ka qenë edhe çështja e rikontrolleve tatimore dhe e kostos që i shkakton biznesit ky proces. Dhoma ka kërkuar që tatimorët të specifikojnë arsyen se pse po ribëhet kontroll dhe procedura duhet të zgjasë brenda afateve kohore në ligj. Ekspertët e DPT-së prezantuan se rikontrollet ishin pjesë e strategjisë së re tre vjecare 2012-2015 e Drejtorisë së Tatimeve, strategji e cila është përgatitur nën asistencën e FMN-së. Mbështetur në këtë strategji është bërë vlerësimi i riskut nga një industri në tjetrën. Përfaqësuesit e Drejtorisë së Tatimeve prezantuan se gjatë 2012-ës rikontrollet tatimore jane rritur me 5.6 për qind dhe kanë sjellë një rritje prej 21 përqind të të ardhurave nga tatimet në buxhetin e shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve është treguar i gatshëm të takohet në mënyrë frekuente me Drejtuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe të trajtojë problematikat e shfaqura, sidomos ato që kanë të bëjnë me shkeljen e procedurave tatimore. Dhoma mund të gjejë akses të drejtpërdrejtë tek Drejtori i Tatimeve edhe për raste flagrante të shkeljeve nga ana e tatimorëve, të konstatuara nga anëtarët e saj.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private e biznesit e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.

Propozimet e paraqitura:

ÇËSHTJA 1

Rimbursimi i TVSH-së nuk bëhet në përputhje me ligjin në fuqi dhe procesi nuk po zhvillohet mbi parimin e barazisë

Sugjerime/Zgjidhjet që propozohen:

1.Zbatimi i ligjit në fuqi, duke lejuar kompensimin e pagesave të TVSH-së me parapagimet e tatimit mbi fitimin dhe të detyrimeve të tjera tatimore te ardhshme. Me perfundimin e afatit ligjor prej 30 ditesh nga berja e kerkeses per kompensim, taksapaguesit te kene mundesine qe te bejne ata vete kompensimin automatik me detyrimet e tjera te tyre.
2.Zbatimi i legjislacionit mbi TVSH-në të realizohet mbi bazën e parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari”. Kontrollet tatimore për qëllime të rimbursimit të TVSH-së të realizohen në kohë, siç parashikohet në ligjin në fuqi.
3.Vendosja e një grafiku rimbursimi për të gjitha bizneset që do të rimbursohen nga TVSH-ja dhe ky informacion të jetë i disponueshëm për tatimpaguesin.
4.Zbatimi i ligjit për Procedurat Tatimore në lidhje me pagesat e interesave për rimbursim të vonuar ndaj tatimpaguesve. Përdorimi i sistemit elektronik për të llogaritur kamatëvonesat, sipas tatimpaguesve përkatës.
5.Ne propozojmë një alternativë për rimbursimin e TVSH-së bazuar në një rimbursim proporcional, bazuar në vjetërsinë e borxhit sipas regjistrit të rimbursimit të TVSH-së, duke përfshirë kompensimin për pagimin e TVSH-së mbi importimin e mallrave (ose makinerive të tjera dhe pajisjeve të importuara sipas një skeme aplikimi të TVSH-së).

ÇËSHTJA 2

Rikontrollet tatimore janë kthyer në një rutinë dhe praktikë normale të autoriteteve tatimore
Autoritetet tatimore janë duke zbatuar interpretime të reja të ligjeve tatimore, pjesa më e madhe e tyre mbi bazën e udhëzimeve të brendshme të DPT-së, të cilat jane pa efekt normativ dhe janë zbatuar me efekt retroaktiv. Autoritetet tatimore po vendosin gjoba të mëdha për aktivitetin e mbuluar tashmë nga inspektimet e mëparshme. Në të gjitha rastet, tatimpagueseve u kërkohet të shkojnë në gjykatë dhe të zgjidhin çështjen atje, procedurë e cila është e panevojshme, me kosto dhe shpenzim kohe për tatimpaguesit.

Sugjerime/Zgjidhjet që propozohen:

1.Të respektohen dispozitat përkatëse ligjore në lidhje me inspektimet tatimore, kontrollet tatimore, etj.
2.T’u paraqiten tatimpaguesve arsyet për miratimin e ri-kontrolleve tatimore nga DPT-ja siç parashikohet në ligjin ekzistues.
3.Të zbatohen dënimet përkatëse të parashikuara në ligj / ndëshkimet për zyrtarët tatimorë (përfshirë kontrollet tatimore / ri-kontrollet) të cilët nuk veprojnë në përputhje me ligjin.
Përveç dy çështjeve të trajtuara mësipër, “AmCham” do t’i kërkonte DPT-së që të marrë në konsideratë dhe të sigurojë zbatimin edhe të çështjeve që paraqiten më poshtë:

1.Publikimi i të gjitha Vendimeve Teknike të DPT-së dhe interpretimeve mbi baza anonime. Në momentin që janë lëshuar nga institucioni, t’i dërgohen Ministrisë së Financave në mënyrë që struktura në fjalë të marrë në konsideratë vendime të tilla teknike për qëllime të ndryshimeve të akteve normative përkatëse.
2.Pavarësisht asaj që është deklaruar nën çështjen e parashtruar më poshtë, të publikohen udhëzimet e brendshme të DPT-së, ose udhëzime të tilla të shfaqen ne Faqen e Internetit të DPT-së.
3.Publikimi i Vendimeve të Drejtorise së Apelimit Tatimor (DAT), në faqen e internetit të DPT-së menjëherë pasi ato të aprovohen.
4.Shmangia e trajtimit të udhëzimeve të brendshme, etj., sikur të kishin efekte normative; juristët e DPT-së duhet t’i shohin me kujdes udhëzimet e brendshme të DPT-së në këndvështrimin ligjor, për efektin e tyre ligjor ose jo-ligjor.
5.Në veçanti, ekspertiza ligjore duhet të përdoret më shumë nga DAT-ja dhe jo thjesht t’u referohet vetëm ligjeve tatimore, por edhe ligjeve të tjera në kornizën përkatëse ligjore, në mënyrë që të rriten mundësitë për një qasje efektive të tatimpaguesve ndaj organeve tatimore administrative të apelit.
6.Të ofrojë ekspertizë të veçantë ligjore në interes të Avokatit të Tatimpaguesve, në mënyrë që të shmanget çdo konflikt mes pozicionit të avokatit të DPT-së dhe Avokatit të Tatimpaguesve.