Blinken uron Shqipërinë për 110-vjetorin e pavarësisë

Uashington, 28 nëntor 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka uruar Shqipërinë  për 110-vjetorin e shtetësisë, duke e falënderuar për partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Shqipëria ka treguar lidership dhe guxim, duke mbështetur Ukrainën dhe duke vënë në pah veprimet e aktorëve keqdashës në Evropë dhe në mbarë botën. Kontributet e çmuara të Shqipërisë si një aleate e NATO-s ndihmojnë në mbajtjen e aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur”, thuhet në mesazhin e tij, të publikuar në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Kontributet e çmuara të Shqipërisë si një aleate e NATO-s ndihmojnë në mbajtjen e Aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur. Shtetet e Bashkuara falënderojnë gjithashtu Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen e saj në zhvendosjen e afganëve”,thuhet më tutj në mesazh.

Sekretari Blinken e ka përgëzuar Shqipërinë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe ka remtuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për sigurimin e energjisë  dhe për forcimin e mbrojtjes kibernetike.

“Ndërsa nisim shekullin e ardhshëm të marrëdhënieve tona, ne jemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me popullin shqiptar”, thuhet në përmbyllje të mesazhit.

Mesazhi i plotë i sekretarit Blinken:

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam nderin të uroj popullin e Shqipërisë për 110-vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu krenare që festojnë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe partneritetin e gjerë e të fortë që kemi ndërtuar së bashku.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të nderuara të punojnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa ju vazhdoni të jepni kontribute të fuqishme në skenën globale. Shqipëria ka treguar lidership dhe guxim duke mbështetur Ukrainën dhe duke ndriçuar veprimet e aktorëve keqdashës në Evropë dhe në mbarë botën. Kontributet e çmuara të Shqipërisë si një aleate e NATO-s ndihmojnë në mbajtjen e Aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur. Shtetet e Bashkuara falënderojnë gjithashtu Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen e saj në zhvendosjen e afganëve.

Ne e përgëzojmë Shqipërinë për arritjen e fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE në korrik dhe mbetemi të përkushtuar për t’ju mbështetur në rrugën tuaj transatlantike. Së bashku, ne po punojmë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të siguruar energji duke avancuar axhendën tonë të përbashkët të klimës për Evropën dhe për të forcuar mbrojtjen kibernetike.

Ndërsa nisim shekullin e ardhshëm të marrëdhënieve tona, ne jemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me popullin shqiptar.

(r.m.)