Borrell organizoi në Nju Jork një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor

Nju Jork, 20 shtator 2022 – Liderët e Ballkanit Perëndimor janë takuar sot në Nju Jork, me ftesë të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme e siguri, Joseph Borrell.

Në fotografinë e përbashkët që është publikuar në medie shihen: Joseph Borrell, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Koveçevski dhe kryesuesi i presidencës së Bosnës e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq.

Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor meshefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, u mbajt në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në hapje të seancës së asamblesë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, vuri theksin te sfidat serioze me të cilat po  përballet bota.  Ai tha se vendet e botës janë bllokuar nga një krizë kolosale globale dhe nuk janë të përgatitura të trajtojnë sfidat kryesore që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit dhe të planetit.

Guterres vuri theksin tek lufta në Ukrainë, konfliktet e shumta anembanë botës, ndryshimet klimatike dhe situata e rëndë financiare e vendeve në zhvillim.

Ndër objektivat më madhore të OKB-së ai veçoi eliminimin e varfërisë ekstreme dhe arsimin cilësor për të gjithë fëmijët.

(r.m.)