Blinken: Nuk kemi parë veprime se Rusia po shkon drejt përdorimit të armëve bërthamore

Uashington, 30 shtator 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të premten (30 shtator) se Uashingtoni nuk ka parë deri më sot që Rusia të ketë ndërmarrë ndonjë veprim drejt përdorimit të armëve bërthamore, pavarësisht nga komentet e Presidentit Vladimir Putin për përdorimin e mundshëm të tyre.

“Ne po ndjekim me shumë kujdes atë çka Rusia po bën realisht, nëse po bën diçka që sugjeron se po ndërmerr veprime për përdorimin e armëve bërthamore. Deri më sot, nuk e kemi parë këtë gjë”, tha zoti Blinken në një konferencë shtypi në Uashington.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të premten për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse lidhur me referendumet dhe aneksimin e shpallur të disa pjesëve të Ukrainës.

Të enjeten Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë se përdorimi i armëve bërthamore në Ukrainë do të sillte pasoja të jashtëzakonshme. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, Presidenti rus Vladimir Putin tha javën e kaluar se nëse rrezikohet Rusia, ai është i gatshëm “të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion”, duke iu referuar kështu armëve të shkatërrimit në masë.

Kremlini njoftoi zyrtarisht gjatë një ceremonie të premten aneksimin e katër rajoneve të pushtuara të Ukrainës, pas mbajtjes së referendumeve që Ukraina dhe aleatët i konsideruan të jashtëligjshme dhe për të cilat u zotuan se do të vendosin sanksione të mëtejshme.

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar se do t’i mbrojë territoret e reja “me të gjitha mjetet e disponueshme”, duke i alarmuar kështu zyrtarët në Perëndim.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha këtë javë se nëse Rusia përdor armë bërthamore kundër Ukrainës, pasojat do të ishin të ashpra dhe katastrofike.

“Ua kemi shprehur publikisht dhe privatisht rusëve, se pasojat do të ishin reale, dhe do të ishin të jashtëzakonshme”, tha zoti Price.

Ai u pyet nëse këto pasoja të ashpra do të vlenin edhe nëse Rusia do të përdorte një armë të vogël bërthamore në Ukrainë.

“Përdorimi i armëve bërthamore në këtë konflikt do të shoqërohej nga këto pasoja”, tha zoti Price.

Të enjten, Senatori demokrat Richard Blumenthal dhe Senatori republikan Lindsey Graham paraqitën një projekt-ligj që parashikon ndërprerjen e marrëdhënieve me çdo vend që njeh aneksimin e paligjshëm të katër rajoneve të Ukrainës. Senatori Graham foli edhe për kërcënimet bërthamore të Presidentit rus Putin.

“Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia në Ukrainë do të ishte një sulm ndaj vetë NATO-s. Radiacioni nuk do të kufizohej vetëm brenda Ukrainës. Rrezatimi do të prekte pjesë të Evropës që janë nën flamurin e NATO-s. Pra, nëse ajo ditë vjen, dhe shpresoj dhe lutem që të mos vijë, kjo duhet të konsiderohet nga e gjithë NATO-ja, nga Shtetet e Bashkuara, si një sulm i Rusisë ndaj vetë NATO-s”, tha Senatori Graham.

Michael Kimmage, ekspert për marrëdhëniet SHBA-Rusi në Universitetin Katolik, i tha Zërit të Amerikës se është e pamundur të dihet nëse Presidenti rus Putin po e shqyrton vërtet mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.

“Do të ishte një hap tepër i madh për Rusinë dhe që do të ndryshonte imazhin e saj, ndoshta njëherë e përgjithmonë, në skenën ndërkombëtare. Nuk është e qartë nëse do të mundësojë rezultate ndryshe nga pikëpamja ushtarake. Dhe sigurisht që nga ana tjetër mund të nxisë kundërshtarët e Putinit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të përshkallëzojnë reagimin”, thotë zoti Kimmage.

Ekspertët thonë se mobilizimi ushtarak i shpallur nga Presidenti Putin ka trazuar dhe zemëruar shumë rusë në mbarë vendin, të cilët po përjetojnë tashmë efektet e luftës.

Të paktën 200 mijë rusë janë larguar nga vendi që kur u dha urdhëri për mobilizimin ushtarak, duke kaluar kufirin drejt Kazakistanit, Gjeorgjisë, Finlandës dhe Mongolisë.

(Zëri i Amerikës)