Bllokimi i pasurive dhe pezullimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara

 Në shënjestër janë korrupsioni dhe shkelja e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju avokati Kieran Both

Më 8 qershor 2021, Presidenti Biden nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv i cili merret më tej me situatën e jashtëzakonshme kombëtare aktuale që lidhet me Ballkanin Perëndimor. Presidenti Biden firmosi një Urdhër Ekzekutiv i cili parashikon kompetenca shtesë për vendosje sanksionesh ku përfshihen dhe kompetencat për të vënë në shënjestër ata persona që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin apo tërësinë territoriale të cilësdo qoftë zonë apo shtet në Ballkanin Perëndimor, sikurse dhe ata persona që mbajnë përgjegjësi apo kanë bashkëpunuar ose që në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë janë marrë me shkeljen e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor. Ky Urdhër Ekzekutiv bazohet në situatën e jashtëzakonshme kombëtare aktuale dhe zgjeron më tej kriteret e objektivave të saj me qëllim që të trajtojë sfida si korrupsioni dhe veprime të tjera të cilat u nxjerrin pengesa institucioneve kyçe si dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Urdhri Ekzekutiv doli për herë të parë në qershor të vitit 2001, kur ish Presidenti amerikan George Bush pezulloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të disa ish luftëtarëve guerilë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, UÇK, për rolin që pretendohej se po luanin në një kryengritje të armatosur shqiptare etnike në Maqedoninë e Veriut. Presidenti Biden e zgjeroi objektivin e ndalimit të personave duke përfshirë aty edhe Shqipërinë. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, tha “Lufta kundër korrupsionit është në thelb të interesit të sigurisë kombëtare të SHBA-së”. Muajin e kaluar, Departamenti i Shtetit të SHBA-së shpalli ish presidentin dhe ish- kryeministrin e SHBA-së person të padëshiruar duke përmendur si shkak “aktet e korrupsionit” ndërsa ishte në detyrë, veçanërisht gjatë periudhës kur vepronte si kryeministër.

Deklaratë e Shtëpisë së Bardhë është si vijon:

Korrupsioni kudo dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe begatinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve dhe aleatëve të saj. Për këtë arsye Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në promovimin e llogaridhënies si dhe në luftën kundër mosndëshkimit të atyre që janë përfshirë në korrupsion të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë. Është në natyrën e korrupsionit që t’u shërbejë interesave të atyre që përfshihen në të dhe i mbushin xhepat e tyre si dhe t’u japë llogari vetëm interesave vetjake dhe jo interesave të vendit apo të popullit. Korrupsioni dobëson rritjen ekonomike, e bën më të lehtë krimin e organizuar dhe dëmton në themel besimin në proçeset demokratike. Këto forca u hapin derën kundërshtarëve strategjikë për të minuar themelet e demokracisë, për të penguar ecjen përpara që çon drejt një qeverisjeje efektive dhe të përgjegjshme si dhe për të penguar rajonin e Ballkanit Perëndimor që të arrijë një integrim të plotë në institucionet transatlantike. Ato u lejojnë individëve të shfrytëzojnë zbatimin e dobët të ligjit si dhe të përfitojnë nga korrupsioni sistemik në kurriz të qytetarëve të thjeshtë. Si rezultat, ato përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm dhe të paparë të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. 

Urdhri Ekzekutiv:

  • Nënvizon angazhimin e gjatë të Shteteve të Bashkuara në zbatimin e marrëveshjeve dhe të institucioneve të pasluftës të cilat u vendosën pas ndarjes së ish Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë;  
  • Zgjeron kriteret e përcatuara për sanksione në mënyrë që mes të tjerash të përfshihen dhe ato veprimtari që lidhen me: kërcënimin e paqes, sigurisë, stabilitetit apo integritetit territorial të cilësdo zonë apo shtet në Ballkanin Perëndimor; angazhimin në shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor; dhe angazhimin në korrupsion në Ballkanin Perëndimor; 
  • Zgjeron aftësinë tonë për të vënë në shenjë persona që janë angazhuar ose veprime që kanë penguar dhe kërcënuar vënien në zbatim të sigurisë rajonale, paqes, bashkëpunimit apo marrëveshjes së njohjes së ndërsjellë apo strukturës apo mekanizmit të llogaridhënies që lidhen me Ballkanin Perëndimor përtej urdhërave të mëparshëm ekzekutivë ku përfshihen Marrëveshja e Prespës, Konkluzionet e Konferencës për Zbatimin e Paqes, dhe Mekanizmi Mbetës Ndërkombëtar për Gjykatën e Krimeve, pasuesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë; si dhe
  • Bën të qartë që shtrirja gjeografike e Ballkanit Perëndimor përfshin territorin e ish Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikën e Shqipërisë. 

Të gjitha pronat dhe interesat mbi pronat të personave të përmendur në këtë Urdhër Ekzekutiv të cilat gjenden apo vijnë brenda Shteteve të Bashkuara ose mbahen apo kontrollohen nga persona në SHBA janë bllokuar dhe personave në SHBA si rregull u ndalohet që të angazhohen në transaksione me to. Përveç kësaj, personat e sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv në fjalë nuk do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara apo të pajisen me vizë amerikane. Sigurimi i stabilitetit politik dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e administratës së presidentit Biden për të çuar përpara interesat themelore të sigurisë kombëtare amerikane, ku përfshihet dhe mbrojtja e institucioneve demokratike. Administrata do të vazhdojë të trajtojë sfidat në rajon nëpërmjet një konfrontimi të drejtpërdrejtë. Departamenti i Thesarit, në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit do të vazhdojnë të përditësojnë listën e individëve që do të jenë subjekte të sanksioneve sipas urdhërit në fjalë. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]