Blinken në Egjipt, përpjekje për të garantuar armëpushimin në Gaza

Kairo, 26 maj 2021 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të mërkurën në Kajro me zyrtarë të lartë të këtij vendi si pjesë e një turi në Lindjen e Mesme që synon mbështetjen e një armëpushimi që i dha fund përplasjeve më të ashpra ndër vite mes Izraelit dhe militantëve palestinezë.

Egjipti, i cili ka marrëdhënie të gjata me të dyja palët në konflikt, luajti një rol kryesor në ndërmjetësimin e armëpushimit në koordinim me Shtetet e Bashkuara.

Gjatë vizitës së tij të shkurtër, zoti Blinken u takua në pallatin presidencial në Kajro me Presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, Ministrin e Jashtëm Sameh Shoukry dhe kreun e zbulimit Abbas Kamel.

Vizita në Egjipt e zotit Blinken vjen pas ndalesave në Jeruzalem dhe Ramallah. Ai pritet të vizitojë edhe Jordaninë. Të martën zoti Blinken u zotua se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë ndihmë të re për rindërtimin e Rripit të Gazës, përfshirë një ndihmë të menjëhershme për raste fatkeqsish prej 5.5 milionë dollarësh si dhe rreth 33 milionë dollarë për agjensinë e OKB-së mbi ndihmën palestineze me seli atje.

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara ka si qëllim të sigurojnë që Hamasi, i cili kontrollon Gazën dhe është shpallur nga Uashingtoni si organizatë terroriste, të mos përfitojë nga ndihma humanitare.

Të mërkurën shefi i Hamasit në Gaza Yehya Al-Sinwar, tha se grup i mirëprit përpjekjet arabe e ndërkombëtare për të rindërtuar enklavën.

“Ne do ta lehtësojmë detyrën për të gjithë dhe do të sigurohemi që procesi të jetë transparent dhe i drejtë, si dhe do të sigurohemi që asnjë qindarkë të mos shkojë për Hamasin ose Qassam-in (krahun e armatosur të Hamasit)”, tha ai në një konferencë për shtyp.

“Ne kemi burime të mjaftueshme parash për Hamas-in dhe Qassam-in. Një pjesë e madhe e tyre vijnë nga Irani dhe një pjesë janë donacione nga arabë, myslimanë e liberalë kudo në botë që janë dashamirës ndaj popullit tonë e të drejtave që ai gëzon”, shtoi ai.

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha para turit rajonal të zotit Blinken se Egjipti, një vend në kufi me Gazën e me kontakte në fushën e sigurisë me Hamasin, ka të ngjarë të luajë një rol në kanalizimin e ndihmave.

Gjatë luftimeve, Egjipti hapi kalimin kufitar në Rafah që ndodhet mes Gazës dhe Gadishullit Sinai, në mënyrë që të siguronte ndihmë mjekësore dhe të evakuonte të plagosurit.

Autoritetet e këtij vendi dislokuan gjithashtu forca sigurie mes Izraelit dhe Gazës për të forcuar armëpushimin pas hyrjes në fuqi të tij të premten e kaluar.

(Zëri i Amerikës)