Blinken bën thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri

Oslo, 1 qershor 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Blinken ka ftuar qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet e normalizimit të udhëhequra nga Bashkimi Evropian.

“Shumë aleatë shprehin shqetësimin për rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës dhe i dënon fuqishëm sulmet e fundit ndaj KFOR-it, kolegëve tanë italianë dhe hungarezë që u lënduan në atë sulm. Ftojmë Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën dhe të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja”, ka thënë Blinken në konferencë për media të enjten në Oslo të Norvegjisë.

Ai ka thënë se situata aktuale e pengon procesin e integrimit euroatlantik të të dy vendeve.

“Ne e përkrahim procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe Serbisë, por situata aktuale e pengon dhe s’e ndihmon lëvizjen në atë drejtim”, ka thënë ai.

Blinken ka thënë se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq u kanë thënë se janë të shqetësuar me veprimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.

“Ne kemi qenë shumë të qartë në shqetësimet tona për disa nga veprimet e fundit që janë ndërmarrë. Këtë ua kemi thënë drejtpërdrejt liderëve të përfshirë duke përfshirë kryeministrin Kurti”, ka thënë ai.Ai ka thënë se veendet e NATO-s presin që të dy palët të reagojnë në mënyrë të përgjegjshme për tejkalimin e situatës.

(r.m.)