Blinken: Marrëveshja me Serbinë, bazuar në njohjen e ndërsjellë, thelbësore për Kosovën

Prishtinë, 8 prill 2021 – Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar letër urimi Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet së cilës i ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike, të mbajtura më 14 shkurt.

Z. Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin të bashkëpunim të ngushtë për të siguruar, siç është shprehur, “një Kosovë sovrane, të pavarur, multietnike dhe demokratike që do të zërë vendin e saj si një partnere e barabartë në familjen Euro-Atlantike”.

Sekretari Blinken ka thënë se SHBA i ka mirëpritur zotimet e Kurtit për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe për rimëkëmjen nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës për qeveri më transparente dhe për zhvillim ekonomik.

Z. Blinken i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Ai ka ritheksuar se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciptoke.

“Kosova gjithashtu duhet të angazhohet në më nyrë efektive dhe pa vonesë në dialogun me Serbinë që mbështetet nga SHBA dhe zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së. Sigurimi i një marrëveshjeje  gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në njohjen e ndërsjellë, është me rëndësi thelbësore që Kosova të vë gjithë potencialin e saj në shërbim të rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE”, ka theksuar sekretari Blinken.

Ai ka thënë se SHBA do të mbështesin përpjekjet e Qeverisë së re të Kosovës.

Letra e plotë e Sekretarit Blinken për kryeministrin Kurti:

I dashur Z. kryeministër,

Unë i përgëzoj qytetarët e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike, të 14 shkurtit. Ne e mirëpresim formimin e qeverisë së re dhe presim të punojmë  ngushtë me qeverinë tuaj për të siguruar një Kosovë sovrane, të pavarur, multietnike dhe demokratike që do të zërë vendin e saj si një partnere e barabartë në familjen Euro-Atlantike.

Ne i mirëpresim zotimet tuaja për luftimin e korrupsionit, për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe për rimëkëmjen nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës, duke përfshirë dëshirën e tyre për transparencë më të madhe të qeverisjes dhe për mundësi ekonomike.

Kosova gjithashtu duhet të angazhohet në më nyrë efektive dhe pa vonesë në dialogun me Serbinë që mbështetet nga SHBA dhe zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së. Sigurimi i një marrëveshjeje  gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në njohjen e ndërsjellë, është me rëndësi thelbësore që Kosova të vë gjithë potencialin e saj në shërbim të rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE.

Ju do ta keni mbështetjen e plotë të SHBA-së në këto përpjekje.

Sinqerisht,

Antony J. Blinken

(r.m.)

Comment

*