Borrell e Rama bisedojnë për procesin e integrimit të rajonit në BE

Abu Dhabi, 1 tetor 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar të premten një takim me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borell.

Lajmin e ka bërë publik shefi i diplomacisë së BE-së përmes një postimi në Twitter, ku thekson se në fokus të bisedës ishte procesi i integrimit, ritmi i reformave dhe mbajtja e samitit të ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Takova Kryeministrin Edi Rama në #WPC2021. Ne diskutuam për zgjerimin, për Samitin e ardhshëm për Ballkanin Perëndimor dhe për nevojën për rezultate konkrete. Është e rëndësishme të ruhet dinamika e reformave në rajon dhe besimi në BE-bë “, ka shkruar Borell në Twitter.

Kryeministri Rama ka publikuar më shumë detaje nga biseda e tij me shefin e diplomacies europiane, Josep Borrell.

Në një mesazh në Facebook, Rama ka shkruar se me z. Borrell kanë folur për Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për situatën në rajon dhe për konfliktin e hapur nga Bullgaria me Maqedoninë e Veriut. Ai ka theksuar se Shqipëria është peng i mosmarrëveshjeve mes Sofjes dhe Shkupit.

“Takimi me Josep Borrell, kryediplomatin e BE- së dhe ndërmjetësuesin e bisedimeve Kosovë-Serbi, me të cilin folëm për Samitin e javës së ardhshme mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për panoramën e situatës në rajon, si edhe për konfliktin e hapur nga Bullgaria me Maqedoninë e Veriut, ku është marrë peng edhe Shqipëria”, ka shkruar Rama.

Rama dhe Borrell janë takuar në margjina të “Konferencës së Politikave Botërore”, e cila po mbahet në Abu Dhabi.

(r.m.)

Comment

*