Borrell: BE duhet të krijojë forcë të reagimit të shpejtë

Bruksel, 2 shtator 2021 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha të enjten se tërheqja kaotike e Perëndimit nga Afganistani ka gjasë të jetë katalizator për përpjekjet e BE-së për ta zhvilluar forcën e vet mbrojtëse. Ai theksoi se një forcë e reagimit të shpejtë duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Brenda Bashkimit Evropian janë duke u shtuar thirrjet që blloku të jetë në gjendje të ndërhyjë ushtarakisht në rast krizash, pa u varur në trupat amerikane.

Pritet që ministrat e Jashtëm dhe ministrat e Mbrojtjes të vendeve të Bashkimit Evropian të diskutojnë për hapat drejt këtij qëllimi, të enjten dhe të premten, në një takim joformal të ministrave të mbrojtjes në Slloveni.

“Nganjëherë ka ngjarje që e katalizojnë historinë dhe mendoj që Afganistani është njëri nga këto raste”, tha kryediplomati evropian, para takimit në Slloveni, citon Reuters.

Borrell bëri thirrje për një “forcë evropiane të vijës së parë”, të përbërë prej 5.000 trupash, për t’i zëvendësuar grupet e betejave, të cilat BE-ja ishin krijuar në vitin 2007, por nuk janë përdorur kurrë.

“Duhet të kërkojmë diçka më operacionale. Nevoja për mbrojtje më të fuqishme evropiane është më e dukshme se kurrë më parë”, tha ai para gazetarëve, transmeton Express.

Borrelli tha se shpreson që në tetor ose në nëntor të ketë një plan lidhur me këtë çështje.

(r.m.)