Blinken paralajmëron sanksione të rënda ndaj Rusisë, në rast të agresionit në Ukrainë

Stokholm, 2 dhjetor 2021 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka kërkuar Rusisë që t’i tërheqë trupat e saj të vendosura pranë kufirit me Ukrainën.

Blinken ka kërkuar që Rusia të respektojë marrëveshjet e Minskut, që synojnë t’i japin fund konfliktit në lindje të vendit, duke paralajmëruar “sanksione të rënda” ndaj Rusisë, në rast të agresionit kundër Ukrainës.

Blinken i ka bërë këto deklarata të enjten, në Stokholm, pas takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Blinken përsëriti thirrjen e Shteteve të Bashkuara drejtuar Rusisë që të tërheqë forcat e saj dhe të kthehet në një pozicion paqeje”, ka thënë Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në një deklaratë për media.

“Sekretari e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë janë të përgatitur të imponojnë sanksione të rënda, nëse Moska e zgjedh rrugën e përshkallëzimit ushtara”, ka thënë Price.

Takimi i Blinkenit e Lavrovit u zhvillua një ditë pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga të Letonisë.

Zyrtarë perëndimorë dhe autoritetet në Ukrainë thonë se Rusia ka vendosur mijëra trupa dhe pajisje të rënda ushtarake pranë kufirit me Ukrainën.

Të mërkurën, më 1 dhjetor, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbi10 mijë trupa ruse filluan stërvitjet ushtarake në jugperëndim të vendit, afër kufirit me Ukrainën.

Rusia, e cila i mbështet separatistët që luftojnë kundër Kievit në Ukrainën lindore, mohon se po planifikon një sulm. Moska e fajëson Ukrainën dhe mbështetësit e saj perëndimorë për nxitje të  tensioneve, duke pretenduar se është ushtria ukrainase ajoqë ka grumbulluar forca në zonën  kufitare me Rusinë.

(r.m.)

Comment

*