Blinken e takon Kulebën në kufirin Poloni – Ukrainë, premton rritjen e mbështetjes amerikane

Uashington, 6 mars 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, u takuan të shtunën në kufirin e Ukrainës me Poloninë të shtunën për të diskutuar përpjekjet perëndimore për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë.

Mes masave të rrepta të sigurisë, zoti Blinken dhe zoti Kuleba mbajtën bisedime në një tendë në kufirin nga vazhdonin të vinin refugjatët, kryesisht gra dhe fëmijë.

“E gjithë bota qëndron në krah të Ukrainës, ashtu siç po qëndroj këtu në Ukrainë me mikun tim, kolegun tim,” tha zoti Blinken.

“Shpresoj që populli i Ukrainës të jetë në gjendje ta shohë këtë si një manifestim të qartë se ne kemi miq që na qëndrojnë në krah”, tha zoti Kuleba.

Dy kryediplomatët diskutuan lidhur me paisjen e Ukrainës me armë dhe fushatën për të izoluar Rusinë në shkallë ndërkombëtare, si edhe për të dëmtuar ekonominë e saj me sanksione, tha zoti Kuleba.

Ukraina do ta fitojë luftën e saj me Rusinë përfundimisht, tha ai, por mbështetësit e saj ndërkombëtarë duhet të ofrojnë më shumë ndihmë për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt.

Ukraina ka nevojë veçanërisht për avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, tha ministri i jashtëm ukrainas, duke shtuar se armët anti-ajrore Stinger të ofruara nga vendet perëndimore po ndihmonin. Ai tha se forcat ukrainase i rrëzuan tre avionë rusë të shtunën.

“Nëse vazhdojnë të na ofrojnë armët e nevojshme, çmimi do të jetë më i ulët. Kjo do të shpëtojë shumë jetë”, tha zoti Kuleba.

Ai tha se në bisedimet me Rusinë për një armëpushim që u mbajtën në kufirin e Ukrainës me Bjellorusinë nuk ka pasur përparim, por ka theksuar se pala ukrainase do të vazhdojë bisedimet.

Raundi i tretë i bisedimeve është planifikuar tëzhvillohet të hënën.

(Zëri i Amerikës)