Boksieri shqiptar Florian Marku ruan titullin botëror dhe kërkon sfidën e radhës

Boksieri shqiptar Florian Marku ka dalë fitues mbrëmë duke ruajtur titullin e Kampionit të Federatës Ndërkombëtare të Boksit (IBF) për peshën “velter” (63.50 – 66.67 kg).

I njohur si “Mbreti Shqiptar”, ai mposhti dje në raundin e katërt kampionin britanik të kësaj peshe, Chris Jenkins në Neëcastle, të Mbretërisë së Bashkuar.

Nuk ishte një betejë e lehtë për shqiptarin që pësoi një çarje por vazhdoi të luftonte deri sa triumfoi mbi britanikun.

Pas një fillimi imponues, Marku pësoi disa goditje të rënda një prej të cilave e rrëzoi. Jenkins mori zemër dhe e bombardoi me grushte në raundin e tretë. Pas një përplasje aksidentale kokash, Marku u ça mbi syrin e majtë.

Mirëpo, në raundin e katërt, Marku iu vërsul me sa fuqi kishte dhe ia ngjeshi një grusht të fuqishëm me të djathtën në kokën duke e bërë rivalin që ta humbasë vetëbesimin. Sipas komentuesve sfiduesi duhej ta kishte lënë aty ndeshjen, por u përpoq të vazhdonte duke marrë breshëri të tjera grushtesh nga Marku.

Në fund, gjyqtari vendosi ta ndërpresë duelin.

Marku shpjegoi më vonë se nuk kishte alternativë tjetër. E çara mbi sy po fillonte të ndikonte dhe ose do ta detyronte ta linte ndeshjen ose gjyqtari do ta ndalonte. Ai hyri në raundin e katërt i bindur se kishte vetëm pak minuta kohë për të fituar.

I lumtur nga fitorja, Florian Marku briti me të madhe: “Po më sillni Amir Khanin, do ta copëtoj!”

Amir Khan është një nga boksierët më të suksesshëm britanikë, fitues i shumë titujve botërorë e medaljeve olimpike. 35-vjeçar, karriera e tij është drejt fundit, ndërsa ajo e 29-vjeçarit Florian Marku vetëm sa ka filluar. Një fitore me kampionin e vjetër do të simbolizonte dorëzimin e stafetës një brezi më të ri. (Ruben Avxhiu)