Blinken dhe Xhaçka rikonfirmojnë partneritetin strategjik SHBA-Shqipëri

I mbajtur në Departamentin e Shtetit, ky ishte takimi më i rëndësishëm i marrëdhënies politike mes dy vendeve, përkatësisht dialogu i partneritetit strategjik SHBA-Shqipëri

Knid Ndrenika
New York/New Jersey

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe Sekretari i Shtetit, Entëni Blinken (Anthony Blinken) rikonfirmuan partneritetin strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sekretari Blinken dhe zonja Xhaçka u angazhuan gjithashtu për të vijuar bashkëpunimin me interes të përbashkët në lëmitë e mbrojtjes, sigurisë kibernetike, energjisë, transportit dhe tregëtisë.

Qëndrimet e e zotit Blinken dhe ministres Xhaçka u dhanë në përfundimin e tryezës së dialogut të partneritetit strategjik mes të dy vendeve të zhvilluar në Uashington.

Sekretari i Shtetit Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë kerenare që kanë një aleat të besueshëm si Shqipëria.

Zoti Blinken u citua zyrtarisht nga ministria e Jashtme të ketë vlerësuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me Shqipërinë.

Sipas ministrisë, Sekretari Blinken shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e Uashingtonit për ta thelluar bashkëpunimin në energji, biznes e të tjera duke e parë Shqipërinë si një pikë referimi në rajon.

Sekretari Blinken shprehu mirënjohjen e SHBA ndaj Shqipërisë si një aleat që gjithmonë ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj; vlerësoi faktin që Shqipëria strehoi shtetasit afganë dhe nënvizoi se SHBA do të jenë gjithmonë në krah të Shqipërisë, tha ministria e Jashtme.

Ndërkaq, zonja Xhaçka falenderoi sekretarin Blinken dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen dhe bashkëpunimin në mbrojtjen e demokracisë, situatës në Ukrainë, mbrojtjes kibernetike modernizimit të Forcave të Armatosura apo projekteve në zhvillimin në fushën e energjisë.

“Shqipëria e vlerëson shumë partneritetin e saj strategjik me SHBA-të dhe jemi të bindur se kjo marrëdhënie do të thellohet dhe zgjerohet më tej në të ardhmen duke u bazuar në themelet e qëndrueshme të miqësisë midis vendeve dhe njerëzve tanë”,- tha ministrja Xhaçka në takimin e dlegecaioneve të të dy palëve.

I mbajtur në Departamentin e Shtetit, ky ishte takimi më i rëndësishëm i marrëdhënies politike mes dy vendeve, përkatësisht dialogu i partneritetit strategjik SHBA-Shqipëri.

Në dialog morën pjesë përfaqësues nga 6 ministri si dhe nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtes, ai i Tregëtisë, Koorporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare ku u diskutuan rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik.