Borrell e Kurti pajtohen që dialogu Kosovë-Serbi të rinisë në qershor

Bruksel, 29 prill 2021 – Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi tëenjtën në Bruksel se dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë do të rinisë para fundit të qershorit.

Borrell e kumtoi këtë njoftim në Bruksel, pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër, përveç dialogut me Serbinë. Ai theksoi se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi. Nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropianë. Në të kundërtën, rruga do të jetë e bllokuar”, tha Borrell.

“Pa këtë (dialogun) rruga do të bllokohet. Për këtë arsye, e inkurajova zotin Kurti që të angazhohet në mënyrë konstruktive në këtë proces”, tha ai.

Borrel tha se është i vëetëdijshëm se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës e Serbisë nuk do të jetë e lehtë, por procesi duhet të rifillojë sa më shpejt.

Krhyeministri Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në procesin e dialogut që do të rinisë në muajin qershor. Ai  tha se dialogu do të rinisë pas darkës seë liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në maj dhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, tha Kurti.

Kurti përsëriti se dialogu duhet të përgatitet mirë, në mënyrë që të mos bëhen gabime të reja.

“Ne duam bisedime parimore dhe të përgatitura mirë. Nuk mendoj që mund të lejojmë gabime e dështime të reja. Prandaj përgatitja e mirë nënkuptoin që ato të trajtohen seriozisht”, tha ai.

Kurti tha se ai është në pritje të informatave dhe dokumenteve nga procesi i zhvilluar në të kaluarën dhe paralajmëroi se gjatë muajit maj do të diskutojë për këtë çështje edhe me opozitën.

“Neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre”, u shpreh ai.

Kurti e konfirmoi këtë edhe përmes një postimi në Twitter.

Kurti po qëndron në Bruksel në një vizitë dyditore. Të mërkuren në mbrëmje, ai u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një postim në Twitter, pas takimit, Kurti ka shkruar se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë.

“Bisedime konstruktive me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. E kam ripohuar se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin e të vërtetën, të jetë i barabartë dhe t’u adresohet çështjeve të pazgjidhura, e jo të krijojë çështje të reja”, ka shkruar ai

Të enjten në mëngjes, Kurti u takua në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se aleanca i mbështet përpjekjet për rifillimin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës.

Pasdite, ai do të do të takohet edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

Kurti, në vizitën e tij të parë në Bruksel si kryeministër, do të marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

(r.m.)