Borrell: Dhuna në veri të Kosovës të ndalet menjëherë, autorët duhet të mbajnë përgjegjësi

Kishinjev (Moldavi), 1 qershor 2023 – Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, u bëri thirrje edhe njëherë të dy palëve për ndërprerjen e dhunës në pjesën veriore të Kosovëës. Ai theksoi se autorët e aktorët e dhunës duhet të marrin përgjegjësi.

“Më duhet të insistoj se dhuna nuk është zgjidhje. Dhuna duhet dënuar. Dhe autorët e kësaj dhune duhet të mbajnë përgjegjësi”, citohet ai nga Radio Evropa e Lirë.

Borrell e bëri  këtë deklaratë në Kishinjev të Moldavisë, ku janë mbledhur udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane, të Moldavisë, për të diskutuar për një varg çështjesh, përfshirë edhe tensionet në veri të Kosovës.

Ai tha se përkëtë temë ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bratislavë, të mërkurën, më 31 maj, kurse me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të flaës sot në Kishinjev.

Borrell tha se kryeministrit Kurti i ka kërkuar të luajë rolin e tij në zbutjen e krizës në veri dhe shtoi se të njëjtin mesazh do t’ia transmetojë sot edhe presidentit Vuçiq.

“Ne kemi arritur në një pikë që është e domosdoshme që nivelet alarmante të dhunës të vërejtura në fillim të kësaj jave të ndalen menjëherë. Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në një situatë shumë të rrezikshme”, tha ai.

“Ne duhet ta shtensionojmë (situatën). Ne duhet të qetësohemi”, tha Borrell.

(r.m.)