Blinken: SHBA do të ndihmojë dokumentimin e krimeve të luftës në Ukrainë

Uashington, 3 prill 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të dielën se Departamenti i Shtetit do të ndihmojë në dokumentimin e të gjitha mizorive që ushtria ruse i ka kryer kundër civilëve në Ukrainë.

“Që nga agresioni (rus në Ukrainë), ne kemi dalë dhe kemi thënë se besojmë që forcat ruse kanë kryer krime lufte dhe ne kemi punuar që t’i dokumentojmë ato, që informacionet që i kemi t’ua japim organizatave përkatëse… Duhet të ketë përgjegjësi për këtë”, tha ai për CNN.

Blinken e bëri këtë deklaratë pas publikimit të fotografive të agjencisë franceze të lajmeve, AFP, nga një qytet në veri-perëndim të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, ku shihen trupat e pajetë të të paktën 20 civilëve, në shtrirë nëpër rrugët e qytetit.

Blinken nuk tha shprehimisht se Rusia ka kryer gjenocid në Ukrainë, por theksoi se SHBA, përfshirë Departamentin e Shtetit, do të ndihmojë të vërtetohet saktë nëse ka ndodhur kjo.

“Ne do të shikojmë me vëmendje dhe do të dokumentojmë gjithçka që do të shohim, do t’i bashkojmë të gjitha, do të sigurohemi që institucionet dhe organizatat përkatëse që merren me  këtë çështje,  përfshirë Departamentin e Shtetit, të kenë gjithçka që duhet për të konstatuar saktësisht se çka ka ndodhur në Ukrainë, kush është përgjegjës dhe çfarë do të ndodhë më tutje”, tha Blinken.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kza evituar të përgjigjet nëse Rusiaka kryer gjenocid në Ukrainë, por ai i cilësoi operacionit ruse si “një brutalitet kundër civilëve çfarë në  Evropë nuk është parë me dekada”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas shfaqjes së imazheve të trupave të civilëve të shpërndarë nëpër rrugët e qytetit Bucha, tha se këto janë dëshmi se Rusia ka kryer gjenocid në Ukrainë.

“Ky është gjenocid”, tha Zelensky për CBS.

(r.m.)