Bllokimi i aeroportit, ndalohen 3 kontrollorë ajrorë

Në Shqipëri, për të dytën ditë radhazi fluturimet në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit “Nënë Tereza” kanë mbetur të bllokuara, si pasojë e situatës problematike të krijuar nga vendimi i kontrollorëve ajrorë për të ndërprerë aktivitetin. Për tre kontrollorë sot u njoftua urdhëri i ndalimit.

Dje më shumë se gjysma e kontrollorëve deklaruan “paaftësinë për të punuar në kushte të stresit”. Ky vendim pasoi një mosmarrëveshje gati një vjeçare me drejtuesit e kompanisë Albcontrol për thuajse përgjysmimin e të ardhurave mujore, pas rënies së fluksit të fluturimeve për shkak të pandemisë.

Ministria e Infrastrukturës ngriti padi të mërkurën pasdite ndaj disa prej kontrollorëve, të konsideruar prej saj si “organizatorë të një greve të paligjshme”. Prokuroria e Tiranës nisi që mbrëmë veprimet e para, dhe në polici u shoqëruan të paktën 24 kontrollorë. Ndërsa 21 prej tyre u lanë të lirë gjatë ditës së sotme, për tre të tjerë është nxjerrë një urdhër ndalimi nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Avokati i sindikatës së Transportit ajror, Rezart Kthupi tha se kjo është një akuzë që mund të ngrihet për punonjësit e administratës shtetërore dhe jo të një shoqërie anonime.

Nga ana tjetër autoritetet janë vënë në lëvizje për të zëvendësuar kontrollorët protestues, qoftë dhe me të huaj. Gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Mbrojtjes Civile, Ministrisë së Infrastrukturës iu kërkua që “të marrë masat e nevojshme për të bërë operacional kontrollin e trafikut ajror, qoftë edhe duke zëvendësuar, nëse lind nevoja, kontrollorët e larguar me kontrollorë të rinj vendas ose të huaj”. Po ashtu kjo ministri “u ngarkua të përcaktojë kriteret minimale të licencës sipas standardeve ndërkombëtare si dhe çdo kriter tjetër të nevojshëm për të filluar fluturimet sa më parë”, ndërsa “Autoriteti i Aviacionit Civil u ngarkua të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje, të liçensojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror në përputhje me urdhrin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë”. (VOA)