Bllaca e 1999-tës, trajektorja e një gjeopolitiketë re

Nga Dr. Skender ASANI

Para 22 viteve, pikërisht këtu ku ndodhemi sot, gjeopolitika po shkruante një kapitull të ri në ribërjen e hartës së Ballkanit. Në vend të përrallave të vjetra sllave që kishin përvetësuar sallonet diplomatike të Evropës së shekullit 19, pikërisht këtu në Bllacë komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga SHBA, NATO dhe BE, po rivendoste për herë të parë një drejtësi të munguar në favor të shqiptarëve.

Lufta heroike e UÇK-së, e udhëhequr nga bijtë dhe bijat më të zgjedhor të kombit, projektoi në vëmendjen diplomatike e ushtarake ndërkombëtare nevojën për të ndërhy në një territor të pushtuar arbitrarisht nga forcat pushtuese serbe. Më 24 mars të vitit 1999 aleanca veriatlantike e NATO-s filloi të veprojë nga ajri, duke hedhur bomba mbi objektet vitale ushtarake e shtetërore të Serbisë, si pika problematike prej ku  buronte fuqia pushtuese e hegjemoniste serbe.

Ishte ky intervenimi i parë në mënyrë kolektive i një aleance Perëndimore ushtarake që si objektiv kishte motivin humanitar për të shpëtuar një popull të tërë nga kthetrat gjenocidale të një politike, e cila nuk po pajtohej vetëm me trajtat e pushtimit, por si synim kishte edhe spastrimin etnik, në shenjë hakmarrjeje ndaj ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Kjo ishte edhe arsyeja pse ato ditë të ftohta marsi e prilli të vitit 1999, pikërisht kjo fushëgropë këtu në Bllacë ishte shndërruar në ferr, por edhe në një far gome shpëtimi për një masë të madhe njerëzish që shkonte përtej 400 mijë vetave.

 Historikisht Serbia është e njohur për plane të tilla, që i kishte bërë madje edhe pjesë të strategjive të saja politike e klero-nascionaliste, duke filluar nga fabrikimet akademike antishqiptare të Vlladan Gjorgjeviqit, e Jovan Cvijiqit, e deri te memorandumet gjenocidale të Vasa Çubrilloviqit e Ivo Andriqit,  si dhe  projekti i fundit famëkeq i koduar me emrin PATKOI, që si synim kishte zbatimin e planit të “tokës së djegur” për të realizuar më lehtë synimin e shndërrimit të Kosovës një vend pa shqiptarë.

Por, të gjitha këto planet ranë në ujë, sepse tiktaku i historisë filloi të llogarisë kohën sipas një rendi të ri që bota perëndimore po e vendoste, bashkë me dislokimin e mijëra trupave të NATO-s në Kosovën e vitit 1999, prej kur Bllaca, nga një vend tmerri e paniku, u shndërrua në një vend përkujtimi për  vuajtjet e njerëzve të dëbuar dhe rikthim të dinjitetit të tyre në fokusin e vëmendjes institucionale.

Ky Memorial që sot ne po e inaugurojmë përbën në vete një strukturë të ideuar artistike e hapësinore ku harmonishëm bashkëjetojnë edhe Muri i Kujtesës edhe Parku “Hasan Prishtina”, si dy skaje të një rruge nëpër të cilat kaloi historia shqiptare e mbarsur me sakrifica e flijime, për të arritur këtu ku jemi sot, ku shteti i Kosovës është kurora më kuptimplote e këtij rrugëtimi.  

Muri i Kujtesës dhe Parku “Hasan Prishtina” e mbushin këtë hapësirë me dy nocionet më domethënëse sociologjike-politike:

Në njërën anë kemi dimensionin e sakrificës dhe flijimit popullor, e portretizuar në fytyrën e një gruaje, e cila duke u bërë objekt i një fotografie që bëri xhiron e botës, në fakt, ajo po e ndërkombëtarizonte dimensionin e vuajtjes kolektive të shqiptarëve, si pasojë e trajtave më çoroditëse të spastrimit etnik që atë botë Serbia pe e zbatonte me zell të pakursyer;

Në anën tjetër, kemi parkun “Hasan Prishtina”, i cili brenda simbolikës së vet risjell në vëmendjen tonë një figure madhore të kombit, siç ishte Hasan Prishtina, për të cilin sivjet do të festojmë edhe një jubile që lidhet me 100 vjetorin e ardhjes së tij në krye të Qeverisë shqiptare, duke u bërë kështu kryeministri i tetë me radhë, në kohët më dramatike të 1921-shës.

Muri i Kujtesës dhe Parku Hasan Prishtina, tash e tutje i shërbejnë kujtesës sonë, jo vetëm për të freskuar të kaluarën, por për të mësuar edhe hapat nga duhet të shkojmë në të ardhmen. Së pari, duke vendosur një standard të ri në memorimin e të kaluarës, përmes projekteve që afirmon njeriun tonë në mikroplan përmes sakrificës individuale dhe solidarizimit kolektiv dhe përmes politikave shtetërore të cilat do të përpilonin  një strategji unike në formimit e institucioneve muzeale, ku do të konservohej dhe studiohej historia e përpjekjeve titanike të popullit tonë për të ruajtur vazhdimësinë edhe biologjike edhe kombëtare.

Duke dashur që të jemi më mirëkuptues në planet dhe idetë përbashkuese, do të përmbylli këtë fjalim timin me modelin që na jep Hasan Prishtina, në planin e mendimit dhe veprimit, duke sakrifikuar gjithçka nga vetja në të mirë të interesit të përgjithshëm.

Bllacë, 10 prill 2021(Fjalë e mbajtur në ceremoninë e zbulimit të “Murit të Kujtesës” në Bllacë, të ngritur në përkutjim të ekspodit të shqiptarëve të Kosovës,në mars tëv itit 1999)  

Comment

*