Blinken: Rusia duhet të ndëshkohet për luftën në Ukrainë

Nju Delhi, 3 mars 2023 – Gjatë një takimi të premten me homologët e tij të Grupit të Katërshes, Sekretari Blinken tha se nëse Rusia lihet pa u ndëshkuar për luftën në Ukrainë, atëherë ky do të ishte një mesazh inkurajues për agresorët në mbarë botën. Krahas Shteteve të Bashkuara në Grupin e Katërshes marrin pjesë India, Australia dhe Japonia, të cilët shprehën shqetësimin nëpërmjet një deklarate të përbashkët edhe për aktivitetet destabilizuese në Detin e Kinës së Jugut dhe të Lindjes, një referencë e qartë kjo për Republikën Popullore të Kinës.

Rusia nuk mund të lejohet të bëjë luftë pa u ndëshkuar, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të premten pas takimit në Nju Deli me homologët nga India, Japonia dhe Australia.

“Nëse e lejojmë Rusinë pa u ndëshkuar për atë që bën në Ukrainë, ky do të ishte është një mesazh për agresorët kudo, se ndaj tyre nuk do të kishte pasoja”, tha Sekretari Blinken.

Sekretari i Shtetit i bëri komentet në një takim të ministrave të jashtëm të Grupit të Katërshes, të përbërë nga Australia, India, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë të publikuar pas takimit, grupi u shpreh se përdorimi, apo kërcënimi për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë është “i papranueshëm”.

Me një referencë të qartë për Kinën, ministrat e Grupit të Katërshes dënuan në deklaratën e tyre veprimet që rrisin tensionet në Detin e Kinës Jugore, si dhe “militarizimin” e territoreve të diskutueshme në këtë zonë.

“…një gjë që do të donim të thonim është zbatimi i ligjit, i rregullave ndërkombëtare. Për sa kohë që Kina i përmbahet rregullave dhe normave ndërkombëtare dhe vepron brenda institucioneve ndërkombëtare, standarteve dhe rregullave, atëherë nuk ka konflikt për çështjet mes Kinës dhe Grupit të Katërshes”, tha Ministri i Jashtëm japonez Yoshimasa Hayashi.

Në deklaratën e Grupit të Katërshes jepet mbështetje e fortë për parimet e lirisë, shtetit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial, zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve pa përdorimin e forcës, si dhe kundërshtohet çdo përpjekje e njëanshme për të ndryshuar status quo-në.

Megjithëse në deklaratë nuk përmendet Kina, Ministria e Jashtme kineze kritikoi Grupin e Katërshes duke thënë se “bashkëpunimi mes vendeve duhet t’i përmbahet tendencës së kësaj periudhe për paqe dhe zhvillim dhe se nuk duhet të angazhohen në klika ekskluzive”.

(Zëri i Amerikës)